Me zgjedhjen e duhur të ngjyrave dhe modeleve, tapetat mund të transformojnë plotësisht hapësirën dhe ta bëjnë më të ndriçuar e më të ngrohtë.
Tapetat janë rikthyer prej disa vitesh në qendër të vëmendjes së dizajnit të brendshëm dhe sot konsiderohen një nga trendet më të njohura në dekorimin e shtëpisë. Arsyeja është e thjeshtë: tapeta nuk është vetëm dekor për murin, por edhe një mënyrë praktike për të ndryshuar perceptimin e hapësirës.
Me zgjedhjen e duhur, tapetat mund të transformojnë një apartament të vogël, një korridor të ngushtë apo një dhomë të ftohtë në një ambient më të ngrohtë dhe më të këndshëm. Në rrjetet sociale shfaqen vazhdimisht ide kreative për përdorimin e tyre – nga mbulimi i të gjithë mureve të një dhome, deri te përdorimi vetëm në një mur për të krijuar një element dekorativ që bie në sy, transmeton Telegrafi.
Si mund ta ndryshojnë tapetat perceptimin e hapësirës?
Një nga “truket” më të njohura të dizajnit me tapeta është krijimi i iluzionit të hapësirës më të madhe, edhe pa shtuar asnjë metër katror.
• Tapetat me vija vertikale e bëjnë murin të duket më i lartë dhe japin ndjesinë e një tavani më të lartë. Kjo është veçanërisht e dobishme në dhoma me tavane të ulëta.
• Vijat horizontale ose modelet e vogla grafike mund ta bëjnë dhomën të duket më e gjerë dhe të zbusin ndjesinë e ngushtësisë, sidomos në korridore të ngushta.
• Tapetat metalikë ose me efekt 3D reflektojnë dritën dhe e bëjnë një kënd të errët apo të ftohtë më të ndriçuar dhe më të ngrohtë.
• Nëse banesa juaj ka pak dritë natyrale, zgjidhni tapeta me tone të çelëta, sepse ato e ndriçojnë vizualisht ambientin.
Tapetat dhe zhurma – një efekt surprizues
Tapetat nuk janë vetëm element dekorativ. Disa lloje të tyre mund të ndihmojnë edhe në izolimin akustik të hapësirës.
Në hotele, restorante dhe ambiente publike përdoren shpesh tapeta akustike ose mbulesa tekstili për mure që zvogëlojnë jehonën dhe përmirësojnë qartësinë e zërit. Ato e bëjnë ambientin më të qetë dhe më të rehatshëm.
Në shtëpi mund të mendoni për tapeta më të trasha, prej tekstili ose prej tape (korku), veçanërisht nëse jetoni në ndërtesa të reja ku muret shpesh nuk izolojnë mirë zhurmën nga fqinjët. Kjo zgjidhje është shumë e përshtatshme për dhomat e ndenjës, dhomat e fëmijëve dhe këndet e punës, ku kërkohet një atmosferë më e qetë.
Tapetat – zgjedhje praktike për familjet me fëmijë
Për familjet me fëmijë të vegjël, tapetat mund të jenë një zgjidhje shumë praktike dhe afatgjatë. Ato shpesh mbrojnë muret më mirë se shumë materiale të tjera dekorative.
Tapetat rezistente ndaj ujit dhe që mund të pastrohen lehtë janë veçanërisht të përshtatshme për shtëpitë me fëmijë. Fëmijët shpesh “eksperimentojnë” me muret duke vizatuar me lapsa, bojëra ose duke i prekur me duar të pista.
Shumë tapeta moderne mund të pastrohen thjesht me një leckë të lagur dhe një detergjent të butë, duke e bërë mirëmbajtjen e tyre shumë të lehtë dhe praktike.
Disa këshilla të thjeshta për përdorimin e tapetave
Nëse dëshironi ta freskoni ambientin ku jetoni, nuk është e nevojshme të mbuloni të gjitha muret. Shpesh mjafton të zgjidhni një mur kryesor, për shembull murin pas krevatit në dhomën e gjumit ose pas divanit në dhomën e ndenjës.
Ky mur mund të bëhet pika kryesore dekorative e dhomës dhe të theksojë stilin e të gjithë hapësirës.
Tapetat kombinohen shumë bukur me mobilje në ngjyra të çelëta, në mënyrë që modeli i tyre të dalë më shumë në pah. Një rregull i rëndësishëm është që tapeta të përshtatet me stilin e përgjithshëm të shtëpisë, qoftë modern, klasik apo minimalist.
Me zgjedhjen e duhur, tapetat mund të jenë një mënyrë e thjeshtë, kreative dhe relativisht e lirë për ta transformuar plotësisht pamjen e një dhome. /Telegrafi/