Një rrëfim mes pentagramit dhe radios, nga meloditë e shkruara në qoshe gazetash te sfidimi i tabuve dhe mbrojtja e shpirtit urban të Prishtinës përmes këngës autentike
Ka personalitete që zërin e tyre e kanë shndërruar në kujtesë kolektive. Por ka edhe të tillë, si Selvete Krasniqi Ismaili, që përtej interpretimit, kanë ndërtuar themelet e shijes muzikore në Kosovë. Si kompozitore, redaktore dhe “gardiane” e vlerave në Radio Kosovë (RTP dhe RTK), ajo i përket asaj epoke kur kënga nuk bëhej për klikime, por për të mbetur.
Në këtë bisedë, ajo nuk sjell vetëm kujtime, por një rrëfim të thellë për muzikën, kohën dhe identitetin. Nga magjia e “Akordeve të Kosovës” dhe ditët kur muzika e Shqipërisë dëgjohej me censurë, te guximi për t’u bërë një ndër gratë e para kompozitore në një botë të dominuar nga burrat, zbërthen çfarë e bën një këngë të qëndrojë.
Sot, mes qetësisë së Gërmisë dhe kujtesës së 46 viteve punë, zonja Selvete rrëfen pse autenticiteti mbetet e vetmja rrugë për të mbetur në art. Ky është profili i një artisteje që profesionin e ktheu në mision, dhe tingullin në identitet.
Çdo rrugëtim i madh nis me një tingull që mbetet në kujtesë. Kur e kuptuat për herë të parë se zëri juaj nuk do të ishte vetëm një pasion brenda mureve të shtëpisë, por profesioni dhe misioni i jetës suaj?
Selvete: Fillimisht mendoj që talenti im ka qenë edhe i trashëguar. Nga ana e nënës sime, sidomos nga vëllezërit e saj, muzika ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së përditshme. Ata i konstruktonin vetë instrumentet dhe pothuajse në çdo mbrëmje në shtëpinë e tyre krijohej një lloj orkestre, këndonin të gjithë bashkë dhe atmosfera ishte gjithmonë festive. Edhe nëna ime, megjithëse e pashkolluar, e ka dashur shumë muzikën. Nuk është kufizuar vetëm te folklori me të cilin është rritur, por ka pasur një shije të hapur edhe për zhanre dhe kultura të tjera muzikore. Gjatë shkollimit tim, kur u ekspozova edhe ndaj muzikës klasike, ajo e ka ndjekur me shumë interes. Ka pasur një ndjeshmëri të veçantë për të bukurën dhe për artin në përgjithësi.
Talenti nuk mjafton. Ndikim shumë të madh ka pasur mësuesja ime e shkollës fillore, Dilavere Venhari. Ka qenë një pedagoge jashtëzakonisht e mirë, me një metodë shumë të veçantë. Edhe sot do të ishte vështirë të gjendej dikush si ajo.
Ajo nuk i shikonte nxënësit vetëm përmes notave. Edhe kur dikush nuk ishte i dalluar në matematikë apo në ndonjë lëndë tjetër të veçuar, ajo dinte ta vlerësonte për atë që ishte. Si fëmijë, kjo më ka bërë të ndihem e lirë dhe vetvetja. Ishte një mënyrë edukimi që të hiqte çdo kompleks dhe të jepte hapësirë me u shprehë.
Ishte pikërisht ajo që e vërejti talentin tim. Në çdo festë apo aktivitet, ajo organizonte shfaqje dhe secili merrte rolin sipas prirjes. Unë gjithmonë isha te kënga. Pastaj vazhdova edhe në korin e shkollës dhe dëshira për muzikën vetëm po rritej.
Sa i përket tingullit që më ka mbetur në kujtim, lidhet prapë me të. Ajo ishte nga Ulqini dhe këndonte shpesh këngë shkodrane me një zë shumë të bukur. Ato këngë më kanë mbetur në zemër dhe ndoshta mund të cilësohen si inspirimet e mia të para, apo shkëndijat e para. Prej asaj kohe, mendoj që në një mënyrë e kam zgjedhur rrugën time.
Pas këtij fillimi, ju u bëtë pjesë e festivalit në kohën kur ai ishte busulla e vetme e vlerave, çfarë i mungon më së shumti skenës aktuale nga ajo disiplinë dhe ai emocion i dikurshëm?
Selvete: Vitet ’70 dhe ’80 kanë qenë vitet e arta të muzikës tek ne. Deri atëherë jemi mbështetur shumë në muzikën që vinte nga Shqipëria, ku kishte një krijimtari më të zhvilluar. Edhe pse dëgjimi i saj shpesh ishte i censuruar, ne gjithmonë gjenim mënyra alternative për ta dëgjuar. Depërtimi i saj tek ne ishte i pashmangshëm dhe në njëfarë mënyre e kemi parë si një standard krijues. Me krijimin e festivalit “Akordet e Kosovës”, skena jonë filloi të zhvillohej edhe më shumë.
