Aktorja Blake Lively ka folur pasi një gjykatë rrëzoi shumicën e akuzave në padinë e saj kundër Justin Baldonit, duke theksuar se është mirënjohëse që akuzat e mbetura për ndihmë dhe inkurajim në hakmarrje dhe shkelje të kontratës do të shkojnë para një jurie muajin tjetër.
Blake Lively theksoi se ngritja e padisë nuk ishte dëshira e saj, por një hap i nevojshëm për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga hakmarrja.
“Gjëja e fundit që kam dashur ndonjëherë në jetën time ishte një padi, por e ngrita këtë padi për shkak të hakmarrjes së përhapur me të cilën jam përballur dhe vazhdoj të përballem, pasi privatisht dhe profesionalisht kam kërkuar një mjedis pune të sigurt për veten dhe të tjerët”, shkroi Lively në Instagram Story më 3 prill.
Ajo shtoi: “Shpresoj që vendimi i gjykatës t’u tregojë të tjerëve se, pavarësisht sa e dhimbshme është, gjithmonë mund të flasësh hapur.”
Aktorja gjithashtu paralajmëroi publikun të mos e nënvlerësojë seriozitetin e dhunës dixhitale nga e cila është prekur.
“Etiketimi i vazhdueshëm i kësaj padie si ‘dramë me personazhe të famshëm’ nuk është vetëm i papërgjegjshëm, por edhe i qëllimshëm – qëllimi është t’ju pengojë të identifikoheni me historinë time. Dhimbja fizike e dhunës dixhitale është shumë reale. Është abuzim dhe është kudo”, theksoi ajo.
Foto: Screenshot/ Instagram
Lively theksoi se raste të tilla nuk kufizohen vetëm tek personazhet e famshëm.
“Nëse e vini re, paditë e mia nuk do të jenë shembujt e parë ose të fundit të rreziqeve ekstreme të hakmarrjes dhe luftës dixhitale, dhe ato shpesh nuk do të synojnë personazhe të famshëm ose ata që kanë mundësi të flasin hapur”, tha ajo.
Si nënë e katër fëmijëve – James (11), Inez (9), Betty (6) dhe Olin (3) – të cilët i ka me bashkëshortin e saj Ryan Reynolds, Lively u bëri thirrje prindërve që t’i kushtojnë vëmendje sigurisë dixhitale të fëmijëve të tyre.
“Nëse keni fëmijë që përdorin telefona, ata janë ndër më të prekshmit. Mbrojini ata. Flisni me ta”, shtoi ajo.
Ish-ylli i serialit “Gossip Girl” theksoi se qëllimi i saj përmes gjyqit është të punojë drejt krijimit të një sigurie më të madhe.
“Nuk do të ndalem kurrë së luftuari për të ekspozuar sistemin dhe njerëzit që kërkojnë të dëmtojnë, turpërojnë, heshtin dhe hakmerren ndaj viktimave. E di që është një privilegj të jem në gjendje të ngrihem. Nuk do ta shpërdoroj atë”, tha ajo.
Duke iu drejtuar fansave, ajo shtoi: “Mbështetja juaj më jep forcë.”
Le të kujtojmë se Lively ngriti padinë për herë të parë në dhjetor 2024, duke akuzuar Baldonin për ngacmim seksual në sheshxhirimin e adaptimit të romanit të Colleen Hoover, por edhe për nisjen e një fushate shpifjeje kur ajo foli hapur. Baldoni i mohoi akuzat dhe kundërpadia e tij u rrëzua qershorin e kaluar.
Gjykatësi Lewis J. Liman e hodhi poshtë pretendimin e Lively-t për ngacmim seksual sepse nuk kishte “lidhje të konsiderueshme” me Kaliforninë, ndërsa pretendimi nuk binte nën Aktin Federal të të Drejtave Civile, sepse Lively ishte një kontribuese e pavarur, jo një punonjëse.
Avokatja e Blake Lively, Sigrid McCawley, tha se padia do të vazhdojë të përqendrohet në hakmarrjen shkatërruese dhe hapat ekstremë të ndërmarrë nga të pandehurit.
“Për Blake Lively, drejtësia më e madhe është ekspozimi i njerëzve dhe manualeve që qëndrojnë pas këtyre sulmeve të koordinuara dixhitale, të cilat tashmë po u përgjigjen grave të tjera që ata kanë shënjestruar. Ajo mezi pret të dëshmojë në gjyq dhe të vazhdojë të hedhë dritë mbi këtë formë të rrezikshme të hakmarrjes online në mënyrë që të jetë më e lehtë për ta zbuluar dhe luftuar atë”, tha ajo. /Telegrafi/