Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve F.B. dhe L.G., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “fajdeja”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, nga data 13 dhjetor 2025 deri më 19 shkurt 2026, në Prizren, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje duke kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të personit tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit B.K.
Prokuroria bën të ditur se i dëmtuari kishte marrë borxh nga i pandehuri F.B., ndërsa shuma ishte siguruar nga i pandehuri L.G., me kusht që të paguante kamatë mujore prej 100 për qind.
Pasi nuk kishte arritur ta kthente shumën, i dëmtuari kishte kërkuar shtyrje të afatit të pagesës deri në muajin korrik, por të pandehurit, sipas prokurorisë, e kanë shtyrë afatin vetëm për një muaj, duke e vënë atë në pamundësi të përmbushë obligimin financiar. Më pas, i dëmtuari e ka njoftuar policinë.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren ka sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprën penale të dyshuar.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin. /Telegrafi/