Festivali kishte tri zhanre, për fëmijë, popullore dhe muzikë të lehtë, dhe në njëfarë mënyre ekzistonte një vetëdije e përbashkët, por edhe ishin kritere të qarta të festivalit që krijimi të mbështetej në melosin burimor. Kjo nuk e përjashtonte zhvillimin apo ndikimet e reja, sepse muzika natyrisht ndryshon me kohën.
Por ajo që mendoj se mungon sot është pikërisht kjo lidhje me burimin. Kur ke një folklor kaq të pasur dhe nuk e shfrytëzon, humb një mundësi shumë të madhe. Sepse aty qëndron ajo që është e jotja, ajo që të dallon.
Për mua, vlera e muzikës burimore është se të jep mundësinë me sjellë diçka autentike në botë. Jo vetëm për publikun këtu, por edhe më gjerë, sepse autenticiteti është ajo që e pasuron kulturën muzikore në përgjithësi.
E vlerësoj sinqeritetin në krijim. Dhe sinqeriteti gjithmonë kalon. Sot shpesh e shoh që mungon kjo qasje, jo vetëm forma, por edhe përmbajtja. E për mua, autenticiteti dhe sinqeriteti janë të lidhura ngushtë mes vete.
A kujtoni ndonjë moment nga prapaskena e “Akordeve”, një frikë para skenës apo një bisedë mes artistësh, që sot ju duket si pjesë e një epoke të artë që nuk kthehet më?
Selvete: “Akordet” mbi të gjitha kanë qenë festë. Në korridoret e Radios, ku bëhej gjithë përgatitja, kishte gjithmonë këngë, zhurmë, jetë. Procesi zgjaste, por atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Më kujtohet kur kompozova këngën time të parë “Balluket e Mia” dhe mora pjesë për herë të parë në festival, në vitin 86. Gjatë provave, dëgjoja këngën time duke u kënduar në korridore. Ajo ndjenjë më dha një shpresë të madhe. Ishte hera e parë që prezantohesha si kompozitore.
Si kompozitore që keni parë lindjen e këngës nga nota e parë deri te interpretimi, cila është “formula” juaj për të krijuar muzikë që i mbijeton dekadave?
Selvete: Nuk besoj shumë në formulë. Është inspirimi dhe momenti. Unë asnjëherë nuk jam ulur të shkruaj me detyrim. Kënga ka ardhur te unë dhe unë kam reaguar menjëherë. Shpesh kam marrë një copë letër çfarëdo, edhe nga gazeta, kam vizatuar në qoshe të gazetës një pentagram për ta shkruar melodinë që të mos më ikë. Ndonjëherë vinte bashkë me tekstin, por shpesh vetëm si melodi. Ndoshta ajo që e bën një këngë të qëndrojë është një kombinim: inspirimi, koha, tema dhe pranimi nga publiku. Por mbi të gjitha, origjinaliteti.
A ka ndonjë këngë nga krijimtaria juaj, si autore apo interpretuese, që e konsideroni si pasqyrën më besnike të shpirtit tuaj artistik?
Selvete: Është vështirë të zgjedh vetëm një, por ndoshta “Balluket e mia” për shkak të temës muzikore që mendoj që është karakteristike.
Në “hartën” e rrethit krijues të muzikës së lehtë, duke kujtuar emra si Krist Lekaj, cilët njerëz ju sfiduan më shumë dhe kush ishte kritiku juaj më i ashpër?
Selvete: Kritikat kryesisht kam hasur gjatë shkollimit, ashtu siç edhe pritet të ndodhë. Ndërsa më vonë, kritika konstruktive kanë ardhur nga kolegët dhe familjarët, njerëz që i kam pasur afër, i kam dashur dhe me të cilët kam diskutuar për krijimet e mia. Janë të domosdoshme.
Si grua kompozitore në një ambient që dikur dominohej nga burrat në prapaskenë, a u desh të luftonit dyfish për të mbrojtur vizionin tuaj si autore?
Selvete: Po, e kam të njohur ndjenjën apo perceptimin e idesë se krijimi muzikor është më shumë fushë e burrave. Edhe ashtu ishte atë kohë. Dominohej pothuajse në tërësi nga ta. Kjo natyrisht na ka bërë neve grave që ta nënvlerësojmë veten. Megjithatë unë u futa në komunitetin e kompozitorëve. Natyrisht se përveç faktorëve të shumtë të tjerë siç mund të jetë karakteri im, rrethi im, familja etj., kishte edhe diçka tjetër që më motivoi. Rrugën veçse e kishin trazuar dy kompozitoret e mirënjohura gra, Sevime Gjinali dhe Pranvera Badivuku. Ato në një mënyrë kanë dhënë një lloj sigurie që kjo është e mundur.
Muzika e viteve ’70 e ’80 ishte deklaratë kulturore, a mendoni se “shpirti urban” i Prishtinës po mbytet sot nga rrymat që nuk kanë asnjë lidhje me rrënjët tona?
