Mediumi i madh britanik BBC ka publikuar listën e saj të sulmuesve më të mirë të shekullit të 21-të. Si zakonisht, kjo listë shkaktoi shumë polemika, kryesisht për shkak të pozicionimit, por edhe lënies jashtë të disa sulmuesve të klasit të lartë.
Shumë njerëz mbetën të habitur se si emra të mëdhenj si Samuel Eto’o, Raul Gonzalez, Andriy Shevchenko, Ruud van Nistelrooy ose Wayne Rooney nuk ishin në listën e lartpërmendur.
Nga ana tjetër, BBC theksoi golat si pikënisje, por gjithashtu vuri në dukje se ndikimi, jetëgjatësia, fitimi i trofeve dhe cilësitë përcaktuese të pozicionit – të tilla si mbajtja e topit, aftësia ajrore dhe prania në zonën e penalltisë ishin faktorë kyç në përzgjedhje.
Kështu, sipas BBC-së, sulmuesi më i mirë qendror i shekullit të 21-të është braziliani Luis Nazario da Lima Ronaldo i njohur vetëm si Ronaldo apo “Fenomeni”, gjë që pritet.
Megjithatë, ajo që nuk pritej ishte renditja më tej. Në vendin e dytë është anglezi Harry Kane, i cili ka vetëm një trofe në karrierën e tij, të cilin e fitoi sezonin e kaluar me Bayernin.
Më pas vjen Erling Haaland si i treti, dhe vetëm pas tij vjen futbollisti më i mirë në historinë e Ligës Premier, Thierry Henry.
I pesti është ylli polak, Robert Lewandowski, i ndjekur nga Didier Drogba i gjashti, pastaj fituesi i Topit të Artë, Karim Benzema i shtati.
Lista plotësohet nga lojtarë të mëdhenj si Zlatan Ibrahimovic, Luis Suarez dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, Miroslav Klose që mbyll dhjetëshen.
Kjo listë ka shkaktuar debat të madh në Angli, por sigurisht edhe në vende tjera evropiane, ku shumë njohës të futbollit përpilojnë top 10 krejtësisht ndryshe nga ky i mediumit britanik. /Telegrafi/