Lidhja Shqiptare ka reaguar ndaj siç thonë dhunën e ushtruar nga ana e pjestarëve të policisë ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup, që sipas informacioneve nuk është rast i izoluar dhe as i pari.
“Sjellja e këtillë e kriminelëve të veshur me petkun e policisë nuk është asgjë tjetër vetëm se represion i aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve, ngjashëm si në kohën e Gruevskit kur po e njëjta polici nga njëra anë dhe huliganë maqedonas nga ana tjetër, ushtronin dhunë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Shkup dhe jo vetëm”.
“Ky rast nuk duhet të kalojë vetëm me hetime dhe sanksionime diciplinore ndaj policëve, por të shqyrtohet si një vepër e rëndë penale dhe autorët të marin dënimin e merituar, ndërsa përveç autorëve të këtij krimi duhet të ketë edhe përgjegjësi komanduese e politike nga drejtuesit e “MVR-VMRO” dhe dorëheqje të menjëhershme të Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendës ministrit, Astrit Iseni”, thonë nga LSH.
Lidhja Shqiptare ju bën thirrje edhe përfaqësuesve diplomatik të vendeve evropiane, SHBA dhe BE, që të reagojnë për të parandaluar siç thonë, skenarët e errëta anti shqiptare të këtij pushteti policor.
“I bëjmë thirrje poashtu misionit të OSBE-së, Komitetit të Helsinkut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që të evidentojë dhe raportojë dhunën kriminalo-policore ndaj të rinjve shqiptare të cilëve u janë cënuar edhe të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën e jetës dhe shëndetit. Për këtë qëllim Lidhja Shqiptare u është drejtuar me një letër zyrtare përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vend”, thonë nga LSH.