Turneu i fundit i bateristit me [grupin] The Who, solli shkatërrim llambadarësh, koncerte të anuluara, teprime me drogë dhe një vizitë në një repart psikiatrik.
Nga: Ian Winwood / The Telegraph (titulli: ‘There was more blood than you ever saw in your life’: Keith Moon’s mission to destroy himself)
Përkthimi: Telegrafi.com
Duke shpresuar se do të qetësojnë ekseset më të egra të Keith Moonit, në shkurt të vitit 1976 [grupi] The Who e dërgoi bateristin e tyre te një specialiste e njohur për shërimin e yjeve të rokut nga varësitë e tyre më të rënda. Pasi kishte ndihmuar Eric Claptonin të kapërcente varësinë nga heroina, shpresohej që Dr. Meg Patterson do të bënte të njëjtën gjë për prirjen në rritje të Moonit ndaj kokainës.
Por, jo. Në fund të një konsultimi të gjatë në një klinikë në Rrugën “Harley” të Londrës, Dr. Patterson i tha pacientit të saj: “Nuk keni nevojë për trajtimin tim. Ajo që ju nevojitet është Jezu Krishti”.
Është joshëse të bësh tallesh se Biri i Zotit mund të ishte pas divanit, nëse Mooni do ta kishte thirrur. I prirë për kënaqësi dhe i pakontrollueshëm – madje edhe ndaj vetes – në kohën e turneut amerikan të The Who, në mars, 50 vjet më parë, ai prej kohësh ishte një figurë publikisht e njohur e kaosit. Në dekadën që kishte kaluar qëkur bateristi shkatërroi dhomën e tij të parë hoteli, më 30 tetor 1966, në “Berlin Hilton”, rrëmuja ishte rritur në përpjesëtim me famën e tij.
Para vizitës te Dr. Matthews, Mooni kishte marrë pjesë në një festë në hotelin “Beverly Wilshire” në Kaliforni, të organizuar për ditëlindjen e vëllait të mikut të tij dhe bashkëpunëtorit në kaos, aktorit Oliver Reed. Ndërsa një e re e veshur me pak gjëra kërceu guximshëm nga një tortë gjigante, bateristi nxiti një luftë me ushqim që shpejt u përshkallëzua në shkatërrim nga një person. Të ftuarit e tjerë u tmerruan nga egërsia me të cilën u thyen enët dhe llambadarët. Duke marrë frymë me vështirësi, përgjegjësi për gjithçka mbeti me një dorë të çarë.
“Njerëzit bërtisnin dhe dilnin me vrap, sepse Mooni po spërkaste gjak kudo dhe gjithçka ishte në kaos”, kujtoi Reedi. “Kamerierët po çmendeshin dhe truprojat po godisnin njerëzit”. Pavarësisht se iu kërkua të paguante një faturë prej dhjetëra mijëra dollarësh, aktorit nuk iu lejua më kurrë hyrja në “Wilshire”.
Moon duke festuar ditëlindjen e 28-të me të dashurën e tij Annette Walter-Lax (majtas), dhe modelen Lori Maddox në hotelin “Beverly Wilshire” në gusht të vitit 1974(Foto: Michael Ochs Archives/Getty Images)
Megjithëse rokënroli nuk ka qenë kurrë shumë i suksesshëm në kujdesin për fëmijët e tij të dëmtuar dhe shpërthyes, 50 vjet më parë shëndeti dhe siguria reduktoheshin pak a shumë në shpresën për më të mirën. Në rastin e burrit të quajtur “Muni i krisur” [Moon the Loon], gjendjet e dukshme dhe sigurisht të thella të shëndetit mendor – çrregullimi i personalitetit ishte pothuajse me siguri midis këtyre gjendjeve – mbetën të padiagnostikuara dhe të patrajtuara në favor të mbajtjes së koncerteve në turne.
