Luka Modric nuk e ka fshehur zhgënjimin pas humbjes së rëndë të Kroacisë me rezultat 7-0 ndaj Anglisë, duke e cilësuar një prej netëve më të turpshme në karrierën e tij 20-vjeçare me Kombëtaren.
Mesfushori kroat pranoi se Anglia aktualisht është skuadër më e fortë, por theksoi se mënyra se si humbi Kroacia dhe dëmtimi i imazhit të ndërtuar ndër vite janë të papranueshme.
“Humbja është një gjë, kjo nuk është problem; për momentin, ata janë skuadra më e fortë. Por të humbësh në këtë mënyrë dhe të hedhësh poshtë reputacionin që kemi punuar aq shumë për ta ndërtuar ndër vite, kjo është e papranueshme”.
“Është hera e parë në 20 vitet e mia këtu që kam ndier turp të vërtetë. Dukej sikur po luanim me katër apo pesë lojtarë më pak. Ishte vërtet një natë katastrofike”, deklaroi Modric.
Megjithatë, ylli kroat kërkoi që skuadra të mos kërkojë fajtorë individualë, por të qëndrojë e bashkuar përpara sfidës së radhës ndaj Spanjës, në Split.
“Nuk duhet të drejtojmë gishtin nga njëri-tjetri apo të kërkojmë fajtorë; tani duhet të qëndrojmë të bashkuar, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”.
“Duhet të ngrihemi, të rigrupohemi dhe të qëndrojmë së bashku, sepse na pret një tjetër ndeshje shumë e vështirë në Split ndaj Spanjës.
“Duhet të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë, skuadrën që jemi në të vërtetë. Duhet të dëshmojmë se ende kemi karakter dhe krenari brenda vetes. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të kërkojmë falje”.
“Shpresoj që tifozët në Split të jenë pranë nesh, të na mbështesin dhe të na japin zemër. Shpresoj që të arrijmë t’ua shpërblejmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Modric./Telegrafi/