Policia polake ka shtuar masat e sigurisë në shkolla pas përhapjes së kërcënimeve në rrjetet sociale për një seri të mundshme sulmesh të planifikuara për 9 tetor, ditë që në mesazhet e publikuara është cilësuar si “e premtja e përgjakshme”. Autoritetet kanë njoftuar se do të vendosin më shumë efektivë pranë institucioneve arsimore që konsiderohen të rrezikuara, ndërsa në disa qytete janë anuluar mësimet me prani fizike.
Të enjten, rrjetet sociale u mbushën me pamje ekrani dhe regjistrime që paralajmëronin për sulme të mundshme ndaj shkollave. Këto informacione kanë shtuar shqetësimin mes nxënësve dhe prindërve, veçanërisht pas dy sulmeve të rënda të ndodhura brenda pak ditësh në rajonin e Mazovias.
Të mërkurën, një 19-vjeçar sulmoi me thikë nëntë persona në një shkollë në Ostrołęka. Një ditë më vonë, në Leszczydole-Nowinach, një ish-nxënës 15-vjeçar sulmoi tre persona me një mjet të mprehtë, me gjasë thikë. Një punonjëse e shkollës, 37 vjeçe, vdiq nga plagët e marra, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të lënduar.
Pas përhapjes së kërcënimeve, Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Polonisë, Marek Boroń, njoftoi për masa të shtuara parandaluese. Ai tha se efektivët do të jenë të pranishëm pranë shkollave që nga mëngjesi i së premtes, me qëllim forcimin e sigurisë dhe uljen e shqetësimit në mesin e nxënësve, prindërve dhe stafit arsimor.
“Policia do të bëjë gjithçka që këto shkolla të jenë të sigurta”, deklaroi Boroń për mediat polake, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, patrullat kishin nisur të vendoseshin pranë objekteve shkollore që të enjten dhe kishin vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve. Të premten, policia pritet të bashkëpunojë ngushtë me drejtorët, mësimdhënësit dhe autoritetet lokale.
Kreu i policisë u bëri thirrje nxënësve dhe prindërve që çdo dyshim të besueshëm për dhunë të planifikuar ta raportojnë drejtpërdrejt te mësimdhënësit ose organet e rendit. Ai tha se pas sulmit në Ostrołęka është rritur ndjeshëm numri i raportimeve për kërcënime të mundshme, por paralajmëroi edhe kundër shpërndarjes së pakontrolluar të informacioneve të paverifikuara.
Një nga burimet kryesore të shqetësimit ishte një video që nisi të qarkullonte në platformat sociale në Poloni. Sipas mediave lokale, në të përmendeshin plane të pretenduara për sulme ndaj shkollave në kuadër të “të premtes së përgjakshme”, pasi autori kishte paralajmëruar më herët për një “masakër në Przasnysz”.
Policia në Przasnysz nisi menjëherë hetimet dhe ndaloi një 17-vjeçar nga qarku i Przasnysz-it, i cili dyshohet se është autori i videos.
“Efektivët kanë ndaluar një 17-vjeçar, banor të qarkut të Przasnysz-it, i dyshuar si autori i videos që po qarkullon në internet. Veprimet hetimore ndaj tij janë duke vazhduar”, njoftoi policia e Mazovias.
Raste të tjera shqetësuese janë raportuar edhe në lokalitete të tjera. Në Sierpc, policia ndaloi një 17-vjeçar, i cili kishte deklaruar se synonte të lëndonte dikë në shkollë. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dy thika. Sipas raportimeve, informacionet e dhëna nga nxënësit dhe mësimdhënësit për sjelljen e tij luajtën rol të rëndësishëm në ndërhyrjen e policisë.
Pas sulmeve dhe shqetësimeve për sigurinë, autoritetet vendosën që shkollat fillore në komunën e Wyszków-it të mos zhvillojnë mësim të premten. Megjithatë, institucionet pritet të vazhdojnë të ofrojnë kujdes për nxënësit.
Mediat lokale raportuan gjithashtu se të gjitha shkollat e mesme në Ciechanów do të zhvillojnë mësimin në distancë, ndërsa mësimi me prani fizike do të pezullohet edhe në shkollat e qarkut të Pułtusk-ut.
Autoritetet po vazhdojnë monitorimin e situatës, ndërsa prania e shtuar policore synon të parandalojë incidente të tjera dhe të garantojë sigurinë e nxënësve dhe personelit shkollor. /Telegrafi/