Bashkimi Evropian është deklaruar lidhur me hapat e fundit të ndërmarrë nga Kosova në drejtim të sundimit të ligjit, konkretisht fillimit të zbatimit të Ligjit për Huajt dhe atij për Automjete, duke i cilësuar ato si zhvillime pozitive.
Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi zyrës së BE-së në Prishtinë, Nikola Gaon, ka theksuar se Brukseli e mirëpret përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin gradual të ligjeve që lidhen me standardet evropiane.
“Ne e mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, si dhe vendimin e Qeverisë për të zbatuar në mënyrë graduale Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, të cilat janë të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Gaon.
Ai ka vlerësuar gjithashtu qasjen e Qeverisë dhe të kryeministrit Albin Kurti në trajtimin e çështjeve në veri, veçanërisht për mundësinë që qytetarët të pajisen me dokumente.
“Ne gjithashtu mirëpresim qasjen konstruktive të Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Kurti për të gjetur një zgjidhje që u mundëson qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri që deri më tani nuk kanë pasur mundësi të regjistrojnë faktet e gjendjes civile, që ta bëjnë këtë brenda tre muajve të ardhshëm dhe të pajisen me dokumente të Kosovës”, ka shtuar ai.
Sa i përket institucioneve të mbështetura nga Serbia, BE-ja ka bërë të ditur se është në dijeni të planit të Qeverisë për integrimin e tyre dhe e sheh pozitivisht zgjidhjen e përkohshme.
“Ne marrim parasysh planin e Qeverisë së Kosovës për të integruar institucionet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor të mbështetura nga Serbia. Në këtë drejtim, mirëpresim zgjidhjen e përkohshme për pajisjen me leje qëndrim në Kosovë, fillimisht për një periudhë 12-mujore, për personat që nuk janë nga Kosova, por që janë të punësuar në këto institucione apo janë studentë. Listat e personave në fjalë do të sigurohen nga komunat veriore”, është shprehur Gaon.
Sipas tij, kjo qasje siguron vazhdimësinë e shërbimeve bazë për qytetarët.
“Kjo do të thotë se shërbimet esenciale publike, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, mund të vazhdojnë të ofrohen pa ndërprerje”, ka theksuar ai.
Në fund, BE-ja ka nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin lokal.
“Ne gjithashtu mirëpresim angazhimin e Qeverisë së Kosovës që çdo proces që mund të ndikojë në ofrimin e shërbimeve të shëndetësisë dhe arsimit të zhvillohet në përputhje me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si dhe në konsultim të ngushtë me komunitetin serb të Kosovës dhe në bashkëpunim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun”, ka përfunduar Gaon.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar më 14 mars se do të mundësojë pajisjen me leje të përkohshme qëndrimi, si dhe do të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që ende nuk posedojnë dokumente të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe atij për automjetet.
Ky vendim u bë publik pas takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Zbatimi i këtyre ligjeve ka nisur fillimisht më 15 janar, përmes një fushate informuese mbi procedurat dhe rregullat përkatëse, ndërsa nga 15 marsi ato kanë hyrë plotësisht në fuqi.
Sipas dispozitave ligjore, të gjithë banorët që nuk posedojnë dokumente të Kosovës obligohen të aplikojnë për leje qëndrimi. Në të njëjtën kohë, automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës për më shumë se tre muaj, përveç rasteve kur kanë autorizim të veçantë.
Ligji parasheh gjithashtu që kërkesa për leje qëndrimi duhet të paraqitet brenda 72 orëve nga hyrja në vend.
Shtetasit e huaj kanë të drejtë të qëndrojnë deri në 90 ditë, ndërsa për çdo qëndrim më të gjatë kërkohet pajisja me leje qëndrimi.
Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të rezultojë me masa ndëshkuese nga autoritetet kompetente, duke përfshirë gjoba, revokim të lejes së qëndrimit, dëbim apo edhe ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës.
Ndërkaq, Ligji për automjetet përcakton se një veturë me targa të huaja, përfshirë ato serbe, nuk mund të përdoret për më shumë se tre muaj. Në rast të shkeljes së këtij rregulli, policia mund të shqiptojë gjoba deri në 200 euro./Telegrafi/