Sami Behrami
Popullsia është pasuria më e madhe e një vendi. Përkundër këtij fakti, problemet demografike po bëhen një nga sfidat më të mëdha socio-ekonomike të botës – edhe pse në fillimi i shekullit XXI në Evropë (në disa vende edhe më herët) janë intensifikuar përpjekjet për zgjidhjen e këtyre problemeve përmes politikave të ndryshme që synonin nxitjen e ripërtëritjes demografike, përkatësisht kthimin në nivele të qëndrueshme të fertilitetit (numrit të fëmijëve për grua) prej 2.1.
Janë ndërmarrë shumë masa, duke filluar nga pagesat e drejtpërdrejta financiare, lehtësitë tatimore, deri te përmirësimi i infrastrukturës për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve (si çerdhet dhe kopshtet), por rezultatet kanë qenë shumë të kufizuara. Pasi që norma e lindshmërisë për grua bie nën nivelin që siguron zëvendësimin natyror të popullsisë (2.1), është vërtetuar se kthimi i saj në këtë nivel është jashtëzakonisht i vështirë.
– Lexo po ashtu nga Sami Behrami: Kriza demografike: Kosova në recesion
Shteti i Kosovës që nga fillimi i shekullit XXI po përballet me sfida të shumta. Megjithatë, në 18 vjetorin e pavarësisë, pa dyshim që dy sfidat më të mëdha me pasoja në të gjitha sferat janë të karakterit demografik e që janë emigrimet dhe lindshmëria, trendët e të cilave kanë marr përmasa shqetësuese dhe paraqesin “thembrën e Akilit” për shoqërinë kosovare si pasoj e neglizhencës ndaj zhvillimeve të këtyre dy parametrave demografik.
Për pasojë, sot Kosova ndodhet në kuptimin e plot të fjalës në krizës demografike, e konstatuar kjo edhe me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 – të dhënat e të cilit treguan se Kosova po tkurret, po zbrazet dhe po plaket, procese këto me të cilat dita-ditës kriza po thellohet gjithnjë e më tepër.
Fluksi i lartë emigrues, duke përfshirë ikjen e forcës riprodhuese me pasoj uljen e lindshmërisë, e ka vendosur vendin përpara një sfide ekzistenciale
Trendi i emigrimit nga Kosova
Kontribuuesi kryesor në disavantazhet e tendencave demografike dhe sfida më e madhe në 18 vjet pavarësi, padyshim që është emigrimi, përcjell me pasoja në të gjitha proceset demografike, posaçërisht në normën e lindshmërisë.
Emigrimi i popullsisë nga Kosova në vendet evropiane nuk është fenomen i ri. Kosova gjatë gjithë shekullit XX dhe në fillimin e shekullit XXI ishte dhe mbeti territor tipik emigruese. Shkaktarët kryesorë të cilat detyruan popullsinë të emigrojë ishin dhe mbeten: niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, shkatërrimet nga luftërat, si dhe situata jo e favorshme politike etj. Ekzistojnë edhe arsye të tjera që ndërlidhen me emigrimin, siç është pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës me gjendjen aktuale të perspektivës socio-ekonomike dhe me nivelin e përgjithshëm të mirëqenies, manifestuar këto me shkallë të lartë të papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve, si dhe përqindja e lartë të njerëzve që jetojnë në varfëri duke shkaktuar humbjen e perspektivës për jetë më të mirë dhe të sigurt në Kosovë – sidomos te të rinjtë, si bartësit e te gjitha proceseve shoqërore.
Në periudhën 2000-2024, Kosovën e kanë braktisur rreth 450 mijë banorë (sipas statistikave të ASK-së), ndërsa sipas burimeve alternative, numri arrin deri ne 520 mijë banorë, me mesatare rreth 22 mijë banor brenda vitit. Edhe me shqetësues është fakti se vetëm në periudhën 2011-2024, jashtë shtetit kanë emigruar mbi 400 mijë banorë.
Se emigrimet kanë marr përmasa shqetësuese, e dëshmon edhe fakti se në të njëjtën periudhë bilanci migrues i Kosovës ishte negative për mesatarisht mbi minus 21 mijë banorë në vit.
