Blake Lively nuk do të tërheqë padinë e saj ndaj Justin Baldonit, pavarësisht që pretendimet e ngacmimit seksual u hodhën poshtë nga gjykata këtë javë.
Aktorja 38-vjeçare, e cila ngriti padinë në dhjetor 2024, reagoi në Instagram duke falënderuar vendimin e gjyqtarit dhe duke kritikuar abuzimin online që ka përjetuar.
Lively mund të vazhdojë me pretendimet për hakmarrje, ndihmë në hakmarrje dhe shkelje të kontratës, shkruan DailyMail.
Ajo tha: “Jam mirënjohëse që gjykata lejon që thelbi i çështjes time t’i paraqitet një jurie muajin e ardhshëm dhe të tregoj historinë time të plotë, për hir të vetes dhe të tjerëve që nuk kanë të njëjtën mundësi.
Aktorja shtoi se nuk donte kurrë të ishte pjesë e një padie, por e bëri këtë për shkak të “hakmarrjes bindëse” dhe për të siguruar një mjedis pune të sigurt për veten dhe të tjerët. Ajo paralajmëroi për abuzimin dixhital dhe efektin e tij te fëmijët dhe komunitetet: “Dhimbja nga dhuna dixhitale është reale, e përhapur dhe e dëmshme”.
Blake theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes dhe guximit për të folur hapur: “Nuk do të ndalem kurrë së bërë pjesën time për të ekspozuar sistemet dhe njerëzit që dëmtojnë dhe turpërojnë viktimat”.
Avokati i saj, Mike Gottlieb, deklaroi se gjykata ka vlerësuar se Lively ka ofruar prova të mjaftueshme për pretendimet e saj të tjera, duke përfshirë ankimin për një mjedis pune armiqësor bazuar në gjini.
Ai shtoi: “Hakmarrja që znj. Lively përballoi për shkak se foli privatisht për një mjedis pune të sigurt ka qenë gjithmonë zemra e çështjes së saj”.
Lively pritet të dalë në gjyq më 18 maj, ku historia e saj do të shqyrtohet nga një juri. /Telegrafi/