Një dokument i ri politikash i publikuar në prill 2026 nga organizata GERMIN bën thirrje për një qasje të re dhe më të koordinuar në angazhimin e diasporës shqiptare, duke theksuar nevojën për kalim nga komunikimi i rastësishëm në partneritet të strukturuar.
Dokumenti, i titulluar “Nga Dialogu në Veprim”, mbështetet në diskutimet e zhvilluara gjatë konferencës Diaspora Flet 2025, e mbajtur në Këln të Gjermanisë në nëntor të vitit të kaluar, ku morën pjesë organizata dhe përfaqësues të diasporës nga Evropa dhe Amerika e Veriut.
Sipas të dhënave të prezantuara, mbi 3,500 studiues shqiptarë me gradë PhD ose kandidatë për PhD jetojnë në vendet e OECD-së, ndërsa më shumë se 300 organizata të diasporës janë të shpërndara në dy kontinente.
Po ashtu, remitencat drejt Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit 2025 kapin vlerën mbi 1.1 miliardë euro për Kosovën dhe 1.4 miliardë euro për Shqipërinë.
Në dokument theksohet se diaspora tashmë luan rol të rëndësishëm jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në arsim, kulturë, diplomaci publike dhe shkëmbim të dijes. Megjithatë, sfida kryesore mbetet mungesa e një kornize të qartë institucionale që do të mundësonte një bashkëpunim më efikas.
Ndër problemet e evidentuara është edhe fragmentimi i komunikimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, i cili, sipas dokumentit, krijon paqartësi dhe mbivendosje për organizatat e diasporës.
Si përgjigje ndaj këtyre sfidave, dokumenti paraqet tre rekomandime kryesore për institucionet:
krijimin e një Qendre të Përbashkët të Burimeve për Diasporën, si pikë qendrore informacioni dhe koordinimi;
njohjen e organizatave të diasporës si partnerë strategjikë në hartimin e politikave dhe programeve;
hartëzimin e plotë të ekosistemit të diasporës dhe krijimin e një databaze funksionale për organizatat dhe aktorët relevantë.
Sipas autorëve, këto masa do të ndihmonin në përmirësimin e komunikimit institucional, uljen e fragmentimit dhe rritjen e ndikimit të diasporës në zhvillimin e vendeve të origjinës.
Në përfundim, dokumenti thekson se ekziston një kërkesë reale nga diaspora për bashkëpunim më të strukturuar, ndërsa sfida për institucionet mbetet që ky interes të përkthehet në politika të qëndrueshme dhe veprime konkrete.