Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka njoftuar se punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës do të hyjnë në grevë nga 1 shtatori 2026, nëse pagat për muajin korrik nuk ekzekutohen deri më 31 gusht.
Sipas Azemit, vendimi është marrë pas një takimi me kryetarët e shoqatave sindikale, ku është diskutuar për pagesat e mbetura për punëtorët teknikë të Komunës së Prishtinës.
Ai ka bërë të ditur se të gjithë kryetarët e shoqatave janë dakorduar që, në rast se pagat nuk janë në llogaritë bankare të punëtorëve deri më 31 gusht, nga 1 shtatori do të nisë greva në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit.
“Puna e kryer duhet të paguhet”, ka deklaruar Azemi, duke theksuar se punëtorët nuk duhet të mbajnë pasojat e procedurave administrative dhe të prokurimit.
Në takim është diskutuar edhe për përgatitjet për zgjedhjet në të gjitha nivelet e Federatës Sindikale, të cilat, sipas Azemit, pritet të mbahen deri në gusht të vitit të ardhshëm. Po ashtu, kryetarit aktual i është vazhduar mandati edhe për një vit, me qëllim që procesi zgjedhor të jetë më transparent dhe demokratik. /Telegrafi/
