Galatasaray ka siguruar një vend në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve pas eliminimit dramatik të Juventusit, ku goli vendimtar u realizua nga Victor Osimhen në kohën shtesë.
Por përtej suksesit në fushë, lind një pyetje e natyrshme: si arriti klubi turk të investojë mbi 100 milionë euro në transferime?
Investime të mëdha, por të planifikuara
Osimhen u transferua për deri në 75 milionë euro, ndërsa shpenzimet totale për përforcime kapën mbi 90 milionë euro. Për më tepër, Galatasaray afroi Leroy Sanen si lojtar të lirë, por me një pagë prej 9 milionë eurosh në sezon plus 3 milionë euro bonuse.
Megjithatë, sekreti qëndron në strukturën financiare. Galatasaray nuk ka pronar miliarder — klubi është në pronësi të anëtarëve të shoqatës sportive dhe drejtohet nga kompania publike Galatasaray Sportif AŞ, e listuar në bursën e Stambollit.
Në sezonin 2024/25, të ardhurat arritën në rreth 275 milionë euro, ndërsa për sezonin aktual parashikohen të shkojnë deri në 350 milionë euro.
Burimet kryesore të të ardhurave
1. Të ardhurat nga dita e ndeshjes
Galatasaray arkëton rreth 77 milionë euro nga biletat dhe shërbimet e stadiumit. Mesatarja e të ardhurave për ndeshje në shtëpi është 2.3 milionë euro, ndërsa pjesëmarrja mesatare kalon 42 mijë tifozë. Me suksesin në Champions, këto shifra pritet të rriten.
2. Aktiviteti komercial
Ky është motori kryesor financiar: rreth 151 milionë euro në vit. Sponsorët kontribuojnë mbi 60 milionë euro, ndërsa shitja e fanellave dhe produkteve zyrtare sjell rreth 85–90 milionë euro në vit — më shumë se disa gjigantë evropianë.
Një shembull i zgjuar marketingu ishte lançimi i “Solo Il Gala Osimhen Box”, një paketë koleksionuese me fanellë speciale dhe maskën ikonike të sulmuesit, me çmim 215 euro. Objektivi ishte të mblidheshin mbi 21 milionë euro vetëm nga kjo nismë.
3. Të ardhurat nga UEFA
Pjesëmarrja në Champions League garanton dhjetëra miliona euro. Vetëm këtë sezon, nga rezultatet dhe bonuset e UEFA-s priten rreth 40 milionë euro, pa përfshirë të drejtat televizive dhe të ardhurat shtesë nga ndeshjet me kërkesë të lartë.
4. Të drejtat televizive
Rreth 15–16 milionë euro në vit, më pak se në ligat e mëdha, por të qëndrueshme.
Borxhet dhe rregullat financiare
Detyrimet totale të klubit arrijnë rreth 312 milionë euro, por asetet vlerësohen në mbi 455 milionë euro. Asetet neto janë pozitive me rreth 143 milionë euro — një tregues stabiliteti.
Sa i përket rregullave të UEFA-s, klubi duket brenda limiteve. Sipas rregullit të ri, shpenzimet për paga dhe amortizim transferimesh nuk duhet të kalojnë 70% të të ardhurave. Galatasaray aktualisht operon rreth nivelit 58%, pra në zonë të sigurt.
Si funksionon amortizimi?
Transferimet nuk regjistrohen si shpenzim i menjëhershëm. Për shembull, 75 milionë euro për Osimhen shpërndahen në pesë vite kontratë — rreth 15 milionë euro në sezon. Kjo e ul ndjeshëm barrën financiare vjetore.
Bilanci i transferimeve gjatë tre viteve të fundit rezulton pozitiv, falë shitjeve fitimprurëse si ajo e Sacha Boey dhe disa operacioneve të zgjuara në treg.
Galatasaray nuk po shpenzon në mënyrë të pakontrolluar. Klubi gjeneron të ardhura të krahasueshme me 20-shen më të mirë të Evropës, ndërsa struktura e kostove është e moderuar krahasuar me gjigantët si PSG apo Chelsea.
Me pak fjalë, suksesi sportiv i këtij sezoni nuk është rastësi — ai mbështetet mbi një model financiar agresiv, por të llogaritur me kujdes. Galatasaray po jeton brenda mundësive të veta, edhe kur investon shifra që duken marramendëse. /Telegrafi/