Ebru Zborça, aktiviste
Lehonia nuk duhet të shihet si pengesë për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje; përkundrazi, është tregues i qartë i mënyrës se si institucionet e konceptojnë parimin e barazisë. Megjithatë, në realitetin politik te Kosovës, kjo periudhe jetësore shpesh perceptohet më shume si barrierë sesa si një e drejtë e natyrshme.
Prania e grave në politikë shpesh paraqitet si një tregues suksesi veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, ku përfaqësimi matet dhe vlerësohet vetëm përmes shifrave dhe kuotave ligjore.
Megjithatë, përfaqësimi i vërtetë nuk mund të kufizohet vetëm në numra apo me posedimin e një ulëseje në Kuvend. Për shume gra, sidomos për këshilltarët komunalë dhe përfaqësuesit që veprojnë në nivel lokal, periudha e lehonisë në shumicën e rasteve nuk trajtohet si fazë natyrore e jetës, por si një periudhe që mund të ndikoje në dukshmërinë dhe vazhdimësinë e angazhimit politik.
Edhe pse përfshirja e grave ne listat zgjedhore apo në strukturat partiake është rritur në aspektin formal, ndikimi i tyre në proceset reale të vendimmarrjes mbetet i kufizuar. Kjo tregon një hendek të vazhdueshëm mes përfaqësimit numerik dhe fuqisë reale politike që gratë ushtrojnë në institucione.
Në nivel lokal, kjo problematikë bëhet edhe më e theksuar. Në shumë raste, përfshirja e grave në struktura politike mbetet kryesisht formale, duke shërbyer më shumë për plotësimin e kuotave zgjedhore sesa për pjesëmarrje substanciale në vendimmarrje. Kjo gjendje është veçanërisht e dukshme te gratë këshilltarët komunal që u përkasin komuniteteve jo-shumicë, përfshirë komunitetin turk, të cilat shpesh ndodhen mes pritshmërive për përfaqësim komunitar dhe kufizimeve të strukturave partiake.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas zgjedhjeve komunale të vitit 2025 gratë përbëjnë rreth 35.9 përqind të anëtarëve të kuvendeve komunale në Kosovë, ndërsa dominimi i përfaqësimit vazhdon të mbetet në favor të burrave.
Në thelb të kësaj gjendjeje qëndron fakti se politikat lokale ende formësohen nga strukturat patriarkale, të cilat vazhdojnë të favorizojnë dominimin e burrave në proceset vendimmarrëse. Përveç kufizimeve formale, gratë shpesh përballen edhe me presion joformal brenda strukturave politike për të ruajtur aktivitetin e pandërprerë, duke e bërë edhe më të vështirë balancimin mes jetës familjare dhe angazhimit institucional.
Ndërkohë, avancimi i grave brenda partive politike shpesh kushtëzohet nga përshtatja me normat ekzistuese dhe jo nga aftësia për të sjellë ndryshim apo për të sfiduar status quo-n brenda sistemit partiak.
Përderisa e drejta e lehonisë është e garantuar me ligjin e punës dhe standardet për barazi gjinore, mungesa e mekanizmave institucionalë – në praktikë – për zëvendësim të përkohshëm ose vazhdimësi të detyrave e shndërron këtë periudhë në ndërprerje të aktivitetit politik. Si rezultat, gratë përfaqësuese në kuvendet komunale shpesh përballen me vështirësi në ruajtjen e vazhdimësisë së angazhimit të tyre publik.
Në praktikë, disa këshilltare komunale ballafaqohen me vështirësi në ushtrimin e mandatit gjatë periudhës së lehonisë për shkak të mungesës së mekanizmave të qartë për zëvendësim të përkohshëm ose vazhdimësi të detyrave. Mungesa e një mekanizmi të standardizuar për zëvendësimin e përkohshëm krijon vakum institucional dhe ndërprerje në përfaqësimin qytetar, duke e bërë këtë periudhë një pikë të ndjeshme në vazhdimësinë e angazhimit politik.
Në këtë kuptim, lehonia nuk është vetëm çështje e politikave sociale, por edhe indikator i mënyrës se si funksionon demokracia në praktikë.
Në këtë kuadër, lehonia bëhet një nga pikat më të ndjeshme ku presioni institucional dhe shoqëror bëhet më i dukshëm. Edhe kur nuk shprehet drejtpërdrejt, ai reflektohet në pritshmëritë për pjesëmarrje të pandërprerë në detyrat publike, pa marrë parasysh realitetet jetësore të grave.
Kjo tregon se mungesa e rregullimeve praktike krijon boshllëqe në vazhdimësinë e përfaqësimit. Për këtë arsye, lehonia nuk duhet parë si pengesë në karrierën politike, por si e drejtë që duhet garantuar dhe zbatuar në mënyrë efektive nga institucionet. Mekanizmat – si zëvendësimi i përkohshëm i mandatit ose riorganizimi i përgjegjësive gjatë kësaj periudhe – do të mundësonin pjesëmarrje më të qëndrueshme dhe më të barabartë.
Partitë politike, si filtrat kryesorë të përfaqësimit publik, vazhdojnë të mos e trajtojnë barazinë gjinore si kriter të brendshëm të fuqisë politike, por si detyrim formal për përmbushjen e kuotave ligjore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për gratë nga komunitetet jo-shumicë, të cilat shpesh përballen me barriera të dyfishta: gjinore dhe etnike.
Kur gratë përballen me pengesa në angazhimin politik, humbja nuk është vetëm individuale. Institucionet humbin përvojë, perspektivë dhe kapacitete që janë jetike për vendimmarrje më cilësore dhe gjithëpërfshirëse. Kjo nuk prek vetëm gratë e zgjedhura, por edhe qytetarët që ato përfaqësojnë, të cilët mbeten pa përfaqësim të plotë dhe efektiv gjatë kësaj periudhe.
Nëse komunat synojnë forcimin e demokracisë dhe përafrimin me standardet evropiane të barazisë gjinore, atëherë përfaqësimi i grave nuk mund të mbetet çështje statistikash. Ai duhet të reflektojë ndikim real në vendimmarrje dhe përfaqësim dinjitoz në institucionet lokale.
Mënyra se si një shoqëri i trajton gratë në politikë mbetet një nga treguesit kryesorë të pjekurisë së saj demokratike. Përderisa gratë, veçanërisht ato nga komunitetet jo-shumicë, vazhdojnë të përballen me barriera që lidhen me lehoninë, përfaqësimin efektiv dhe qasjen e barabartë në vendimmarrje, barazia nuk mund të konsiderohet e përmbushur. Modernizimi institucional bëhet i mundur vetëm atëherë kur të drejtat zbatohen në praktikë dhe nuk mbeten vetëm në letër.
Në këtë kuptim, demokracia nuk matet nga numri i grave në institucione, por nga fuqia e tyre reale për të ndikuar në vendimmarrje.
(Bottom of FormKy shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokracia për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)