Kantautorja amerikane krijoi këngë mahnitëse dhe përpara kohës së saj në vitet ’50 të shekullit XX, por mbeti pothuajse e panjohur – dhe, në moshën 50-vjeçare, ajo u zhduk. Tani, me një editim të ri të muzikës së saj, ajo njihet si një pioniere.
Nga: Thomas Hobbs / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
E përqendruar te një protagoniste urbane, me karakter të fortë, që zotëron seksualitetin e saj pa kërkuar falje, kënga e shkëlqyer Roving Woman tingëllon si vepër e një muzikanteje mileniale. Duke sjellë në mendje notat e tymta, që sikur pluskojnë në ajër, të një lokali nate në Bruklin, ajo përmban harmoni të lehta kitare që shfaqen e zhduken si tym cigaresh, ndërsa vokali i saj melankolik të kujton muzikantë bashkëkohorë të njohur të folkut si Weyes Blood, Jessica Pratt dhe Angel Olsen. “Gjithmonë dikush më çon në shtëpi”, psherëtin këngëtarja.
Megjithatë, gjëja vërtet e jashtëzakonshme për këtë këngë është se ajo në fakt është incizuar më shumë se 70 vjet më parë. Roving Woman nuk është vepër e një kantautoreje në të 20-at e saj të hershme, por është krijimi largpamës i Connie Converseit. Ajo ishte një muzikante e klasës punëtore që punonte nga dhoma e saj dhe që shkroi pjesën më të madhe të këngëve në Nju-Jorkun e fillimit të viteve ’50 të shekullit XX, vite përpara se Bob Dylan të dilte në skenë dhe të ndizte një lëvizje të re të kantautorëve.
Connie Converse(The Musick Group / Heroic Cities LLC)
Por, ajo u tërhoq nga ëndrrat e saj muzikore në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX dhe, më pas, në vitin 1974, në moshën 50-vjeçare, u zhduk plotësisht – për të mos u dëgjuar më kurrë. Vetëm në këtë shekull u rizbulua puna e kësaj artisteje misterioze dhe ajo gjeti një publik të përkushtuar, i habitur se sa pioniere kishte qenë. Dhe, tani një editim i ri në disk gramafoni i përmbledhjes kult të vitit 2009, How Sad, How Lovely, pritet ta bëjë atë edhe më të njohur.
Ndër admiruesit e saj janë shumë muzikantë të njohur, përfshirë yllin e indi-rokut, Greta Kline – që njihet me emrin artistik Frankie Cosmos. “Ajo më frymëzon të tregoj një histori të plotë ose të shpreh një ndjenjë të thellë me vetëm pak fjalë”, i thotë ajo BBC-së. “Mendoj se në këngët e saj gjenden gjurmë të shumë zhanreve. Ka prekje të met-rokut dhe metalit aty. Ende më habit fakti se sa shumë njerëz nuk e njohin”.
Historia e saj misterioze
Connie Converse (emri i vërtetë Elizabeth) lindi në vitin 1924. E pajisur vetëm me një magnetofon Crestwood 404 dhe një kitarë akustike të thjeshtë Regal, të cilën ajo arrinte ta bënte të tingëllonte po aq të gjerë sa një orkestër, Converse krijonte në kushte relativisht të panjohura në apartamente të vogla në Nju-Jork gjatë fillimit të viteve ’50 të shekullit XX. Ajo madje u përpoq të krijonte një operë ambicioze folku që përmbante vargjet profetike: “Kurrë nuk pata një burrë, kurrë nuk pata një djalë / E vdekur në moshën 51-vjeçare”.
Ajo ishte një muzikante plotësisht e vetëfinancuar, “bëje vetë” [DIY], shumë kohë përpara se të ekzistonte një terminologji e tillë e epokës së internetit. Edhe pse miqtë dhe familja e saj e njihnin Conversen e klasës punëtore si një gjeni, bota u zgjua ngadalë. Pasi pa që muzika e saj refuzohej vazhdimisht nga drejtuesit e shtëpive diskografike si tepër komplekse, artistja përfundoi në një gjendje të thellë dëshpërimi.
