Sot, kryetari i FSPTSPK, Jusuf Azemi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, zhvilluan një takim me kërkesë të Ministrit të Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, për të diskutuar pozicionin e punëtorëve të sektorit privat, veçanërisht çështjen e pagës minimale.
Takimi kishte karakter informativ dhe u zhvillua me qëllim të diskutimit të sfidave dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes palëve.
Si Hoti, ashtu edhe Azemi shprehën vullnet të mirë për bashkëpunim në këtë drejtim.
Kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, theksoi se problem kryesor momental mbetet moszbatimi i pagës minimale. Ai shtoi se sektori privat përballet me sfida të shumta, duke përfshirë: Mungesën e Marrëveshjes Kolektive; Mosformimin e Gjykatës së Punës; Nevojën për më shumë veprime mbi rrezikshmërinë e punëtorëve në vendin e punës; Mungesën e një fondi për rastet e vdekjeve në vendin e punës dhe Formimin e Këshillit Ekonomiko-Social.
“Jemi pajtuar që këto procese t’i shtyjmë bashkarisht përpara,” tha Azemi.
Ministri Hoti theksoi se zyret e Ministrisë do të jenë çdo herë të hapura për këtë sindikatë, duke treguar gatishmëri për dialog dhe zgjidhje pozitive.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt adresimit të sfidave të punëtorëve të sektorit privat dhe forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve qeveritare dhe sindikatave në Kosovë. /Telegrafi/