Edhe pse luajti për gjigantin spanjoll Barcelona dhe ndau fushën me legjendën Lionel Messi, emri i Martin Braithwaite nuk do të kujtohet si një nga yjet më të mëdhenj të futbollit.
Megjithatë, sulmuesi danez është bërë një nga futbollistët më të pasur në botë falë suksesit të madh në biznes.
Braithwaite, së bashku me bashkëshorten e tij Anne-Laure, ka ndërtuar një perandori biznesi që vlerësohet rreth 300 milionë euro, kryesisht jashtë futbollit.
Çifti hapi disa vite më parë një restorant në Barcelona dhe suksesi i biznesit bëri që shumë shpejt të hapnin një tjetër restorant në Porto Alegre. Javën e kaluar ata festuan hapjen e një restoranti të ri në Brazil.
“Një natë shumë e veçantë për ne. Playa Paris Brazil më në fund hapi zyrtarisht dyert dhe jam shumë krenar që e shoh këtë projekt të marrë jetë”, shkroi Braithwaite në rrjetet sociale, duke vlerësuar edhe kontributin e bashkëshortes së tij.
Përveç restoranteve, çifti ka investuar edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Kompania e tyre merret me blerjen, rinovimin dhe dhënien me qira të apartamenteve, duke siguruar të ardhura të qëndrueshme dhe të konsiderueshme.
Ata gjithashtu kanë lançuar një markë mode, përmes së cilës shesin veshje dhe produkte të stilit të jetesës.
Falë investimeve të zgjuara dhe menaxhimit të suksesshëm të biznesit, Braithwaite është bërë një nga futbollistët më të suksesshëm financiarisht jashtë fushës.
Megjithatë, danezi vazhdon ende karrierën sportive. Në moshën 34-vjeçare ai është pjesë e klubit brazilian Gremio, edhe pse aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim në tendinin e Akilit.
Gjatë karrierës së tij, Braithwaite ka luajtur gjithashtu për klube si RCD Espanyol, Esbjerg fB, Toulouse FC, CD Leganés, Girondins de Bordeaux dhe Middlesbrough FC. /Telegrafi/