Daniel Craig, i njohur për rolin e James Bond, ka investuar në një pub historik në Londër, i cili thuhet se është i pushtuar nga fantazma e një xhelati.
Aktori 58-vjeçar është bërë bashkëpronar i lokalit “The Horseshoe”, në zonën e Clerkenwell, së bashku me tre miq të tij.
Mes bashkëpronarëve janë Nick Jones, pronar i Soho House, Charlie Carroll, themelues i rrjetit të restoranteve Flat Iron, dhe Justin O’Shea, drejtor krijues i markës së birrës Bad Belze, shkruan DailyMail.
Pub-i është rreth 250 vjet i vjetër dhe, sipas ish-pronares Pauline Tucker, bodrumi i tij përndiqet prej dekadash nga fantazma e një xhelati vendas.
Tucker ka treguar se pronarët e rinj nuk ishin informuar për historinë e pazakontë të lokalit gjatë shitjes.
Sipas saj, fantazma nuk shihet, por prania e saj ndihet. Craig, megjithatë, duket se e ka marrë me humor këtë rrëfim, duke bërë shaka se mund t’i lënë një birrë në bodrum, duke iu drejtuar fantazmës me emrin Gilbert.
Investimi ka edhe një lidhje personale për aktorin. Craig është rritur në bare, pasi prindërit dhe gjyshërit e tij drejtonin lokale në Cheshire. Ai ka kujtuar se kalonte shumë kohë mes klientëve dhe se pub-et ishin vende ku njerëzit mblidheshin për të biseduar dhe për të ndarë shqetësimet e tyre.
Aktori planifikon ta rinovojë “The Horseshoe”, por ka theksuar se nuk synon ta kthejë në një gastropub modern.
Ndërkohë, pas përfundimit të aventurës së tij si James Bond, Craig po përgatitet për projekte të reja në kinema, përfshirë adaptimin e Greta Gerwig të “The Chronicles of Narnia”, ku do të luajë xhaxha Andrew Ketterley. Ai interpretoi agjentin 007 në pesë filma, nga viti 2006 deri në vitin 2021. /Telegrafi/