Imunoterapia është një nga trajtimet inovative që po përdoret në onkologjinë moderne, por për shumë qytetarë mbetet ende një term jo plotësisht i kuptueshëm.
Për këtë temë ka folur Arben Bislimi, onkolog, në podcastin “Shëndeti në rend të parë” i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati, ku u diskutua për kancerin, diagnostikimin e hershëm, parandalimin dhe trajtimet e sotme.
I pyetur se çka është konkretisht imunoterapia dhe në cilat raste përdoret, Bislimi tha se ajo është një nga format inovative të trajtimit, e cila përdoret në rrethana të caktuara.
“Është një prej terapive të menaxhimit inovativ, që përdoret në rrethana të caktuara”, tha ai.
Sipas tij, imunoterapia nuk funksionon duke e sulmuar drejtpërdrejt tumorin, por duke aktivizuar mekanizmat mbrojtës të vetë organizmit.
“Në fakt është nxitje e mekanizmave imunë të organizmit për të trajtuar sëmundjen”, shpjegoi Bislimi.
Onkologu tha se qelizat malinje, në disa raste, arrijnë të shmangin mekanizmat natyrorë mbrojtës të trupit, duke vazhduar rritjen dhe shumimin e tyre.
Ai e përshkroi këtë si një proces ku qelizat malinje mund të jenë “më të mençura” se mekanizmat rregullatorë të organizmit.
“Nganjëherë janë më të mençura sesa mekanizmat rregullatorë që ka organizmi”, tha ai.
Në këtë pikë hyn roli i imunoterapisë, e cila sipas Bislimit, synon t’i “zgjojë” mekanizmat imunë të trupit, në mënyrë që ata të detektojnë qelizat malinje dhe të pengojnë zhvillimin e tyre të mëtejshëm.
Të neglizhosh një ndryshim të pazakontë në trup sot është e pafalshme? Sqaron onkologu Arben Bislimi

“Duke i zgjuar nga gjumi mekanizmat imunë që kemi përmes këtyre imunoterapive, për të detektuar dhe për të mos i dhënë mundësinë të vazhdojnë më tutje në rritje të aktivitetit të këtyre qelizave”, u shpreh ai.
Bislimi sqaroi se imunoterapia vepron në mënyrë indirekte, përmes forcimit apo aktivizimit të sistemit imunitar, dhe jo si një trajtim që e godet tumorin në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Nuk është se e luftojmë direkt tumorin përmes imunoterapisë, por përmes nxitjes së këtyre mekanizmave imunë”, tha ai.
Sipas tij, kjo mënyrë e trajtimit ndihmon që të ulet potenciali zhvillimor i qelizave malinje, duke i dhënë organizmit një rol më aktiv në përballjen me sëmundjen.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com