Pas incidentit të turpshëm të së martës në mbrëmje, kur ylli i Real Madrid, Vinicius Jr, u bë objekt i ngacmimeve raciste nga Gianluca Prestianni i Benficas në Lisbonë, qeveria portugeze ka vendosur të ndërhyjë.
Incidenti ndodhi rreth dhjetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, menjëherë pasi Vinicius shënoi një gol të mrekullueshëm që i dha Real Madrid avantazhin në ndeshjen e parë të fazës ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve.
Duke mbuluar gojën me fanellën e tij, Prestianni tha diçka, gjë që shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Vinicius, i cili iu afrua gjyqtarit dhe njoftoi se ishte ofenduar racialisht, duke çuar në ndalimin e lojës për dhjetë minuta.
Pas ndeshjes, Kylian Mbappe konfirmoi se Prestianni e kishte quajtur Vinicius “majmun” deri në pesë raste, diçka që lojtari argjentinas dhe Benfica vazhdojnë ta mohojnë.
UEFA tashmë ka njoftuar se do të hetojë këtë incident të shëmtuar që ndodhi në ‘Estadio da Luz’. Tani, qeveria portugeze ka vendosur të ndërhyjë për të hetuar çështjen.
Përmes Autoritetit për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës në Sport (APCVD), do të vlerësohet nëse ka pasur vërtet një sulm verbal racor nga lojtari i Benficas ndaj Vinicius.
Në një deklaratë të shkurtër të publikuar në faqen e saj zyrtare, institucioni shtetëror bëri me dije se kanë nisur procedurat administrative për të sqaruar faktet.
“Pas raporteve në media mbi fyerjet/aktet e dyshuara raciste të drejtuara ndaj lojtarit të Real Madrid, Vinicius Jr., gjatë ndeshjes ndërmjet Benficas dhe Real Madridit, që i korrespondon ndeshjes së parë të ‘play-off’-it të Ligës së Kampionëve, e zhvilluar në ‘Estadio da Luz’, një kompeticion i organizuar nga UEFA, Autoriteti për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës në Sport (APCVD) ka nisur procedurat administrative disiplinore për të sqaruar faktet”, thuhej në deklaratën e tyre.
Nëse hetimi përfundon se pretendimet janë të vërteta, si klubi ashtu edhe lojtari mund të përballen me masa disiplinore që variojnë nga gjobat financiare deri te referimi i raportit tek autoritetet gjyqësore të vendit, ashtu siç ka ndodhur në raste të mëparshme./Telegrafi/