Në një farë mënyre, të paktën kështu. Pas një serie të shkurtër, por inkurajuese koncertesh në Evropë – gjatë të cilave Mooni performoi pa ndihmën e drogës apo të alkoolit, për herë të parë (sipas pretendimit të tij) në një dekadë – etapa e parë e turneut amerikan nisi me luhatje, pasi bateristi humbi tri fluturime ditore transatlantike nga Parisi. I mbetur në Qytetin e Dritës, ai e kaloi kohën duke shkatërruar edhe më shumë llambadarë dhe një suitë hoteli të mbushur me mobile antike të stilit të Mbretit Luixh.
Kur më në fund nisi turneu në ShBA, bashkëmenaxheri i grupit, Peter Rudge, dërgoi një memorandum tek organizatorët dhe publicistët, me miratimin e bateristit, duke i udhëzuar të hiqnin alkoolin nga dhoma e zhveshjes dhe suitat e hotelit të tij. Ky plan, ndryshe i lavdërueshëm, hasi në pengesë në natën e hapjes në “Boston Garden”, kur mungesa e pijeve e shtyu Moonit të gëlltiste një grusht hapash për të qetësuar nervat. Sipas një anëtari të ekipit teknik, kur erdhi momenti i hapjes së perdes, ai “nuk ishte në vete”.
The Who në Ouklend, Kaliforni, në tetor 1976 (Mooni në bateri, me Pete Townshendin në kitarë(Foto: Ed Perlstein/Redferns/Getty Images)
Të detyruar ta ndërprisnin koncertin pas vetëm tri këngëve, për grupin nisën, në mënyrë të pashmangshme, pasojat në zinxhir. Me kosto të konsiderueshme, ata u detyruan të shpallnin një shtyrje 24-orëshe të koncertit të natës pasuese në sheshin “Madison” në Nju-Jork, si dhe një vonesë 48-orëshe për një koncert në arenën “St Paul Civic Center” në Minesotë. Në rend dite u shtua gjithashtu një datë e riplanifikuar në Boston.
Siç ka thënë dikur legjenda e bejsbollit Yogi Berra, ishte sikur déjà vu-ja përsëritej sërish. Në vitin 1973, një koncert në “Cow Palace” në San Francisko ishte shpëtuar nga një baterist 19-vjeçar, Scott Halpin, i cili u ngrit nga turma pasi Mooni, i qetësuar me medikamente, ra pas setit të tij 70 minuta pas fillimit të performancës. (Pasi u rikthye në vete nga ekipi përcjellës që e futën nën një dush të ftohtë, çuditërisht u kthye në skenë brenda gjysmë ore.)
Tri vjet më vonë, i izoluar në një hotel në Nju-Jork, Mooni luftonte me mërzinë dhe veturrejtjen në mënyrën e tij të zakonshme. Ai telefonoi bashkëmenaxherin Bill Curbishley për ta njoftuar se kishte ndërmend të shkatërronte edhe një suitë tjetër. Pasi e kreu punën, një orë më vonë telefonoi asistentin e grupit, Dougie Clarke, për t’i thënë se ishte prerë. Duke ndier panik në zërin e Moonit, Clarke thirri Curbishleyn dhe që të dy u ngjitën me ashensor në dhomën e tij.
Moon në skenë në Xheksonvil të Floridës, në gusht të vitit 1976(Foto: Mickey Adair/Getty)
“Ka pasur më shumë gjak sesa keni parë ndonjëherë në jetën tuaj”, ka thënë Curbishley. “Ishte një qilim me ngjyrë të çelët dhe gjaku dukej i zi, shumë i errët. Eca përgjatë korridorit të suitës dhe kishte gjak deri në dhomën e ndenjjes. Hyra në dhomën e gjumit dhe Keithi ishte shtrirë aty – dhe pastaj vura re se gjaku po i vinte nga këmba”.
