Ka vetëm një gjë më të keqe se të punosh me aleatët, ajo është të punosh pa ta – Winston Churchill
Parafjalë
Të mërkurën, më 1 prill, Presidenti Trump u tha amerikanëve se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një fitore vendimtare dhe dërrmuese kundër Iranit, regjimi i të cilit kërcënonte Amerikën prej 47 vjetësh. Presidenti tha se forcat e armatosura amerikane kanë shkatërruar flotën, forcat ajrore iraniane, aftësinë e tyre për të lëshuar raketa dhe dronë, kanë dëmtuar rëndë fabrikat e prodhimit të armatimeve, komandën dhe kontrollin e Gardës Revolucionare Islamike dhe shumica e udhëheqësve nuk rrojnë më. Më tej, ai vërejti se Irani nuk është më në gjendje të përgatisë armën bërthamore dhe çmimet e naftës do të bien së shpejti. Të gjitha, objektivat ushtarake të Amerikës do të përfundojnë në dy-tri javët e ardhshme. ShBA-ja do ta godasë Iranin “jashtëzakonisht fort” sa të kthehet në epokën e gurit, aty ku e ka vendin.
Thirrje liderëve evropianë
Në veprimtari të ndryshme apo intervista në të përditshme, si “The Financial Times”, “The Telegraph”, “Fox News” etj., presidenti Trump u ka bërë thirrje liderëve evropianë të ndihmojnë ShBA-në për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën Hormuz. Evropianët ngurojnë të bashkohen në një fushatë ushtarake, e cila do të rrezikonte t’i tërhiqte në një luftë, që ata nuk e zgjodhën, nuk u konsultuan dhe paqartësia e objektivave, mund të provokonte një “zgjerim strategjik”. Disa prej tyre po shikojnë mundësinë e një koalicion ndërkombëtar për të liruar transportin detar, por vetëm pasi të kenë mbaruar luftimet.
Presidenti amerikan i ka kritikuar ashpër udhëheqësit evropianë se, në këtë mënyrë, ata nuk po vlerësojnë gjithçka që Amerika ka bërë për të mbrojtur kontinentin, dhe më tej ka deklaruar: “Nuk kemi nevojë për askënd. Ne jemi kombi më i fuqishëm në botë. Siguria e Ngushticës së Hormuzit ishte një provë, sepse, kam thënë prej vitesh, se nëse do të kishim ndonjëherë nevojë për ta (aleatët evropianë), ata nuk do të ishin aty”.
Qëndrimi evropian
Evropianët thonë: “Operacioni Furia Epike [Epic Fury] nuk është lufta jonë” dhe e kundërshtojnë përfshirjen në të. Përgjigja e tyre ka qenë e përzier, e heshtur dhe e ngatërruar. Vendet aleate e konsiderojnë të vështirë koordinimin e mbështetjes sepse ShBA-ja nisi sulmet kundër Iranit pa u konsultuar me ta. Nuk bënë asnjë përpjekje për të thirrur ndonjë lloj “koalicioni” ose për të paraqitur ndonjë argument ndërkombëtar për luftë. Megjithatë, ushtritë evropiane heshturazi kanë lejuar përdorimin e bazave të tyre për të lehtësuar operacionet. Bombarduesit, dronët dhe anijet amerikane ose kanë nisur sulme, ose janë furnizuar me karburant apo janë riarmatosur nga vende të ndryshme të NATO-s, përveç Spanjës, që e ka kundërshtuar luftën që në krye të herës.
Sot, lëvizja detare në Ngushticën e Hormuzit është e pasigurt sepse edhe një motoskaf i armatosur iranian mund të shkatërrojë një anije cisternë nafte. Marina amerikane nuk e ka mënjanuar këtë kërcënim dhe disa udhëheqës evropianë nuk e kuptojnë se si do të munden ta ndryshojnë situatën. Sidoqoftë, evropianët kanë sinjalizuar se mund të mbështesin potencialisht misionet e ardhshme ushtarake të shoqërimit në Ngushticën e Hormuzit për të mbrojtur pikën kritike detare sapo të pushojnë luftimet. Ata kanë interesa të mëdha në tregtinë e naftës, të gazit dhe pesticideve, si dhe t’u tregojnë shteteve të Gjirit se janë aleatë të besueshëm.
Presidenti Trump shënjestron NATO-n
Pos kritikave ndaj aleatëve, që refuzuan të bashkohen me valën fillestare të sulmeve përkrah ShBA-së dhe nuk bënë më shumë për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, Presidenti Trump ka diskutuar me këshilltarët e vet mundësinë e tërheqjes nga NATO ose gjetjen e mënyrave për të dobësuar angazhimin e ShBA-së ndaj Aleancës.
Në një intervistë në gazetën “The Financial Times”, tha se do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s nëse kombet evropiane nuk i bashkohen ShBA-së në përpjekjet për të rihapur rrugën ujore për tankerët që transportojnë naftë, gaz dhe plehra. Ndërsa, të përditshmes “The Telegraph” i tha se po e shqyrtonte me këmbëngulje tërheqjen e ShBA-së nga NATO-ja. Kurse, në një takim tjetër në Majami vërejti: “Ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për NATO-n, duke i mbrojtur ata, dhe do të kishim qenë gjithmonë aty për ta, por tani, bazuar në veprimet e tyre, mendoj se nuk kemi pse të jemi.”