Më afër rrjedhës kryesore ajo ishte kur iu afrua një paraqitjeje televizive në The Morning Show të vitit 1954, të drejtuar nga Walter Cronkite; nuk ekziston më asnjë incizim dhe kjo nuk solli ndonjë depërtim të vërtetë. Kjo e la artisten me pak njohje përtej këngëve që u dërgonte familjarëve ose i interpretonte herë pas here në darka miqsh.
Ajo vazhdoi të bënte muzikë gjatë viteve ’60 të shekullit XX, por me një ritëm më të ngadaltë, ndërsa mbante punë të ndryshme, përfshirë një periudhë si redaktore e revistës me ndikim Journal for Conflict Resolution në Miçigan. Në letrat drejtuar të afërmve, të shkruara pak para zhdukjes së saj, ajo thoshte se kishte luftuar në jetë “për të gjetur një vend ku përshtatem”.
Çfarë i ndodhi pasi u zhduk, kjo mbetet e panjohur – në librin e vitit 2023 To Anyone Who Ever Asks: The Life, Music and Mystery of Connie Converse, biografia përfundimtare për të, autori Howard Fishman shkruan se disa besonin se ajo kishte përplasur makinën nga një shkëmb në Kanada, ndërsa të tjerët pretendonin se kishte nisur një jetë të re në Brazil.
Cilado qoftë e vërteta, zhdukja e pazgjidhur e Converseit i dha muzikës së saj një element shtesë misteri kur, dekada më vonë, ajo u bë e njohur për publikun. Në vitin 2004, producenti i ndjerë Gene Deitch prezantoi në radion WYNC disa nga këngët e saj të inciziuara në darka private në vitet 1954 dhe 1955, duke krijuar një valë interesi për këtë enigmë muzikore dhe duke çuar në publikimin e vitit 2009 How Sad, How Lovely. Albumi përfshinte gjithashtu incizime shtëpiake që Connie kishte bërë, të shoqëruara nga kollitje të lehta. Tani, dalja në disk gramafoni vjen në një kohë kur fama e Conniet është e madhe, sidomos pas një recensioni shumë pozitiv nga Pitchfork dhe pasi këngët e saj janë interpretuar nga artistë të ndryshëm, nga Karen O deri te Bill Callahan në vitet e fundit.
“Në fillim mendova se ky personazh, Connie Converse, duhej të ishte një mashtrim ose një truk”, qesh autori Fishman, i cili është gjithashtu drejtues i një grupi muzikor. “Këto këngë ishin tepër të freskëta, tepër moderne, tepër anakronike për t’u incizuar në vitet ’50 të shekullit XX”.
Pse muzika e saj ishte para kohës
Converse u rrit në Konkord në një familje të krishterë të djathtë, ku alkooli dhe diskutimi për seksin ishin të ndaluara [babai i saj ishte pro ndalimit të alkoolit]. Muzika e saj përbënte një autobiografi të zhveshur të përpjekjes së saj për t’u larguar nga kjo rritje e rreptë dhe për të jetuar lirshëm në Nju-Jork. Ajo gjithashtu përpiqej me guxim ta bënte më pak tabu promiskuitetin femëror dhe fuqizimin seksual.
Connie Converse(The Musick Group/ Heroic Cities LLC)
“Connie ishte shumë përpara kohës së saj për sa i përket roleve gjinore, sepse ajo nuk u përmbahej në asnjë mënyrë roleve gjinore të kohës së saj”, thotë Fishman. Kjo pasqyrohet gjithashtu nëpër këngë, në të cilat burrat ndonjëherë vriten nga një grua e qëndrueshme, si në Playboy of the Western World ose The Clover Saloon.
