Fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova, ka rikujtuar pas 28 vitesh një nga ngjarjet më domethënëse të rezistencës civile në Kosovë, duke publikuar në rrjetet sociale fotografi nga marshi i grave drejt Drenicës më 16 mars 1998.
Në kulmin e tensioneve të asaj kohe, qindra gra shqiptare u nisën drejt Drenicës në një marsh paqësor me synimin për të dërguar ndihma për banorët e rrethuar.
Aksioni, i njohur si “Bukë për Drenicën”, mbetet një nga momentet më të rëndësishme të solidaritetit dhe qëndresës.
Marshi, i organizuar si një akt humanitar, mblodhi gra nga pjesë të ndryshme të Kosovës, të cilat u nisën për të ndihmuar nënat dhe fëmijët e ngujuar.
Megjithatë, kolona e tyre u ndal nga policia serbe në hyrje të Fushë-Kosovës, duke pamundësuar vazhdimin e marshit.
Gratë në krye të kolonës iu drejtuan kordonit policor me një mesazh të qartë: “Nuk jemi demonstruese, por gra, nëna dhe motra që duam të shkojmë në Drenicë, për t’u dërguar bukë nënave dhe fëmijëve të ngujuar atje”.
Ky marsh paqësor, i cili u përball me pengesa dhe ndalim, simbolizoi guximin dhe vendosmërinë e grave shqiptare përballë represionit, duke mbetur një nga episodet më të fuqishme të kujtesës kolektive në Kosovë./Telegrafi.