Gjithashtu, shqetësues është fakti se bazuar në studime të ndryshme të realizuara në vend, rreth 60 përqind e të anketuarve kanë shprehur dëshirën të ikin nga Kosova – kryesisht gjenerata të reja 20 deri në 40 vjeç të cilët përbëjnë rreth gjysmën e numrit të emigrantëve dhe të cilët përbejnë kontingjentin kryesor demografik dhe lindshmërisë, kontingjentin e punës, te sigurisë etj., duke shkaktuar rënie te “kapitalit human” si bartësin kryesor të zhvillimit socio-ekonomik .
Emigrimet e shekullit XXI janë valët më të pafavorshme të emigrimeve deri tani në Kosovë. Ky trend po zhvillohet në rrethana të reduktimit të lindshmërisë, rënies së shtimit natyror, me tendenca te rënies të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe procesit të përshpejtuar të deformimit të strukturave te popullsisë, sidomos asaj sipas moshës drejt plakjes së popullsisë. Përveç numrit të përgjithshëm të emigrimit, shqetësues është sidomos fakti se emigrimet e kësaj periudhe kanë marr karakter familjar (familje të tëra po largohen) – qoftë si familje apo edhe me bashkim familjar.
Si pasojë e mungesës së politikave të mirëfillta, emigrimet e popullsisë, sot për sot më tepër mund të konsiderohen humbje dhe kërcënim, sesa pasuri dhe partner – edhe pse në realitet diaspora është pasuri shumë e çmuar në themelimin e vet shtetit të Kosovës. Në favor të këtij konstatimi shkojnë edhe të dhënat e konstatuara në sondazhe të ndryshme, ku në pyetjen ne lidhje me ndikimin e emigrimeve ne zhvillimet e ardhshme në vend, 55.4 përqind mendojnë se ndikimet do të jen negative, 15.3 përqind se nuk do të ketë asnjë ndikim ndërsa vetëm 11.6 përqind mendojnë se emigrimet do të kenë ndikim pozitiv në zhvillimet e ardhshme në vend.
Gjithashtu, pasojat e emigrimit manifestohen në të gjitha segmentet e jetës: a) demografike (madhësinë e popullsisë, duke shkaktuar humbjen e asaj pjese të popullsisë, e cila përbën potencial zhvillimi, nivelin e lindjeve, rritjes natyrale të popullsisë dhe strukturat e popullsisë – demografike, ekonomike, sociale, etnike etj., përcjell kjo me shpopullim natyror, emigracionin e trurit, plakjes të popullsisë etj.; b) socio-ekonomike (rritjes së ulët e PBB-së për kok banori, ngadalësim i rritjes ekonomike, humbje e fuqisë punëtore, ulje e konkurrencës dhe ndikimi negativ në sistemin shoqëror dhe pensionet, emigrim të personave të kualifikuar etj.); c) për sigurinë e vendit (në shekullin XXI, koncepti i “sigurisë” është transformuar shumë dhe nuk barazohet vetëm me sigurinë ushtarake, por përfshin edhe lloje të tjera, të tilla si siguria demografike, ekonomike, ekologjike, politike dhe lloje të tjera të sigurisë); d) në sistemin arsimor (zvogëlimi i numrit të nxënësve dhe studentëve ne te gjitha nivelet e arsimit) etj.
Me qëllim që emigrimet e popullsisë të mos shndërrohen në problem demografik, socio-ekonomik, të sigurisë etj., është e domosdoshme krijimi i modelit të qëndrueshëm të migrimeve që nënkupton: a) kontroll të migrimeve – që ato të jen të rregullta, të sigurta dhe të përgjegjshme, b) të mos shndërrohen në problem demografik, socio-ekonomik dhe të sigurisë; c) krijimin, zbatimin dhe menaxhim të mire të “politikave të migrimit”.
