Nga: Sarfraz Manzoor / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Ankthi është një rrezik profesional për shkrimtarin. Për tri dekada kam siguruar jetesën nga shkrimi dhe nuk mbaj mend një kohë kur nuk më ka shkaktuar ankth.
Kur fillova, shqetësimi im ishte si të bindja redaktorët e botimeve që të më jepnin një mundësi për të shkruar. Më vonë u shqetësova nga kufizimi, u shqetësova për pasigurinë e përhershme financiare që vjen me punën si i pavarur, dhe u shqetësova se askush nuk do të ishte i interesuar të më linte të shkruaja atë që dëshiroja të shkruaja. Sot, i kam ende të gjitha këto shqetësime, por atyre u është shtuar një ankth më i ri: se do të zëvendësohem nga inteligjenca artificiale [IA].
Përveç karrierës sime si shkrimtar, jap edhe mësim për shkrimin faktik [non-fiction] në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL), ku përpiqem t’i bind studentët e mi se aspirata të bëhesh shkrimtar në kohën e ChatGPT-së nuk është krejtësisht e çmendur. Përkundër të gjitha paralajmërimeve të zymta për rrezikun e IA-së, prirem të besoj se ajo ende nuk mund ta përsërisë atë që e bën shkrimin e madh të jetë i madh, apo edhe atë që e bën një shkrim të jetë i veçantë.
Doja t’ua demonstroja këtë studentëve të mi, ndaj shpika eksperimentin i cili, me shpresë, do të shfaqte kufizimet e IA-së. U kërkova të lexonin dy artikuj. Njëri ishte një kolumne e shkruar unë, duke reflektuar për mënyrën se si, në një vit aq të paparashikueshëm sa 2026-ta, gjeta ngushëllim në gjërat që ishin të parashikueshme. Tjetri ishte i gjeneruar nga ChatGPT-ja, të cilin e kisha udhëzuar të shkruante 700 fjalë duke bërë të njëjtin argument “në stilin e Sarfraz Manzoorit”.
I shtypa të dyja pjesët në të njëjtin font dhe format. Qëllimi ishte i thjeshtë: të tregoja se, për gjithë rehatinë joshëse që ofron, shkrimi i prodhuar nga IA-ja është i aftë, por i zbrazët. Doja që studentët e mi të krahasonin specifikën, shkathtësinë dhe ritmin e shkrimit tim me atë që prodhonte IA-ja. Çdo lexues paksa inteligjent, besoja unë, do të mund të shihte se pjesa ime ishte më superiore në çdo aspekt. Ky, të paktën, ishte plani.
U dhashë studentëve kohë për të lexuar të dy artikujt dhe pastaj kërkova komentet e tyre. Për habinë time, shumica thanë se e preferonin versionin e IA-së. Thanë se ishte më mirë i argumentuar, më qartë i strukturuar, më ambicioz në shtrirje, dhe – kjo ishte goditja më e fortë – disa madje më thanë se ishte më personal se i imi. Kjo dhemb: një pjesë e gjeneruar nga IA-ja ishte më “personale” sesa ajo e shkruar nga një person i vërtetë.
Kur tregova se artikulli i parë ishte i imi dhe i dyti e gjeneruar nga IA-ja, pati një pauzë teksa ata e përpunonin këtë informatë. Shumë nga ta dukeshin vërtet të habitur – dhe disa ndoshta mendonin nëse mund të kthenin për paratë që kishin paguar për shkollimin. Pastaj shpjeguan arsyetimin e tyre. Ishin kryesisht studentë ndërkombëtarë – shumë prej tyre kinezë – dhe referencat kulturore nuk i kishin kuptuar. Nuk kishin dëgjuar për [këngën] Disco 2000 të [grupit] Pulp, [aktoren] Bonnie Blue apo [politikanin] Nigel Farage, dhe kështu gjërat që unë i kisha përfshirë për të pasur një ndjeshmëri te lexuesit ishin pikërisht ato që ua kishin vështirësuar atyre lidhjen.
E pranoj që në fillim u ndjeva i zhgënjyer që studentët preferuan versionin tim të bërë me IA sesa atë të vërtetin. Por, kur hulumtova pse e preferuan artikullin e dytë, fillova të ndihesha më optimist. U bë e qartë se ata ishin mësuar të vlerësonin shkrimin me sinjalizime të qarta, që lëvizte rrjedhshëm nga një pikë në tjetrën, dhe që ishte i zhveshur nga personaliteti apo thumbimet – shkrim që lexohej më shumë si ese.
Artikulli im, në njërën anë, supozonte një kujtesë të përbashkët dhe referencat e përbashkëta kulturore dhe kishte shaka. Studentët që ishin më të shkathtë në media – ata që më thanë se ishin abonentë të gazetave – ishin më pak të bindur nga versioni i IA-së. Njëri tha se ndihej “i ftohtë”, të tjerët e quajtën diçka që lehtë harrohet, dhe disa vunë re se ishte e pamundur të dije kur mund të ishte shkruar. Në anën tjetër, artikulli im përmbante një rresht të cilin një student e citoi dhe e përshkroi si të paharrueshëm, ndërsa një tjetër u bind të dëgjonte për herë të parë Disco 2000.
Me fjalë të tjera, artikulli i IA-së ishte i aftë, por që harrohet, ndërsa i imi kërkonte më shumë nga lexuesi, por ofronte më shumë shpërblim. IA-ja ofronte iluzionin e thellësisë, të paketuar në banalitet të zbutur që mezi mund të kalonte si njohuri. Për disa studentë, kjo ishte e mjaftueshme.
Por, siç u thashë atyre, ndonëse mund të kishte mashtruar ata, dyshoj shumë se do të kishte mashtruar redaktorin që kishte porositur artikullin. Po ta kisha dorëzuar atë version të dytë, besoj se do të më thuhej se ka nevojë për më shumë punë, se duhej të ndihej më personal dhe se i mungonte një zë autentik autorial.
A do të zëvendësohem ndonjë ditë nga IA? Është e mundur, por jo e pashmangshme.
Detyra ime për pjesën tjetër të semestrit është të mësoj studentët e mi jo vetëm si të bëhen shkrimtarë më të mirë, por edhe si të njohin dhe vlerësojnë shkrimin që është vërtet njerëzor, në vend të një përafrimi të hollë si letra.
Cilësitë që gjithmonë i kam besuar si tipare të shkrimit të mirë – zëri, specifika – nuk u vlerësuan menjëherë nga të gjithë studentët e mi. Por, ndoshta, kjo është pikërisht arsyeja pse ato ende kanë rëndësi. /Telegrafi/