Fizioterapia te personat me paraplegji nuk nënkupton vetëm ushtrime për lëvizjen. Ajo synon të ruajë funksionet që personi ka, të forcojë pjesët e trupit që marrin më shumë ngarkesë, të parandalojë plagët, kontrakturat dhe komplikimet e tjera, si dhe ta përgatisë personin për lëvizje, transferime dhe një jetë sa më të pavarur
Xhekush Ademi,
PT Fizioterapeut
Paraplegjia shfaqet kur dëmtohet palca kurrizore ose strukturat nervore që përcjellin sinjalet ndërmjet trurit dhe pjesës së poshtme të trupit. Zakonisht preken të dyja këmbët, ndërsa funksioni i duarve ruhet. Varësisht nga niveli dhe rëndësia e dëmtimit, mund të humbasin plotësisht ose pjesërisht lëvizja dhe ndjeshmëria në këmbë, por mund të ndikohen edhe ekuilibri, muskujt e barkut dhe shpinës, kontrolli i fshikëzës dhe zorrëve, funksioni seksual, presioni i gjakut dhe rregullimi i temperaturës së trupit.
Kjo është arsyeja pse paraplegjia nuk duhet parë vetëm si “pamundësi për të ecur”. Për fizioterapeutin pyetja kryesore është: çfarë funksionesh ka ruajtur personi dhe si mund të shfrytëzohen ato sa më mirë?
Dy persona me paraplegji mund të kenë aftësi krejt të ndryshme
Dëmtimi i palcës kurrizore mund të jetë i plotë ose jo i plotë. Në dëmtimet jo të plota mund të ruhet një shkallë e ndjeshmërisë ose e lëvizjes poshtë nivelit të dëmtimit. Për vlerësimin neurologjik përdoret klasifikimi ndërkombëtar AIS – ASIA Impairment Scale.
Megjithatë, diagnoza dhe niveli i dëmtimit nuk tregojnë të gjithë historinë. Dy persona me dëmtim në të njëjtin nivel mund të funksionojnë shumë ndryshe: njëri mund të ketë kontroll të pjesshëm të këmbëve, ndërsa tjetri jo; njëri mund të qëndrojë ulur pa ndihmë, ndërsa tjetrit mund t’i nevojitet mbështetje. Për këtë arsye nuk ekziston një program i vetëm ushtrimesh që është i përshtatshëm për të gjithë.
Fizioterapia fillon me vlerësimin, jo me ushtrimet
Para se të vendosë çfarë duhet ushtruar, fizioterapeuti vlerëson forcën e muskujve që funksionojnë, lëvizshmërinë e nyjave, ndjeshmërinë, ekuilibrin në pozicionin ulur, spazmat, gjendjen e lëkurës, funksionin e shpatullave dhe duarve, mënyrën e frymëmarrjes dhe tolerancën ndaj aktivitetit.
Por vlerësimi duhet të jetë edhe shumë praktik. A mund të kthehet personi vetë në shtrat? A mund të ulet pa humbur ekuilibrin? A mund të kalojë nga shtrati në karrocë, nga karroca në tualet ose në automobil? A mund të vishet dhe të kujdeset për higjienën? A e shtyn karrocën pa dhimbje në shpatulla?
Pikërisht këto aftësi përcaktojnë objektivat e rehabilitimit.
Çfarë ushtrimesh bëhen në fizioterapi?
Nëse personi nuk mund t’i lëvizë këmbët, fizioterapeuti mund t’i lëvizë ato në mënyrë pasive dhe të kontrolluar. Këto lëvizje ndihmojnë në ruajtjen e lëvizshmërisë së nyjave dhe në zvogëlimin e rrezikut të ngurtësimit. Nëse ekziston qoftë edhe një pjesë e lëvizjes aktive, personi inkurajohet ta përdorë atë sa më shumë që është e sigurt.
Një pjesë shumë e rëndësishme janë ushtrimet e ekuilibrit në pozicionin ulur. Personi mëson të zhvendosë peshën majtas e djathtas, përpara dhe prapa, të ruajë ekuilibrin pa mbështetje dhe të kapë objekte të vendosura në drejtime të ndryshme. Këto nuk janë ushtrime vetëm “për muskujt”; ato e përgatisin personin për veshjen, larjen, transferimet dhe aktivitetet e tjera të përditshme.
Forcimi i krahëve, shpatullave dhe muskujve të shpinës është po aq i rëndësishëm. Mund të përdoren ushtrime me peshën e trupit, shirita elastikë ose rezistencë të përshtatur. Ngarkesa duhet të rritet gradualisht, sepse shpatullat e personit që përdor karrocë do të punojnë shumë më tepër gjatë gjithë ditës.
