Një Thierry Henry emocional nuk u përmbajt teksa reflektoi mbi incidentin mes Vinicius Junior dhe Gianluca Prestianni gjatë një segmenti të fuqishëm dhe të sinqertë drejtpërdrejt në CBS Sports.
Të martën mbrëma, ndeshja e “play-off”-it të fazës me eliminim direkt në Ligën e Kampionëve mes Real Madridit dhe Benficas u ndërpre për rreth 10 minuta në pjesën e dytë, pasi Vinicius akuzoi Prestiannin për fyerje raciste ndaj tij.
Prestianni dukej se kishte thënë diçka ndërsa mbulonte gojën me fanellë, dhe Vinicius e raportoi incidentin te gjyqtari François Letexier, i cili më pas bëri gjestin e krahëve të kryqëzuar për të sinjalizuar abuzim racist.
Henry dha reagimin e tij të drejtpërdrejtë në CBS Sports, duke thënë se ai “identifikohet” me atë që po përjeton Vinicius, pasi edhe vetë ka qenë shënjestër e abuzimeve të pretenduara raciste.
“E kuptoj atë që po kalon Vinicius. Kjo më ka ndodhur shumë herë në fushë. Kam folur për këtë shumë herë pas ndeshjeve. Madje jam akuzuar se po kërkoja justifikime pas ndeshjeve kur më ka ndodhur mua. Ndonjëherë ndihesh i vetëm, sepse do të jetë fjala jote kundër fjalës së tij”.
“Nuk e dimë çfarë ka thënë Prestianni, sepse ai u tregua shumë ‘i guximshëm’ duke e mbuluar gojën me fanellë për t’u siguruar që të mos shihej çfarë po thoshte. Pra, që aty, situata duket e dyshimtë”.
“Epo, diçka duhet të ketë thënë, të paktën. Vjen një moment kur ndihesh sikur nuk di më çfarë të bësh. Jemi në vitin 2026 dhe ende, pas një ndeshjeje të tillë, ku duhet të flasim për golin e tij të shkëlqyer, po merremi me faktin që gjyqtari po të thotë të mos shkosh te flamuri i këndit, sepse kjo mund të nxisë turmën”.
“Është një goditje nga këndi – a nuk mund ta ekzekutojë? Nuk mund të shkojë aty vetëm sepse disa njerëz po mendojnë çfarëdo që po mendojnë. Papritur ai bëhet viktimë. Unë e kuptoj këtë. Ju siguroj, kur ndodh diçka e tillë, nuk di më si të reagosh”.
“Ai një herë tentoi të largohej nga fusha në Spanjë, një herë tjetër u përpoq të godiste dikë nga mbrapa. Tani shkoi te gjyqtari për t’i treguar çfarë ndodhi”.
“Edhe unë kam qenë në atë situatë. Edhe mua gjyqtari më tha se nuk mund të bënte asgjë për këtë. Të shohim sa burrë i madh është Prestianni”, ka deklaruar Henry./Telegrafi/