Ish-sulmuesi i Fulhamit, Evertonit dhe Manchester Unitedit, Louis Saha, po rezulton të ketë ndërtuar një “perandori” financiare pas përfundimit të karrierës si futbollist.
Sipas një raportimi të GiveMeSport, francezi sot vlerësohet me një pasuri që shkon në rreth 5.1 miliardë euro – shumë më tepër sesa kishte fituar gjatë viteve në fushë.
Saha, i cili gjatë karrierës u shqua në Ligën Premier dhe fitoi trofe të rëndësishëm me Manchester Unitedin (përfshirë tituj kampioni dhe Ligën e Kampionëve), tani ka arritur sukses të jashtëzakonshëm si sipërmarrës.
Në listën e ish-futbollistëve që janë pasuruar pas karrierës, vetëm Mathieu Flamini përmendet se e tejkalon, pasi si bashkëpronar i GF Biochemicals raportohet të ketë një pasuri shumë më të lartë.
Platforma “Axis Stars”, çelësi i pasurisë
Rruga e Sahas në biznes lidhet ngushtë me sportin. Pas pensionimit, ai krijoi një rrjet social për sportistë elitarë, të quajtur Axis Stars, ku atletët mund të komunikojnë, të shkëmbejnë këshilla dhe të krijojnë lidhje profesionale me partnerë të besueshëm.
Sipas përshkrimit të vet kompanisë, Axis Stars është një komunitet që “lehtëson lidhje autentike, nga të cilat përfitojnë të dyja palët, mes sportistëve profesionistë dhe figurave të botës së argëtimit, bashkëmoshatarëve të tyre dhe partnerëve të besuar”.
Platforma u themelua nga Saha në bashkëpunim me marketieren Kate Hamer, si dhe me drejtuesin e teknologjisë Patrice Arnera dhe ish-zyrtarin e marketingut te Manchester United, Mike Farnan.
Raportohet se rrjeti ka mijëra përdorues, përfshirë rreth 550 ish-sportistë profesionistë, dhe vlerësohet mbi 4.1 miliardë euro, ndërsa sipas OLBG pasuria e Sahas arrin në rreth 5.1 miliardë euro.
“Do të doja ta kisha pasur këtë platformë si lojtar”
Në një intervistë për CityAM në vitin 2014, Saha shpjegonte se ideja i lindi nga boshllëku që kishte vërejtur kur ishte vetë lojtar.
“Do të kisha dashur të isha në gjendje ta zotëroja punën time më mirë kur luaja, por tani që jam pensionuar, kam ende një rol të madh duke e ndarë përvojën time me lojtarët e rinj. Do të doja ta kisha pasur një platformë të tillë si lojtar; do të më ndihmonte ta menaxhoja karrierën dhe të planifikoja të ardhmen shumë më mirë”, ka thënë ai.
Më vonë, në një intervistë për The Guardian, Saha ka folur edhe për mënyrën se si platforma përdoret në praktikë, duke treguar se kërkesat për këshilla dhe lidhje profesionale janë të përditshme.
Karrierë e fortë edhe në fushë
Pavarësisht suksesit në biznes, Saha pati edhe një karrierë të respektueshme si futbollist. Ai u formua te Metz, kaloi shkurt në huazim te Newcastle, ndërsa shpërtheu te Fulham, ku në sezonin e parë shënoi 32 gola në 48 ndeshje, duke ndihmuar ekipin të ngjitej në Lihën Premier. Më pas luajti për më shumë se një dekadë në elitën angleze.
Sipas statistikës së përmendur në shkrim, Saha ka shënuar 158 gola në karrierë.
Në fund, raporti thekson se Saha është një nga shembujt më të rrallë të ish-futbollistëve që jo vetëm i ruajnë financat pas pensionimit, por arrijnë të ndërtojnë pasuri gjigante falë biznesit dhe vendimeve të zgjuara jashtë fushës. /Telegrafi/