Ushtrohen gjithashtu kthimi nga shpina në anë, kalimi nga shtrirja në ulje, transferimi nga shtrati në karrocë dhe anasjelltas, ngritja dhe pozicionimi i trupit, si dhe manovrimi i karrocës. Te personat me funksion motorik të ruajtur mjaftueshëm mund të punohet edhe në qëndrimin e asistuar në këmbë dhe, kur është e mundur, në ecjen me ortoza apo mjete të tjera ndihmëse.
Aktiviteti aerob është gjithashtu pjesë e rehabilitimit. Në varësi të aftësive mund të përdoret ergometri për duar, biçikleta e përshtatur, ushtrimet në ujë ose stimulimi elektrik funksional. Ushtrimet e frymëmarrjes dhe të kollitjes mund të jenë veçanërisht të rëndësishme te personat me dëmtime më të larta, kur muskujt që ndihmojnë frymëmarrjen dhe kollitjen janë më të dobët.
Shpatullat duhet të mbrohen që nga fillimi
Te një person që përdor karrocë manuale, krahët shtyjnë karrocën, ngrenë dhe pozicionojnë trupin dhe kryejnë transferet disa herë në ditë. Me kalimin e viteve kjo mund të çojë në mbingarkesë dhe dhimbje të shpatullave.
Prandaj fizioterapeuti nuk duhet vetëm t’i “forcojë krahët”. Duhet të mësojë teknikën e drejtë të transferimit dhe shtytjes së karrocës, të ruajë lëvizshmërinë e shpatullës dhe të krijojë ekuilibër ndërmjet grupeve të ndryshme muskulore. Edhe përshtatja e karrocës me trupin e përdoruesit është shumë e rëndësishme.
Te personi me paraplegji, mbrojtja e shpatullave është edhe mbrojtje e pavarësisë së tij.
Lëkura duhet kontrolluar edhe kur nuk dhemb
Në zonat ku ndjeshmëria është zvogëluar ose mungon, personi mund të mos ndiejë presion, nxehtësi, fërkim ose një dëmtim të vogël. Kjo krijon rrezik për plagë nga presioni – dekubitus.
Prandaj duhen kontrolluar rregullisht zonat që mbajnë peshën e trupit, të ndryshohet pozicioni dhe të bëhet shkarkimi i presionit gjatë qëndrimit në karrocë. Jastëku i karrocës dhe sipërfaqja e shtratit duhet të përshtaten sipas nevojave individuale.
Edhe një skuqje që nuk largohet duhet marrë seriozisht. Plagët nga presioni nuk janë problem vetëm i lëkurës; ato mund të ndërpresin rehabilitimin për një kohë të gjatë dhe të shkaktojnë komplikime serioze.
Spazmat mund të jenë sinjal se diçka tjetër nuk shkon
Disa persona zhvillojnë spasticitet – muskujt bëhen më të tendosur dhe mund të shfaqen spazma ose lëvizje të pavullnetshme. Fizioterapia mund të ndihmojë me pozicionim, lëvizje të kontrolluara, aktivitet fizik dhe ruajtjen e fleksibilitetit.
Megjithatë, nëse spazmat shtohen papritur, duhet kërkuar edhe shkaku. Një infeksion urinar, fshikëz e mbushur, kapsllëk, plagë në lëkurë, dhimbje apo një irritim tjetër mund ta shtojnë spasticitetin. Pra, jo çdo spazmë duhet trajtuar vetëm duke “shtrirë muskujt”.
Transferimi duhet mësuar, jo improvizuar
Kalimi nga shtrati në karrocë, nga karroca në tualet, në ulësen e dushit apo në automobil është një nga aftësitë kryesore të rehabilitimit. Teknika e gabuar mund të shkaktojë rrëzim, dëmtim të lëkurës ose mbingarkesë të shpatullave.
Fizioterapeuti duhet ta mësojë personin të shfrytëzojë forcën që ka, të pozicionojë karrocën siç duhet dhe ta kryejë transferimin me sa më pak ngarkesë të panevojshme. Kur personi nuk mund ta bëjë vetë, duhet të mësohet edhe familjari ose kujdestari si ta ndihmojë në mënyrë të sigurt.
Qëndrimi në këmbë nuk është gjithmonë hapi i ardhshëm
Ngritja graduale e personit në pozicionin në këmbë, me ndihmën e pajisjeve të posaçme ose ortozave, mund të jetë pjesë e rehabilitimit, por nuk është e përshtatshme për çdo person.
