Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkuar te familja e Fadil Fazliut i cili u lirua të martën nga Gjyakta Speciale.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar familja Fazliu ishte në shërbim të atdheut në të gjitha fazat historike të përpjekjeve për liri.
“Vëllai i dy Heronjve, Fadil Fazliu, kaloi edhe një sfidë të padrejtë, që i ndodhi atij sikurse bashkëluftëtarëve që gjenden ende në Hagë: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala”, ka shkruar ai.
Tutje Haradinaj tha se pas kthimit të tij në familje, pati nderin ta vizitoj Fadil Fazliun, për t’i shprehur respektin për qëndrueshmërinë e tij dhe për sakrificën e familjes Fazliu ndër breza.
“I gëzohemi kthimit në atdhe e po ashtu të Gjeneral Haxhi Shalës, Bashkim Smakajt, Nasim Haradinajt, Isni Kilajt dhe Hysni Ngucatit. Presim lirimin e të gjithëve, që t’u bashkohen familjeve të tyre dhe të korrigjohet kjo padrejtësi”, ka shkruar Haradinaj duke bërë thirrje që më “Më 17 shkurt, në ora 14:00, bashkohemi të gjithë në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, në mbështetje të luftës sonë të drejtë e çlirimtare”. /Telegrafi/