Trendët e lindshmërisë
Në vitet 2024, në Kosovë është regjistruar numri më i vogël i lindjeve që nga viti 1920, respektivisht 1939. Numri i të lindurve në Kosovë në periudhën 2000-2024 është zvogëluar nga 38 687 (më 2000, lindjet vetëm në Kosovë), në 21 487 (2024), që nënkupton gati përgjysmim të lindjeve (minus 44.5 përqind), ndërsa në krahasim me kohën – me numrin më të lart të lindjeve që ishin vitet ‘80 të shekullit të kaluar – numri i lindjeve është zvogëluar për 161 pëeqind ose për 2.6 herë. Për përmasat e zvogëlimit të numrit të lindjeve më së miri flet fakti se në Kosovë në vitin 2000 brenda ditës kanë lindur mesatarisht 106 foshnje, ndërsa në vitin 2024 ky numër zvogëlohet në 59 lindje në ditë.
Gjithashtu, duhet të theksohet fakti se për zhvillim të qëndrueshëm demografik të çdo vendi ose regjioni, minimumi është arritja e tipit stacionar të popullsisë (ku gjenerata e ardhshme të jetë e njëjtë me atë ekzistuese – zëvendësim i brezave), që niveli i fertilitetit të përgjithshëm duhet të jetë 2.1 fëmijë për grua.
Kosova ndodhet larg parimeve te zhvillimit te qëndrueshëm pasi që niveli i fertilitetit të përgjithshëm ne vitin 2024 Kosova kishte 1.6 fëmijë për grua ose rreth minus 32 përqind nën nivelin për ripërtëritje të thjeshtë të popullsisë.
Nuk ka dyshim që në këta trendë të lindshmërisë dhe në normën e fertelitetit të përgjithshëm, ndikim vendimtar kanë emigrimet, pasi që afër gjysmën e kontingjentit emigrues e përbëjnë grup moshat të afta për riprodhim. Këtë e vërteton edhe fakti se lindjet jashtë vendit sot përbëjnë një të tretën e numrit të përgjithshme te lindjeve të Kosovës – nga një e pesta në vitin 2011.
Fluksi i lartë dhe selektiviteti i emigrimeve (grupmoshat 20-40 vjeç përbëjnë afër gjysmën e emigrantëve) dhe trendi i shpejt i uljes së lindshmërisë kanë përshpejtuar procesin e plakjes së popullsisë. Kosova po plaket. Kështu, deri sa në vitin 2011, grupmoshat mbi 60 vjeç përbënin 9.6 përqind të popullsinë, në vitin 2024 kjo pjesëmarrje u rrit në 16.1 përqind. Se popullsia e Kosovës po plaket e dëshmon edhe fakti i rritjes së popullsisë sipas grupmoshave ne periudhën 2011-2024, ku grup moshat e reja 0-19 vjeç treguan tendencë të zvogëlimit për minus 25.9 përqind, grupmoshat 20-59 vjeç zvogëlim për minus 5.2 përqind, ndërsa vetëm grup moshat mbi 60 vjeç kanë treguar rritje për 49.7 përqind (janë dyfishuar).
Në fund, Kosova po përjeton krizën më të thella demografike në historinë e saj moderne. Anashkalimi i proceseve demografike ose zhvillimi stihik (spontan) i tyre padyshim që do të çojë në një thellim të mëtejshëm të krizës demografike, ekonomike dhe sociale, e cila paraqet kërcënim për zhvillimin e vendit. duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë socio-ekonomike të vendit në periudhë afatgjate.
Nëse trendët demografike në Republikën e Kosovës vazhdojnë me dinamikën ekzistuese, pa ndërmarrjen e masave të politikave popullative afatgjata të cilat do ta bënin të mundur ndërprerjen e trendëve të tillë, në veçanti të emigrimeve, atëherë e ardhmja demografike e Kosovës do të jetë e “zymtë” dhe trendët demografikë do të zhvlerësojnë të gjitha përpjekjet e tjera për zhvillim. Prandaj, masat e politikave popullative janë domosdoshmëri dhe emergjencë për Kosovën si pjesë e politikave të përgjithshme zhvillimore.
Pa një qasje strategjike, pasojat do të jenë gjithnjë e më të dukshme, me implikime të mëdha shoqërore dhe ekonomike, duke thelluar krizën demografike dhe duke rrezikuar zhvillimin e qëndrueshëm demografik dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës. E ardhmja e Kosovës, por edhe e gjithë botës, do të varet nga mënyra se si do të zgjidhet ky problem.