Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe kritikat se me këtë po legalizohen strukturat paralele serbe në Kosovë.
Kurti pas përurimit të segmentit rrugor Prishtinë – Vushtrri theksoi se me këtë Ligj edhe strukturat ilegale të mbetura në arsim dhe shëndetësi do të inkorporohen në sistemin e Kosovës.
“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve. Dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave të cilat janë në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Ju e dini që strukturat tjera ilegale të Serbisë, sikur ato të sigurisë, financave dhe administratës nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës.
Kanë ngelur arsimi dhe shëndetësia dhe ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë është e domosdoshme që njëherë ta kemi listën e mësimdhënësve, mjekëve dhe infermierëve të cilët punojnë në këto struktura”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Kryeministri tutje theksoi se nuk dëshirojnë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor dhe nxënësit serb të ngelen pa mësim.
“…Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E në mënyrë legale do të thotë brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës…
Dhe në këtë aspekt po punojmë, duke dhënë një dritare 12 mujore, përkatësisht 3 mujore për qëndrim, për punë dhe për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti, raporton Telegrafi.
Ai rikujtoi se një afat të ngjashëm kanë dhënë për targat e automjeteve.
“Prandaj, gjithçka po shkon siç është më së miri. Dhe ky nuk është veprim politik, por zbatim i ligjit, zbatim gradual i ligjit në bashkëpunim me Bashkimin Evropian…”, tha ai. /Telegrafi/