Ai vazhdoi: “Nuk ishte një prerje shumë e madhe, por shumë e thellë, në pjesën e sipërme të shputës, deri në venë, dhe me çdo rrahje të zemrës gjaku shpërthente jashtë. Ishte aq i dehur saqë nuk e kuptonte. Kishte ecur nëpër apartament me gjakun që i rridhte nga këmba, derisa u dobësua aq shumë sa humbi ndjenjat”.
Në turne në ShBA prej pak më shumë se një dite, Mooni kishte përjetuar tashmë dy urgjenca mjekësore. Me durimin e tendosur sa lëkura e një daulleje, Curbishley i acaruar i bëri kërcënime për lëndime të mëtejshme bateristit të zbehtë. Mjekët që e trajtuan Moonit në një spital në Menheten konfirmuan se pacienti do të kishte vdekur nga hemorragjia nëse do të ishte lënë pa ndihmë për pak më gjatë.
Megjithëse etapa e parë e turneut amerikan të The Who kaloi pa kërcënime të tjera për jetën apo gjymtyrët, Mooni u dëshmua si shoqërues i mërzitshëm. Ditë e natë ishte si të ishe në praninë e një mushke të ngarkuar me eksplozivë të fuqishëm. Një nga shoqëruesit e tij u lodh aq shumë nga mungesa e gjumit, saqë e kërcënoi bateristin me një shishe të thyer (një rojtar amerikan i sigurimit e pengoi sulmin). Kur mbërriti në aeroportin “Heathrow”, pas tri javësh në turne, Mooni dukej aq i drobitur sa partnerja e tij, Annette Walter-Lax, në fillim nuk e njohu në sallën e mbërritjeve.
Moon me veturën e tij klasike në Los Anxhelos në vitin 1976(Foto: Eddie Sanderson/Getty)
“Ishte një Keith Moon që ishte i mirë deri në orën dy të pasdites”, ka thënë John Entwistle, basisti i grupit. “Ishte krejt normal, pastaj pinte një kanaçe birrë dhe shndërrohej në përbindësh. Kishte një zemër të madhe, por kishte edhe një anë tjetër që mund të ishte tmerrësisht e ligë. E kam parë t’i bëjë kamerierët me lot, duke u bërtitur atyre, në mënyrë të turpshme të keqe. Herëve të tjera ishte i mrekullueshëm. Dhe, zakonisht tregohej bujar në ndjesë për diçka që kishte bërë”.
Në të vërtetë, ai mund të ishte shumë i sjellshëm. Pasi u kontaktua nga kujdestarët e një 13-vjeçari me probleme, Mooni e ftoi djalin në suitën e tij në hotelin “Kensington Royal Garden”, për një bisedë. Pasi i siguroi transport vajtje-ardhje me limuzinë nga vendqëndrimi i adoleshentit në “King’s Cross”, Mooni i tregoi mysafirit një seri artikujsh shtypi për aventurat e tij të çmendura. Një vëmendje e veçantë iu kushtua një episodi në aeroportin “Prestwick” në Skoci, ku bateristi ishte arrestuar pasi kishte rrëzuar një terminal kompjuteri dhe kishte valëvitur një armë imituese.
“Kjo më kushtoi një natë në burg, ku u trajtova si zotëri”, i shpjegoi ai djalit. “Shtypi shkruan për mua sepse jam i famshëm. Nuk do të shkruajnë për ty nëse shkatërron gjëra, sepse askush nuk e di kush je. Për mua është publicitet falas. Për ty kjo do të çojë vetëm në burg. A e kupton”? Pa bujë, më vonë atë javë bateristi pagoi për një set të ri instrumentesh për klubin rinor të djalit.
