Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës ka njoftuar për fillimin e zbatimit të projektit për matjet gjeodezike të profileve të tërthorta të lumenjve dhe krijimin e librezave të stacioneve të monitorimit meteorologjik dhe hidrometrik të rrjetit shtetëror hidrometeorologjik.
Projekti po realizohet me përkrahjen e Programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), faza e dytë, ndërsa matjet po kryhen nga kompania GEO-S.
Sipas njoftimit, aktivitetet po zhvillohen nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në bashkëpunim me ekspertët e angazhuar nga programi IWRM-K.
Projekti përfshin realizimin e matjeve gjeodezike në të gjitha profilet hidrometrike, gjithsej 34, si dhe matje me dron dhe matje të rrjedhës së lumenjve.
Matjet e para kanë nisur në lumin Morava e Binçës në komunën e Vitisë, ku po përdoret edhe teknologjia me dron për të siguruar saktësi më të madhe në mbledhjen e të dhënave.
Programi IWRM-K, faza e dytë, mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa zbatohet nga Skat Consulting Ltd në konsorcium me Agjencia Austriake e Mjedisit. /Telegrafi/