Pavarësisht çështjes së gjinisë, arsyeja pse këngët e saj mbeten kaq interesante është sepse ato u krijuan në një kohë në historinë e muzikës në ShBA kur introspeksioni dhe ekzistencializmi ende nuk ekzistonin realisht në muzikën folk, madje edhe përdorimi i vetës së parë “unë” konsiderohej një gabim në shkrimin e këngëve.
Merrni parasysh faktin që kënga më e madhe në ShBA në vitin 1952, kur u regjistrua Roving Woman, ishte Wheel of Fortune e Kay Starr, e mbushur me vargje të ëmbla për “mallin për zjarrin e çmuar të dashurisë” dhe për pyetjen nëse shigjeta e rrotës do të “çojë nga unë”. Pastaj krahasojeni këtë me stilin e ndërlikuar, tredimensional dhe bisedor që shfaq Converse, ku çdo veprim mendohet me kujdes – niveli i sofistikimit është krejtësisht i ndryshëm.
Një këngë tjetër, Trouble, e paraqet Conversen duke iu afruar një shelgu që qan për “ta mësuar si të qajë” – tetë vjet të plota para se Johnny Cash të bënte të njëjtën gjë në Big River.
Ndërkohë, atmosfera e lëkundur buzë humnerës e One By One (dhe tregimet e saj për ecjen vetëm natën) pasqyronte depresionin me të cilin përballej Converse. “Ajo e derdhi gjithë këtë dhimbje në muzikë”, thotë Fishman, duke shtuar se një tjetër gjë unike tek ajo ishte “mënyra e saj e mahnitshme për të marrë këngë fëmijërie; duke përdorur një formë naive për të maskuar një hyrje më të ndërlikuar dhe lozonjare në tema të të rriturve”. Përdorimi i saj i aliteracionit të sofistikuar dhe i vargjeve të lira, ishin gjithashtu 30 vjet përpara grupit Cocteau Twins. “Ai ishte elegant përtej çdo ëndrre”, këndon ajo në një këngë tjetër.
E gjithë kjo risi është në zemër të asaj që Converse e përshkroi si periudha e saj e “këngëve me kitarë” nga viti 1950 deri më 1955; në vitet e mëvonshme, ajo shkroi në mënyrë teatrale për piano. Ndër këngët në How Sad, How Lovely është Talkin’ Like You (Two Tall Mountains), një këngë magjepsëse që i krahason burrat me derra, lidh “një lloj gjëje si ketri” në një pemë me tingullin e “neve kur grindemi”, dhe përmban nota goditëse kitare që janë njëkohësisht të vrullshme dhe melankolike. Mesazhi i këngës duket të jetë rreth rikthimit në natyrë dhe nisjes për një shëtitje të gjatë për të harruar burrat e këqij, dhe ajo rezonon në një kohë kur shumë njerëz kërkojnë të shkëputen nga bota digjitale.
Tema të ngjashme mund të gjenden në këngën time të preferuar të saj, We Lived Alone. Këtu vokalet e saj të ëmbla kalojnë pa mund midis perspektivës së një gruaje beqare dhe shtëpisë së saj në fshat; të dyja të lumtura që më në fund kanë gjetur njëra-tjetrën. Muzika përqafon plotësisht idenë e shkëputjes nga qyteti, duke sugjeruar se thjesht mbajtja e “një llambe kundër errësirës” në izolim mund ta bëjë njeriun “të lumtur si një laraskë”. “Connie e kupton qartësisht se qeniet njerëzore janë pjesë e kësaj bote natyrore – jo superiore apo të ndara prej saj”, shpjegon sopranoja amerikane fituese e Grammy-t, Julia Bullock, duke iu referuar We Lived Alone si një nga këngët e saj të preferuara të të gjitha kohërave dhe një që ajo e ka interpretuar në skenë.