Duke festuar në rezidencën e “Playboy”-t në korrik të vitit 1978(Foto: Getty)
Sikur të kishte qenë po aq i sjellshëm me veten. Më 11 gusht 1976, dy ditë pas një koncerti në “Miami Stadium”, sjellja e tij në rënie bëri që ai të transportohej me ambulancë nga hoteli “Fontainebleau” në një institucion psikiatrik. “Ishte tamam si Fluturimi mbi folenë e qyqes” e përshkroi vendin një anëtar i turneut. Në mënyrë të pabesueshme, ndërsa ishte i shtruar, Mooni dha një intervistë për një DJ lokal. “Nuk mbaj mend shumë për këtë”, shpjegoi ai. “M’u morën mendtë … dhe humba ndjenjat, pastaj u zgjova këtu”.
Deri atëherë, dritat po fillonin të shuheshin. Më 12 qershor, The Who kishin dhënë një koncert në “Vetch Field” në Suanzi, që do të ishte hera e fundit kur Moon doli para publikut me biletë në Britani. (Grupi do të jepte tri koncerte vetëm me ftesë në vitin 1977 dhe më 1978 për dokumentarin The Kids Are Alright.) Më 21 tetor, performanca e grupit në “Maple Leaf Gardens” në Toronto do të ishte koncerti i fundit publik i bateristit kudo në botë.
Ishte edhe një album me The Who. I publikuar në gusht 1978, Who Are You parapriu vdekjen e Moonit me vetëm një muaj. Në një kuptim, koha ishte shumë e përshtatshme. Me pankun që kishte bërë një revolucion të zhurmshëm efektiv – për të cilin Pete Townshend, udhëheqësi de facto i grupit, ishte shumë i vetëdijshëm – The Who u kursyen nga lidhja e mëtejshme me teprimet e tipit “yll roku” që u bënë të dala nga moda pothuajse brenda natës. Në fakt, kënga me të njëjtin titull si albumi u shkrua pas një nate të rëndë me anëtarët e [grupit] Sex Pistols.
– YouTube youtu.be
Dhe, sidoqoftë, mund të ketë qenë që pjesa tjetër e grupit kishte filluar tashmë të largohej shpirtërisht nga bateristi i tyre. Ose, ndoshta grupi ishte pjekur disi. Në verën e vitit 1976, ndërsa Mooni po rikuperohej në atë që atëherë quhej çmendinë në Miami, Roger Daltrey, këngëtar i grupit, dha një intervistë në të cilën, në mënyrë mjaft parashikuese, përcaktoi dallimin mes jetës dhe vdekjes për ata që bëjnë rokënrol.
“Do të jem i sinqertë me ty, për një kohë isha zhytur plotësisht në atë jetën e yllit të rokut”, i tha ai Michael Grossit të revistës “Rock”. “Shkoja në një klub të ri çdo gjashtë minuta. Duhej të kisha 10 gra në natë. Pija një paund hashash në ditë. Oh, isha tmerrësisht i keq, vërtet isha. Më i keqi nga të gjithë. Dhe, pastaj një ditë u zgjova dhe thashë: ‘Për çfarë dreqin po e bëj këtë? Kjo nuk është ajo që ka rëndësi. Ky nuk është thelbi. Thelbi është të jesh atje lart në skenë’”.
Moon me Walter-Laxi në Londër në ditën kur ai vdiq: 7 shtator 1978(Foto: Watal Asanuma/Shinko Music/Getty)
Në mënyrën që do të rezultonte fatale – duke luajtur për publikun me një përkushtim kaq ekstrem – Mooni e jetoi të gjithë jetën sikur të ishte në skenë. Kjo nuk mund të zgjaste, sigurisht, dhe nuk zgjati. Në moshën 32-vjeçare, më 7 shtator 1978, njeriu më i egër i rokënrolit ndërroi jetë pas një mbidoze me qetësues të destinuar për të lehtësuar dëshirën për alkool.
“Keith tani prehet në krematoriumin ‘Golders Green’”, theksoi Curbishley vite më vonë me një ironi të hollë. “Ai jetoi sipas vargut himn të The Who-s: ‘Shpresoj të vdes para se të plakem’”. /Telegrafi/