Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të luftës për liri dhe një prej themeluesve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, tha se Sahit Jashari ishte ndër luftëtarët e orëve të para të rezistencës së armatosur dhe bashkëluftëtar i afërt i Komandantit Legjendar Adem Jashari.
“Sonte, para pak çastësh, u nda nga jeta një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtari i orëve të para dhe bashkëluftëtari besnik i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe i gjithë ne të tjerëve, Sahit Jashari”, ka shkruar Lushtaku.
Ai vlerësoi kontributin e Jasharit në luftën çlirimtare, duke theksuar se ai ia kushtoi tërë jetën atdheut dhe idealit të lirisë së Kosovës.
Sipas Lushtakut, Sahit Jashari ishte ndër ata që nuk u dorëzuan asnjëherë përballë regjimit serb, pavarësisht përndjekjeve dhe dënimeve që kishte përjetuar gjatë kohës së regjimit të Slobodan Millosheviçit.
“Nuk njohu frikë dhe nuk kërkoi asgjë për vete. Ai jetoi për Kosovën dhe për lirinë e saj. I përndjekur e i dënuar nga regjimi i Millosheviçit, ai qëndroi i palëkundur në rrugën e lirisë”, ka theksuar ai.
Lushtaku kujtoi gjithashtu sakrificën e familjes Jashari gjatë Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998, duke nënvizuar se Sahit Jashari humbi 13 anëtarë të ngushtë të familjes në luftën për çlirimin e Kosovës.
Në fund të reagimit të tij, kryetari i Skenderajt tha se emri i Sahit Jasharit do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së Kosovës.
“Drenica humbi një bir të madh, Kosova një luftëtar të shquar, ndërsa ne humbëm një shok e një bashkëluftëtar që me jetën dhe veprën e tij na mësoi çfarë do të thotë sakrifica dhe dashuria për atdheun”, ka shkruar Lushtaku.
Sahit Jashari ndërroi jetë të enjten, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e rezistencës dhe luftës çlirimtare të Kosovës.