Presidenti amerikan ka venë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e aleatëve dhe se nuk ka nevojë për ndihmë nga NATO, megjithëse për 77 vjet me radhë, Aleanca ka qenë gur themeli i sigurisë euroatlantike dhe ka promovuar interesat ushtarake të ShBA-së. Sidoqoftë, presidenti Trump nuk ka marrë asnjë vendim përfundimtar në lidhje me të ardhmen e rolit të ShBA-së në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Aleanca
NATO u themelua si një Aleancë mbrojtëse dhe të gjitha nenet e Traktatit të Uashingtonit janë të orientuara drejt mbrojtjes. Kësisoj, ajo nuk është një aleancë që kur një nga anëtarët e vet vendos të shkojë në luftë (jo të domosdoshme apo të pashmangshme), të detyrojë të gjithë të tjerët ta ndjekin. Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit i detyron aleatët të mbrojnë njëri-tjetrin në rast sulmi dhe u zbatua kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan nga terroristët më 11 shtator 2001. Të nesërmen, më 12 shtator, NATO aktivizoi dispozitat e vetëmbrojtjes kolektive të parashikuara në Nenin 5.
Ky vendimi u mor me iniciativën e vetë NATO-s, pa ndonjë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara dhe është e vetmja herë në historinë e vet që Aleanca aktivizoi dispozitat e mbrojtjes kolektive si shprehje e fuqishme e solidaritetit dhe unitetit transatlantik. Kjo frymë solidariteti dëshmon qëndrueshmërinë e komuniteteve tona dhe të vlerave tona themelore përballë kërcënimeve të drejtpërdrejta. Ajo u mundëson anëtarëve të vet në të dy anët e Atlantikut të konsultohen dhe të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes dhe të pengojnë agresionin nga kundërshtarët e mundshëm. Tërheqja e ShBA-së nga NATO do t’i shërbente vetëm Rusisë, Iranit dhe Kinës. Shkatërrimi i NATO-s ka qenë qëllimi kryesor i strategjisë ruse që nga formimi i aleancës në vitin 1949. Rusia dhe Irani po punojnë së bashku kundër Perëndimit, ndajnë armë, veçanërisht dronë dhe raketa. Rusia po i ofron Iranit inteligjencë kundër objektivave amerikane.
Në këtë situatë të pështjelluar, kur kërcënohet elementi thelbësor i Aleancës: “uniteti”, misioni i sekretarit të përgjithshëm është ta mbajë NATO-n të sigurt, prandaj këto ditë, ai do të udhëtojë për në Uashington, ku do të takohet me presidentin Trump. Çdo veprim i vendit më të fuqishëm të NATO-s për t’u larguar nga Aleanca ose për të ulur marrëdhënien e tij me 31 anëtarët e tjerë do t’i jepte goditjen strategjike më të madhe që ka pësuar ndonjëherë NATO që, për tetë dekada, ka qëndruar si Aleanca ushtarake më e madhe, më e fuqishme dhe më e suksesshme në botë. Kjo do të trondiste themelet e rendit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe do të përshkallëzonte krizën midis ShBA-së dhe Evropës, e cila do të ndikonte në luftën e Ukrainës për pavarësi dhe te përpjekjet e Danimarkës për të mbrojtur Grenlandën nga përpjekjet aneksioniste.
Pas një interviste që sekretari i përgjithshëm Rutte i dha stacionit televiziv CBS, e cila po e përball me reagime negative, një sërë personalitetesh politike dhe ushtarake euroatlantike shprehen se Rutte po bën atë që duhet të bëjë, prania e Shteteve të Bashkuara në NATO është thelbësore dhe puna e tij është të forcojë unitetin, edhe pse Kongresi amerikan në vitin 2023 miratoi një ligj që ndalon presidentin të tërheqë në mënyrë të njëanshme ShBA-në nga NATO. Por, pavarësisht nëse presidenti Trump do t’i zbatojë ndonjëherë kërcënimet e tij ndaj NATO-s, vërejtjet e tij janë një tjetër paralajmërim se Evropa duhet të përshpejtojë investimet e saj në mbrojtje.
