Në skenën e muzikës kosovare, talenti i ri po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, duke sjellë energji dhe kreativitet në performancat live. Një nga emrat që po spikatin është DJ Spin By Celina, i cili në një intervistë për Telegrafin ka rrëfyer rrugëtimin e tij nga fillimet deri te arritjet më të mëdha profesionale.
“Që në moshën 15 vjeçare kam nisur rrugëtimin tim si DJ. Muzika ka qenë gjithmonë një nga pasionet e mia, ndërsa inspirimi kryesor ka ardhur nga kultura amerikane e Hip Hopit”, shpjegon ai.
Fillimet e tij ishin të thjeshta, duke performuar në evente private me shokët e adoleshencës, ndërsa më pas nisi të marrë pjesë si promo artist në festivale të ndryshme. “Performancat e para zyrtare i kam realizuar me emrin artistik Fattizzle, ndër të cilat ishin Ngomfest dhe Dokufest në Prizren, prej nga edhe vij”, thotë ai, duke theksuar lidhjen e tij të fortë me qytetin e origjinës.
Foto: DJ Spin By Celina/Instagram
Karriera e tij vazhdoi në lokale të ndryshme të Prishtinës dhe ai ndërtoi edhe bashkëpunime të shumta me RedBull Kosova. “Në vitin 2022 kam performuar edhe në festivalin Sunny Hill, një eksperiencë që më ka dhënë shumë energji dhe besim në karrierën time”, shton DJ Spin By Celina.
Ndër arritjet më të mëdha që ai përmend janë performancat e përbashkëta me artistë globalë si Skepta, Stormzy, Burna Boy, M Huncho, Young T & Bugsey dhe Morad, duke treguar kështu nivelin e lartë profesional ku ka arritur.
Foto: DJ Spin By Celina/Instagram
Një tjetër kapitull i rëndësishëm i karrierës së tij është bashkëpunimi me Capital T. “Me Capital T njihemi prej shumë vitesh dhe bashkëpunimin e kemi nisur në fund të vitit 2023. Përvoja e punës me të është e veçantë, sidomos në aspektin kreativ. Capital T është një artist i zgjuar, pozitiv dhe gjithmonë i gatshëm për punë dhe projekte të reja që do të vijnë së shpejti”, tregon DJ Spin By Celina.
Ai shton se gjatë turneve diskutojnë vazhdimisht për performancën, përzgjedhjen e këngëve dhe vizualet që shfaqen në ekranin e skenës, ndërsa roli i tij nuk kufizohet vetëm tek DJ-ing në live performanca, por përfshin edhe ide dhe dizajn kreativ.
Foto: DJ Spin By Celina/Instagram
Muzika për DJ Spin By Celina është pjesë e identitetit të tij. “Jam rritur me frymën e Hip Hopit amerikan, nga old school deri tek ajo që dëgjojmë sot, dhe besoj se shumë të rinj në Kosovë kanë një shije unike që na lidh me këtë kulturë”, shprehet ai.
Sipas tij, të rinjtë sot kanë mundësi më të lehta për promovim përmes rrjeteve sociale, ku mund të shprehin talentin e tyre dhe të krijojnë audiencën e tyre. /Telegrafi/
Foto: DJ Spin By Celina/Instagram