Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar 1,439 gjoba gjatë periudhës 13–19 shkurt 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar gjithsej 34 aksidente trafiku, prej tyre 17 me dëme materiale dhe 17 me persona të lënduar.
Po ashtu, në kuadër të kontrolleve janë shqiptuar 24 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 38 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, si dhe 23 gjoba për modifikim të paautorizuar të automjeteve, përfshirë përdorimin e folieve të errëta.
Ndërkohë, ndaj 50 ngasësve është shqiptuar masë e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve që gjatë drejtimit të automjetit të posedojnë Raportin Evropian të Aksidenteve, ashtu siç parashihet me Ligjin për Rregullat në Trafikun Rrugor.
Mosposedimi i këtij dokumenti dënohet me gjobë prej 50 euro.
Policia rikujton se në rast të aksidenteve me dëme të vogla materiale, kur palët pajtohen për rrethanat e ngjarjes, ata janë të obliguar ta plotësojnë dhe nënshkruajnë Raportin Evropian të Aksidenteve.
Ndërkaq, në rastet kur ka persona të lënduar ose viktima, është obligative njoftimi i Policisë së Kosovës. /Telegrafi/