Policia Rajonale e Ferizajt ka ndëshkuar pesë shoferë për tejkalim të shpejtësisë në rrugën Ferizaj–Gërlicë, në fshatin Varosh, gjatë kontrolleve të realizuara në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga shoferët, E.S. (22 vjeç), është ndaluar duke drejtuar veturën VW Golf me shpejtësi 166 km/h në zonën ku kufizimi ishte 60 km/h. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse e heqjes së patentë shoferit për gjashtë muaj.
Ndërkohë, katër shoferë të tjerë janë ndaluar për tejkalim të shpejtësisë dhe janë ndëshkuar me nga 300 euro gjobë, tri pikë negative dhe heqje të patentë shoferit për tre muaj. F.I. (45 vjeç) është ndaluar me shpejtësi 150 km/h, D.H. (34 vjeç) me 146 km/h, D.M. (24 vjeç) me 130 km/h, ndërsa E.SH. (19 vjeç) me 113 km/h.
Matja e shpejtësisë është realizuar me veturën inteligjente të policisë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve të rregullta dhe të intensifikuara me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.
Policia ka apeluar tek të gjithë shoferët që të respektojnë shenjat dhe rregullat e trafikut, duke theksuar se shkeljet mund të raportohen në numrat emergjentë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/