Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë, duke i akuzuar ata për mungesë konsistence dhe instrumentalizim politik të çështjes.
Ajo theksoi se përfaqësuesit e opozitës nuk kishin marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Tri ditë që ndryshuan historinë” për Prekazin, pavarësisht ftesës zyrtare.
“Kur më 6 mars, nën patronatin e Kryetares së Kuvendit, u hap ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë” për Prekazin në shënim të Epopesë së UÇK-së, deputetët e opozitës nuk iu përgjigjën fare ftesës për të marrë pjesë dhe as nuk erdhën në aktivitet”, ka shkruar Kryeziu-Hyseni.
Sipas saj, reagimet e tanishme të opozitës janë të vonuara dhe jo të sinqerta.
“Sot, të njëjtët dalin dhe kërkojnë ‘llogaridhënie’ e vëmendje institucionale. Janë po këta që për 20 vjet në pushtet nuk kanë bërë asnjë hap elementar për dokumentimin e plotë të krimeve dhe masakrave në Kosovë, të njëjtit që kundërshtuan themelimin e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”, tha ajo.
Kryeziu-Hyseni kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, opozita ka trajtuar çështjen e krimeve të luftës ndër vite.
“Për vite me radhë kanë folur me shifra të paqarta, pa standard, pa përgjegjësi. Dhe sot, në vend të reflektimit, zgjedhin zhurmën dhe sulmin”, u shpreh deputetja.
Në fund, ajo theksoi se qëllimi i opozitës nuk është drejtësia apo kujtesa institucionale, por sulmi politik ndaj qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Kjo tregon qartë se qëllimi nuk është drejtësia, kujtesa institucionale apo kujdesi ndaj viktimave dhe familjarëve, por goditja e qeverisë dhe e kryeministrit Albin Kurti. Ky është oportunizmi i tyre, instrumentalizimi i çdo gjëje, madje edhe i dhimbjes tonë më të madhe sa për të dhënë një goditje ndaj kundërshtarëve politikë”, tha ajo. /Telegrafi/