“Wine & Stories of Berat” ishte koncerti i vetëm i rep-artistit Capital T gjatë këtij viti, ndërsa pas një periudhe të gjatë me koncerte, udhëtime dhe performanca, ai vendosi të marrë një pauzë nga skena.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, artisti ka treguar se kjo shkëputje ishte e nevojshme për të, jo vetëm për arsye profesionale, por edhe personale, derisa konfirmon rikthimin e tij të fuqishëm në skenën muzikore.
“Wine & Stories of Berat ishte koncerti im i vetëm për këtë vit. Kjo pauzë nga skena ishte diçka që më duhej më shumë sesa e kisha mendu. Pas kaq shumë vitesh me koncerte, udhëtime, net pa gjumë, skena, festivale, qytete, shtete dhe mijëra njerëz përballë meje, këtë vit mora një vendim të vetëdijshëm: të mos bëja performanca”.
Foto: Capital T / Instagram
“Një pjesë e këtij vendimi erdhi duke parë situatat nëpër të cilat po kalojmë si popull. Ka momente kur muzika dhe festa nuk mund të ekzistojnë krejtësisht të shkëputura nga realiteti që na rrethon. Ndonjëherë duhet të ndalesh, të shikosh përreth dhe të kuptosh se çfarë po ndodh jashtë botës tënde”.
“Por kjo pauzë kishte edhe një arsye tjetër shumë personale. Doja kohë. Kohë larg zhurmës, larg presionit të vazhdueshëm për të qenë gjithmonë prezent, larg ritmit këngë –> koncert –> këngë –>koncert”.
Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe është fokusuar në studio, ku po punon për një album të ri.
“Doja ta ktheja gjithë atë energji përsëri në studio dhe në muzikë. Duke punu për një album të ri. Një album që për mua nuk është thjesht vazhdimi i asaj që kam bërë deri sot. Dua të flas për gjëra të tjera. Të prek tema që ndoshta nuk i kam prek më parë. Të tregoj perspektivën e njeriut që jam sot, pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm artistin që publiku e njeh deri tani. Dhe pikërisht këtë vit më ka ndodh të mendoj shumë edhe për rrugëtimin”.
Foto: Capital T / Instagram
Në këtë periudhë reflektimi, artisti ka rikthyer vëmendjen edhe te 20 vitet e tij në muzikë, duke e cilësuar këtë rrugëtim si një lloj “time capsule”.
“20 YEARS LIVE. Tamam “time capsule”. Kur kthehem dhe shoh 20 vite muzikë, skena, ide, rrezik, eksperimente dhe momente që në atë kohë ndoshta nuk kuptoheshin plotësisht, e kuptoj sa shumë ka ndryshu industria jonë”.
“Mbaj mend kohën kur investimi në koncerte, produksion, skenografi, performancë dhe eksperiencë live nuk ishte standard. Kur ideja ishte të krijonim diçka më të madhe se thjesht të dilnim në skenë në klubet e natës dhe të këndonim disa këngë. Gjithmonë kam dasht me i shty kufijtë. Të krijoj trende, jo vetëm t’i ndjek ato”, theksoi ai mes tjerash.
Foto: Capital T / Instagram
Reperi po ashtu ka folur për kolegët e tij të cilët viteve të fundit janë përqendruar tek koncertet e mëdha, derisa e sheh si diçka shumë pozitive dhe se standardi është ngritur.
“Dhe sot, kur shoh pothuajse të gjithë industrinë duke u kthyer drejt koncerteve të mëdha, produksioneve serioze dhe performancave live, nuk e shoh si konkurrencë.Përkundrazi. It makes my heart warm. Sepse do të thotë që kultura është rrit. Standardi është ngrit. Artistët po ëndërrojnë më shumë dhe publiku po kërkon më shumë. Dhe në një mënyrë të çuditshme”.