Mbrojtësi i djathtë i Burnleyt, Kyle Walker, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund një karriere të gjatë me kombëtaren e Anglisë, për të cilën u aktivizua 96 herë që nga debutimi i tij në vitin 2009.
Në deklaratën e tij, Walker shprehu krenarinë për kontributin e dhënë me fanellën e “Tre Luanëve”.
“Jam i trishtuar që po e marr këtë vendim, por njëkohësisht jam shumë krenar për gjithçka që kam arritur me Anglinë”, tha mbrojtësi.
Futbollisti 35-vjeçar theksoi se përfaqësimi i vendit në pesë turne madhorë dhe arritja në finalet ku ka marrë pjesë kombëtarja angleze kanë qenë ndër momentet më të veçanta të karrierës së tij.
“Të përfaqësosh vendin tënd në pesë turne të mëdhenj, të arrish në finalet ku kemi arritur dhe të jesh pjesë e këtij grupi lojtarësh dhe trajnerësh me të cilët kam punuar, ka qenë një nder i madh”.
Walker shtoi se tani ka ardhur momenti për ta mbyllur këtë kapitull të karrierës së tij.
“Sot është koha që kjo të marrë fund. Për mua është mirë të kem një mbyllje të plotë të karrierës në arenën ndërkombëtare. Të përfaqësosh vendin qoftë edhe një herë është krenari, e jo më 96 herë”.
Ai kujtoi gjithashtu emocionet e turneve të mëdhenj dhe mbështetjen e madhe të tifozëve anglezë.
“Përjetimet në turnetë ku kam qenë, si për mua ashtu edhe për bashkëlojtarët e mi, dhe fakti që mijëra, nëse jo miliona njerëz e ndanin të njëjtën përvojë me ne, është një nder i jashtëzakonshëm”.
Walker theksoi se është veçanërisht krenar që ishte pjesë e ekipit që arriti në një finale të madhe, duke rikthyer Anglinë në një finale për herë të parë që nga 1966.
“Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e ekipit që e çoi Anglinë në një finale të madhe për herë të parë që nga viti 1966”.
Duke reflektuar mbi karrierën me kombëtaren, ai pranoi se ka pasur edhe momente të vështira.
“Gjithmonë kujton si momentet e mira ashtu edhe ato të këqija, dhe sigurisht ndeshja me Islandën ishte një moment i ulët”.
Megjithatë, ai vlerësoi progresin që Anglia ka bërë gjatë viteve të fundit, veçanërisht nën drejtimin e Gareth Southgate.
“Kur nisëm këtë rrugëtim, sidomos me Garethin, donim të siguroheshim që Anglia të njihej si një nga kombëtaret më të mira në botë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për ta arritur këtë – dhe ende them ‘ne’, sepse kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi”.
Në total, Walker përfaqësoi Anglinë në disa turne madhorë dhe mbetet një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të gjeneratës së tij në kombëtare. /Telegrafi/