Selvete: Fillimisht, nuk mendoj që shpirti urban i Prishtinës po humbet, por që po zhvillohet dhe ndryshon në mënyrë të natyrshme. Sot ka shumë më tepër diversitet krijues dhe, në të njëjtën kohë, jemi shumë më të lidhur me zhvillimet muzikore botërore. Pavarësisht periudhave të izolimit që kemi kaluar, sot jemi tërësisht të përfshirë në kulturën globale, por edhe krijimet tona po arrijnë të udhëtojnë dhe të prezantohen jashtë. Në këtë kuptim, është e vështirë të flitet për një “mbytje” të shpirtit urban. Megjithatë, ajo që mund të vërehet është se shpesh ajo që dëgjojmë nuk ka shumë lidhje me kontekstin tonë kulturor.
Unë nuk kam asgjë kundër zhvillimeve të reja, përkundrazi, muzika duhet të ndryshojë dhe të evoluojë. Edhe sot tek ne ka krijimtari shumë të vlefshme dhe autentike, sepse ekziston më shumë hapësirë për shprehje dhe ka shumë artistë që sjellin vlera.
Por te muzika popullore, mendoj që duhet të ruhet dhe të eksplorohet më shumë origjinaliteti, si dhe të kërkohet një qasje më e sinqertë në krijim. Sepse pikërisht aty qëndron ajo që e bën një muzikë me vlerë, jo vetëm forma, por edhe ndjenja dhe vërtetësia që përcjell.
Ndoshta ajo që mund të shtoj është se vitet ’70 dhe ’80 kanë qenë një periudhë lulëzimi e zhvillimit muzikor, e cila u ndërpre gjatë viteve ’90. Aty, në njëfarë mënyre, arti në përgjithësi, jo vetëm muzika, pësoi një stagnim dhe rrjedha e zhvillimit ndryshoi.
Deri vonë keni pasur në dorë “pultin” e Radio Kosovës, a ishit një redaktore “dorështrënguar” me cilësinë apo kishit mirëkuptim për hapat e parë të të rinjve?
Selvete: Gjithmonë i kam dhënë përparësi muzikës me vlera, duke pasur parasysh që radioja, në njëfarë mënyre, është udhërrëfyese e shijes artistike për publikun. Megjithatë, gjithmonë kam pasur mirëkuptim dhe kam dhënë kurajë për këngëtarët dhe krijuesit e rinj. Mendoj që është shumë e rëndësishme të mbështeten, por pa bërë kompromis me cilësinë.
Nga magnetofonët me shirit te epoka digjitale, a mendoni se teknologjia e ka “ftohur” emocionin e transmetimit apo thjesht e ka lehtësuar rrugën te dëgjuesi?
Selvete: Nuk mendoj që teknologjia i ka ftohur emocionet. Përkundrazi, ajo ka krijuar mundësi shumë më të mëdha për të arritur te muzika dhe për ta ndjekur atë. Sot është shumë më e lehtë të jesh në kontakt me muzikën më të re dhe kjo sjell shumë për dëgjuesin.
Tani që korridoret e zhurmshme janë zëvendësuar me qetësinë e shtëpisë, a ju mungon ai “stresi i bukur” i minutave të fundit para se drita e kuqe e studios të ndizet?
Selvete:Normal që më mungon. Ai momenti para emisionit, ajo përgjegjësi. Por është privilegj për këdo që e ka përjetuar atë ndjenjë, sidomos kur gjithçka shkon siç duhet dhe ajo që ke planifikuar transmetohet te dëgjuesi.
Si e keni plotësuar mungesën e adrenalinës së punës, a ka ndonjë hobi apo pasion të fshehur që nuk e kemi ditur kurrë për ju?
Selvete: Dal shpesh me veturë, vozis rreth Prishtinës, shkoj në Germi. Gjithmonë me muzikë, shpesh muzikë të huaj, me zë pak më të lartë se zakonisht. Ajo më relakson shumë dhe më kthen në shtëpi me disponim tjetër.
Zonja Selvete, duke ju parë sot me një energji që duket se sfidon çdo nocion të pensionit, nëse do t’ju ftonin për të realizuar një emision krejtësisht tuajin “për shpirt”, si do ta konceptonit përzgjedhjen e muzikës dhe stilit në të?
Selvete: Jam ndjerë që pensionimi im ka ardhur para kohës, megjithëse ka ardhur ashtu siç ju vjen të gjithëve. Tek unë, pas 46 viteve pune pa ndërprerje. Por me shumë kuriozitet do ta pranoja përsëri një emision. Sa i përket muzikës, do ta përzieja shijen time, që është mjaft e larmishme. Nuk do të kufizohesha në një stil.
Sot, kur e shihni veten në pasqyrë, çfarë i thoni vetes për rrugëtimin artistik dhe për gjithçka që muzika ju ka dhënë?
Selvete: Duke e parë gjithë rrugën, punën në radio, në arsim gjatë viteve ’90, si kompozitore dhe si udhëheqëse e grupeve muzikore, mendoj që jam e plotësuar profesionalisht. Nëse njeriu ka një talent, është privilegj. Unë kam pasur fatin të merrem gjithë jetën me atë që kam dashur më së shumti. Puna më ka dhënë kënaqësi dhe këtë nuk e marr si të mirëqenë, por e vlerësoj dhe ndihem shumë e lumtur. Jam realizuar plotësisht. /Telegrafi/