Komuna e Kamenicës ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet dhe objektet pa leje, me qëllim kthimin e tyre në shërbim të qytetarëve.
Sipas njoftimit, ky veprim vjen pas përfundimit të afatit të caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, e cila po udhëheq procesin në terren.
Nga komuna bëhet e ditur se në kuadër të planit operacional janë identifikuar mbi 80 objekte pa leje, ndaj të cilave do të ndërhyhet për lirimin e hapësirave të përbashkëta.
Autoritetet komunale kanë theksuar se çdo ndërtim që cenon hapësirat publike do të largohet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Njëkohësisht, u është bërë thirrje qytetarëve dhe investitorëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të pajisen me lejet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Nga Komuna e Kamenicës është theksuar se respektimi i ligjit dhe rregullit mbetet thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. /Telegrafi/