Një moment i diskutueshëm gjatë ndeshjes mes Galatasaray dhe Liverpool ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në mesin e tifozëve të futbollit.
Në minutën e 62-të të takimit, sulmuesi i Galatasaray, Victor Osimhen, arriti ta dërgojë topin në rrjetë duke menduar se kishte dyfishuar epërsinë e skuadrës turke në 2-0.
Megjithatë, goli u anulua nga gjyqtari për pozicion jashtë loje në fazën paraprake të aksionit.
Sipas vendimit të arbitrave, momenti i dyshimtë ndodhi në pasimin e parë drejt Baris Alper Yilmaz, i cili u konsiderua në pozitë jashtë loje.
Ajo që ka nxitur polemikat është fakti se mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konate, ndërhyri dhe mori topin gjatë aksionit, por bëri një gabim në kontroll, duke e humbur atë dhe duke i dhënë mundësi ekipit vendas të vazhdonte aksionin që përfundoi me gol nga Osimhen.
Pamjet e përsëritura të aksionit tregojnë se Yilmaz nuk pati kontakt me topin në atë moment, çka ka bërë që shumë tifozë dhe analistë të futbollit të vënë në dyshim interpretimin e rregullit të pozicionit jashtë loje.
Sipas tyre, fakti që Konate ndërhyri dhe kontrolloi topin mund të konsiderohej si një fazë e re e lojës.
Vendimi i gjyqtarit dhe i sistemit VAR është bërë menjëherë objekt diskutimi në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë debatuar nëse goli i Osimhen duhej të pranohej apo jo.
Ky episod pritet të analizohet më tej edhe nga ekspertët e arbitrimit, pasi interpretimi i situatave të tilla shpeshherë mbetet ndër më të debatueshmit në futbollin modern. /Telegrafi/