Pamjet nga tuneli i stadiumit ‘Estadio da Luz’ kapën një moment tensioni mes presidentit të Benfica, Rui Costa, dhe një anëtari të delegacionit të Real Madridit pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve të martën mbrëma.
Takimi i fazës së ‘play-off’-it në Ligën e Kampionëve mes Real Madrid dhe Benfica u ndërpre për rreth 10 minuta në pjesën e dytë, pasi Vinicius Jr akuzoi Prestiannin për abuzim racor.
Prestianni duket se i ka thënë diçka Viniciusit ndërsa mbante gojën me fanellën e tij. Ky i fundit raportoi incidentin te gjyqtari Francois Letexier, i cili bëri gjestin e kryqëzuar me duar për të sinjalizuar abuzim racor.
Manolo Lama, gazetar i COPE, ka deklaruar se presidenti i Benficas, Rui Costa, ishte i përfshirë në një përplasje fizike me një anëtar të delegacionit të Real Madrid.
“Po them se kishte një sherr në atë dhomë zhveshjeje, aty ku ishte presidenti i Benficas”, tha Lama.
Sipas raportit, situata u tensionua kur një anëtar i ekipit të komunikimit të Real Madrid u pa duke regjistruar një video të situatës mes lojtarëve të të dy skuadrave.
Costa thuhet se i ka kërkuar atij të ndalojë regjistrimin, por kur punonjësi i Madridit refuzoi, presidenti raportohet se mori dorën e tij larg kamerës dhe më pas e vendosi dy herë në trup, sikur të thoshte: “Mos regjistro më”.
Benfica ka mohuar qëndrimet e tilla në një deklaratë zyrtare.
“Është plotësisht e rreme që presidenti i Benficas të ketë qenë i përfshirë në ndonjë debat apo përplasje fizike me një anëtar të Real Madrid. Kjo është një akuzë plotësisht e rreme dhe e pabazë”, kanë deklaruar nga klubi portugez./Telegrafi/