Përmbledhja “How Sad, How Lovely”(Third Man Records)
“Muzika i referohet ciklit jetësor, në thelb të gjallë të natyrës”, vazhdon Julia Bullock. “Ka pak autorë këngësh në botë që kanë atë lloj sofistikimi gjuhësor, pa qenë tendenciozë”.
Një arsye tjetër pse Connie Converse është kaq e veçantë lidhet me mënyrën se si muzika e saj prek historinë muzikore, beson Bullock: “U kam kërkuar miqve të mi t’i orkestrojnë veprat e saj duke pasur parasysh Franz Schubertin, kompozitorin gjerman të shekullit XIX. Gjithçka përputhet, gjithçka funksionon. Dhe, kjo është për shkak të interesit të Conniet për prejardhjen dhe trashëgiminë e repertorit të këngës – duke nderuar kompozitorët e shekujve të kaluar krahas bashkëkohësve të saj”.
Talentet e saj të shumta
Një tjetër admirues i Converses është Martin Carr, muzikant anglez i muzikës folk dhe këngëtar kryesor i grupit The Boo Radleys, i cili ka shkruar disa këngë në nder të saj. “Connie kishte syrin e një dramaturgu – aftësinë për të krijuar një botë të plotë nga një detaj i vetëm”, shpjegon ai. “Fakti që ajo i vuri emrin një kënge sipas një drame nga J. M. Synge, ose që ishte e aftë për vargje si ‘Pranvera dukej se zgjatej në një tufë të vogël lulesh që ai ma vendosi në dorë’, të tregon se ajo shtrihej shumë përtej traditës së folkut amerikan”.
Carr është gjithashtu veçanërisht i impresionuar nga loja e saj në kitarë dhe beson se ajo është e jashtëzakonshme pavarësisht brezit nga i cili vjen. “Loja e saj në kitarë është fenomenale. Nuk mund t’i luaj këngët e saj, janë shumë të vështira për mua”, shprehet ai me entuziazëm. “Më kujton mënyrën se si luan Paul Simon; aranzhime orkestrale për gjashtë tela. Ajo ishte një individ i vërtetë, një artiste jashtë kohe”.
Aftësia e këngëve të saj për të tingëlluar sikur janë bërë sot është një arsye e madhe pse ribotimi i How Sad, How Lovely me siguri do ta mbajë gjallë mitologjinë rreth Connie Converses. Fishman thotë se i është kërkuar të adaptojë biografinë e tij në forma të tjera rrëfimi. Ai e mirëpret sugjerimin tim që Elisabeth Moss do të ishte aktorja e përsosur për të luajtur Connie Conversen në një biografi holivudiane. “Ajo është sozia e saj”, qesh ai. “Ka muzikantë atje që as nuk e kuptojnë se janë frymëzuar prej saj. Shikoni, Connie Converse ishte një gjeni, dhe e di që është vetëm çështje kohe para se ajo të kuptohet si një figurë e rëndësishme e shekullit XX”.
Një person që me siguri e kupton këtë është Julia Steiner, vokalistja kryesore e grupit indi nga Çikago, Ratboys, e cila thotë se kënga e grupit, A Vision, u frymëzua nga mënyra e Conniet për të “gjetur kuptim mitik në të përditshmen” dhe për të krijuar ndjesinë e stinëve përmes vargjeve të saj. Aspekti më frymëzues i historisë së Connie Converses, thotë Steiner, është se ajo provon se shumëçka nga muzika më e mirë mund të jetë po ashtu e pashfaqur diku në një kasetë tani, duke pritur me durim në pluhur epokën e duhur për t’u rilindur.
“Dëgjimi i muzikës së Conniet më bën të pyes sa shumë art tjetër i përsosur ka humbur në errësirë, ndoshta thjesht sepse kultura jonë ende nuk kishte një kornizë për ta kuptuar ose shijuar atë”. /Telegrafi/