Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka propozuar që Firuza Kallaba të nderohet me titullin “Emblema e Kamenicës”, si dhe që një rrugë në këtë komunë të marrë emrin e saj.
Në një postim në Facebook, Rahimaj bëri të ditur se këto dy kërkesa i ka paraqitur para Kuvendit Komunal në përvjetorin e 27-të të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe.
“Pikërisht sot, në përvjetorin e 27-të të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, kam paraqitur dy kërkesa para Kuvendit Komunal”, ka shkruar ai.
Rahimaj theksoi se 24 Marsi mbetet një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën.
“Për Kosovën, 24 Marsi mbetet një ditë e kujtesës dhe mirënjohjes së thellë, një ditë që ndezi një fije shprese për një të ardhme që deri atëherë dukej vetëm një ideal”, u shpreh ai.
Duke folur për figurën e Firuza Kallabës, ai vlerësoi kontributin e saj në ndërhyrjen e NATO-s gjatë luftës në Kosovë.
“I tillë është kontributi i Firuza Kallaba. Ajo, si pilote shqiptare, është e njohur për kontributin e saj në misionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe rolin vendimtar gjatë ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999”, ka theksuar Rahimaj.
Sipas tij, Kallaba ka shërbyer si pilote në misionet e furnizimit me karburant në ajër për avionët luftarakë, duke realizuar dhjetëra misione gjatë kësaj periudhe.
“Gjatë ndërhyrjes, shërbeu si pilote në misionet e furnizimit me karburant në ajër për avionët luftarakë, një rol kyç që mundësoi vazhdimin e operacioneve bombarduese”, ka shtuar ai.
Rahimaj gjithashtu vuri në pah dimensionin personal të angazhimit të saj në luftë.
“Për znj. Kallaba, pjesëmarrja në këtë luftë kishte edhe një dimension personal, pasi e konsideronte detyrë morale të ndihmonte vendin e origjinës së babait të saj”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai theksoi se këto propozime synojnë të shprehin mirënjohjen e komunës për kontributin e saj.
“Me këtë nderim, sado simbolik, Kamenica shpreh mirënjohjen e përjetshme për guximin, përkushtimin dhe sakrificën e saj”, përfundoi Rahimaj. /Telegrafi/