Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar dy shtetas të Kosovës për trafikim me armë dhe mjete motorike.
Policia njofton se gjatë operacioni janë vënë në pranga shtetasit M. P., 38 vjeç dhe H. A., 34 vjeç, të dy banues në Prishtinë.
“Si rezultat i verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut dhe punës operative, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë finalizuan operacionin e koduar “JAD 1”.
Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit M. P., 38 vjeç dhe H. A., 34 vjeç, të dy banues në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Në hyrje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi M. P. që drejtonte një automjet tip “Tuareg”, në të cilin kishte rimorkuar një automjet tip “BMW” që nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Nga kontrolli i imtësishëm, në automjetin tip “BMW”, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë).
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera për këtë rast, është mundësuar identifikimi dhe arrestimi i shtetasit për llogari të të cilit ishin kryer këto veprimtari kriminale, H. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/