Ish-sulmuesi i Italisë Antonio Cassano ka ngjallur sërish polemika me një analizë të ashpër për gjendjen e futbollit italian.
Në një intervistë për Il Corriere della Sera, ai kritikoi trajnerët Massimiliano Allegri dhe Cristian Chivu, duke pretenduar se qasja e tyre është e vjetëruar dhe se futbollit italian i mungojnë ritmi dhe cilësia.
Cassano komentoi edhe përballjen e madhe mes Milanit dhe Interit, e njohur si Derby della Madonnina.
“Derbi ishte i tmerrshëm. Jemi të ngadaltë, na mungon ritmi dhe cilësia. E kam thënë këtë për vite me radhë, edhe nëse ndonjëherë në mënyrë të ashpër. Kjo ndodh vetëm në Itali, ku ende ndjekin Allegrin”.
“Filozofia jonë është të mbrohemi mirë dhe të shpresojmë se diçka do të ndodhë më pas. Kjo ka ndodhur për pesëmbëdhjetë vjet”, u shpreh Cassano, i cili ka luajtur për të dy klubet e Milanos.
Ish-reprezentuesi italian nuk kurseu kritika as për ish-trajnerin e Interit, Simone Inzaghi.
“Sipas mendimit tim, katër vitet e Inzaghit te Interi ishin një dështim. Ata kishin ekipin më të fortë dhe fituan vetëm një titull”, deklaroi ai.
Kujtojmë se Derby della Madonnina u zhvillua në stadiumin San Siro në kuadër të javës së 28-të të Serie A. AC Milan fitoi minimalisht 1:0 ndaj Interit, që drejtohet nga Cristian Chivu.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Pervis Estupinan në minutën e 35-të. /Telegrafi/