NATO dhe Bashkimi Evropian mbështesin ShBA-në
Ndërsa shumë udhëheqës evropianë kanë kritikuar publikisht sulmet e ShBA-së ndaj Iranit, bazat e tyre ushtarake po luajnë një rol mbështetës vendimtar: po lehtësojnë një nga operacionet më komplekse logjistike, ku ushtria amerikane është përfshirë për dekada. Komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Alexus Grynkewich, i tha Senatit se shumica e aleatëve evropianë “kanë qenë jashtëzakonisht mbështetës”. Evropa është themeli i projektimit të forcës amerikane në botë dhe çdo veprim për të prerë këto lidhje “do të ishte një humbje e madhe për SHBA” vlerësojnë ekspertët në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Kryeministri Starmer ka pohuar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tërhiqej në një luftë në shkallë të plotë në Iran, por do të bashkëpunonte me aleatët për një “plan kolektiv të qëndrueshëm” për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. Britania e Madhe i ka lejuar ShBA-së të përdorë bazat e veta [RAF Fairford, Akrotiri dhe Diego Garcia], nga ku bombarduesit e rëndë B-1 dhe B-52 kanë ngarkuar municione, karburant dhe kanë kryer veprimtari taktike me rreze të gjatë veprimi. Aeroplanë luftarakë britanikë kanë kryer patrullime mbrojtëse mbi vendet e Gjirit, duke rrëzuar dronë dhe raketa iraniane, që synonin aleatët e ShBA-së në rajon. Po kështu, Ushtria britanike dërgoi një ekip të vogël planifikuesish në Komandën Qendrore të ShBA-së në MekDill, Tampa, Floridë, për të ndihmuar në planifikimin e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, që mendohet se është e minuar.
Gjermania ka ndjekur një linjë të kujdesshme dhe pragmatike. Kancelari Friedrich Merz lejoi forcat amerikane të përdorin bazat e tyre të shumta në Gjermani që nga fillimi i luftimeve. Baza Ajrore Ramstein është një qendër kritike e të gjithë operacionit në Lindjen e Mesme: nyje qendrore për komandën, komunikimet dhe transmetimin e të dhënave. Ramstein është kthyer në një urë ajrore të pandërprerë ndërmjet ShBA-së, Evropës dhe Gjirit, nga ku aeroplanë C-17 dhe C130J transportojnë personel, municione dhe pajisje. Instalime të tjera amerikane në Gjermani, si Baza Ajrore Spangdalem dhe Shtutgarti luajnë role mbështetëse strategjike.
Franca lejoi përdorimin e Bazës Ajrore Istres-Le Tubé për furnizim me karburant, por nuk lejoi të fluturonin mbi territorin e vet aeroplanët të ngarkuar me furnizime ushtarake, që shkonin për në Izrael. Një numër anijesh detare franceze, përfshirë aeroplanmbajtësen bërthamore “Charles de Gaulle” po qëndrojnë në Mesdheun lindor me mision mbrojtës që, sapo të mbarojnë luftimet, Franca të ketë mundësi të ndihmojë në mbrojtjen e lundrimit. Po kështu, presidenti Macron po punon për një “mision të përbashkët ndërkombëtar për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të shoqëruar anijet” pas paqëndrueshmërive të konfliktit.
Në bazën ajrore në Aviano qëndrojnë aeroplanë furnizimi me karburant, të cilët lehtësojnë misionet e bombardimit me rreze të gjatë kundër Iranit, ndërsa një fregatë raketore italiane po shoqëron aeroplanmbajtësen franceze. Edhe Italia refuzoi aeroplanët luftarakë amerikanë të ulen në bazën Sigonella në Sicili, pasi nuk arriti të marrë miratimin e parlamentit.
Gjiri i Sudës, Kretë, është një nga bazat e pakta në Mesdhe, nga ku ngrihen aeroplanë spiunë amerikanë për të mbledhur inteligjencë në Iran. Po kështu, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, “USS Gerald R. Ford”, është ankoruar në një bazë detare në Kretë. Baza Ajrore Portugeze Lajes, në Ishullin Terceira ka shërbyer si një qendër e madhe logjistike për operacionet amerikane dhe kohët e fundit ka pritur dhjetëra aeroplanë amerikanë për furnizim me karburant.
Spanja, qysh në krye të herës, ka refuzuar të autorizojë aeroplanët ushtarakë amerikanë të përdorin bazat ose hapësirën e vet ajrore për operacione që lidhen me konfliktin në Iran: ne nuk duhet të bëjmë asgjë që shton tensione të mëtejshme, përshkallëzim të mëtejshëm, thonë liderët spanjollë.
Ish-ambasadori amerikan në NATO, Burns, vëren se një nga gabimet themelore të Trumpit është mënjanimi i aleatëve: “Nëse e përgatit terrenin diplomatikisht, edhe nëse nuk duan të luftojnë përkrah teje, ata e kuptojnë strategjinë tënde dhe do të marrësh shumë më tepër mbështetje”. Kurse disa analistë vërejnë se Evropa mund të kontribuonte për të hapur ngushticën me minapastrues ose anije të tjera luftarake. Në këtë rast asetet ushtarake të Evropës janë dytësore në krahasim me vlerën e mbështetjes politike.
Epilog
Është krejtësisht normale të kesh mendime të ndryshme kur formon një familje të madhe prej 32 anëtarësh të dallueshëm. Ndonjëherë shkëmbehen fjalë, mund të ketë konfrontime, si në çdo familje. Por fakti është se për shtatëdhjetë e shtatë vjet, askush nuk ka guxuar të sulmojë ndonjërin prej tyre. Është krejtësisht e qartë se kushdo që sulmon një nga anëtarët tanë do të kishte shumë më tepër për të humbur sesa për të fituar.