Pas dëmtimit të palcës kurrizore kockat mund të dobësohen, duke rritur rrezikun e frakturës. Gjithashtu, gjatë ngritjes mund të bjerë presioni i gjakut – hipotension ortostatik – dhe të shfaqen marramendje, turbullim i shikimit, dobësi apo ndjenjë të fikëti.
Prandaj qëndrimi në këmbë duhet të bëhet gradualisht dhe pas vlerësimit të kujdesshëm të gjendjes së personit.
FES dhe robotika janë ndihmë, jo zëvendësim i fizioterapisë
Stimulimi elektrik funksional – FES – përdor impulse elektrike për të aktivizuar muskuj që personi nuk arrin t’i aktivizojë vetë. Mund të përdoret, për shembull, gjatë pedalimit me biçikletë të përshtatur. Pajisjet e avancuara robotike shërbejnë si mjete plotësuese mbështetëse, por nuk mund të zëvendësojnë punën klinike dhe vlerësimin e fizioterapeutit.
Aktiviteti fizik duhet të vazhdojë përtej sallës së fizioterapisë
Pas përfundimit të fazës intensive të rehabilitimit, personi nuk duhet të kalojë në jetë sedentare. Aktiviteti aerob dhe ushtrimet e forcës duhet të vazhdojnë sipas aftësive dhe gjendjes shëndetësore.
Sporti i përshtatur, noti, basketbolli në karrocë, tenisi dhe aktivitete të tjera mund të përmirësojnë kondicionin, forcën, vetëbesimin dhe pjesëmarrjen sociale. Rehabilitimi i mirë synon pikërisht kthimin e personit në jetën reale, jo mbajtjen e tij pafundësisht në sallën e fizioterapisë.
Fshikëza dhe zorrët ndikojnë edhe në fizioterapi
Pas dëmtimit të palcës kurrizore mund të ndryshojë kontrolli i fshikëzës dhe zorrëve. Menaxhimi i tyre kërkon bashkëpunim të mjekut, infermierit dhe profesionistëve të tjerë, por edhe fizioterapeuti duhet të jetë i informuar.
Një fshikëz e mbushur, kapsllëku apo infeksioni urinar mund të ndikojnë në gjendjen e përgjithshme, aktivitetin fizik dhe spasticitetin. Prandaj këto probleme nuk duhet parë të ndara nga rehabilitimi.
Disrefleksia autonome – një shenjë alarmi që duhet njohur nga fizioterapeuti
Te personat me dëmtime të palcës kurrizore në nivelin T6 ose më lart mund të shfaqet disrefleksia autonome, një gjendje urgjente që mund të shkaktojë rritje të madhe dhe të papritur të presionit të gjakut. Mund të paraqiten dhimbje e fortë koke, djersitje e theksuar, skuqje e fytyrës dhe shqetësim i madh.
Shkaku mund të jetë një fshikëz e mbushur, kateteri i bllokuar, problemet me zorrët ose presioni mbi lëkurë. Kjo gjendje kërkon reagim të menjëhershëm.
Kur duhet ndalur ushtrimi?
Ushtrimi duhet ndërprerë dhe gjendja duhet të rivlerësohet kur shfaqen plagë të reja në lëkurë, ënjtje e papritur e gjymtyrëve, dhimbje e re, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, marramendje e fortë gjatë ngritjes, rritje e pazakontë e spazmave ose shenja të disrefleksisë autonome.
Parimi është i thjeshtë: jo çdo problem zgjidhet duke ushtruar më shumë. Ndonjëherë detyra më e rëndësishme e fizioterapeutit është të kuptojë kur duhet ndalur dhe kërkuar shkaku mjekësor.
Qëllimi nuk është të ecë me çdo kusht
Te disa persona me dëmtim jo të plotë, rikthimi i ecjes me ose pa mjete ndihmëse mund të jetë objektiv realist. Te të tjerë, objektivi më i rëndësishëm është të transferohen vetë, të përdorin karrocën në mënyrë të pavarur, të ruajnë lëkurën dhe shpatullat, të kujdesen për veten dhe të kthehen në punë, shkollë, familje dhe jetë shoqërore.
Kjo nuk është më pak rehabilitim.
Suksesi te paraplegjia nuk matet vetëm me numrin e hapave që personi arrin të bëjë. Ai matet edhe me funksionin që ruhet, komplikimet që parandalohen dhe shkallën e pavarësisë që personi arrin në jetën e vet.
Ky është edhe qëllimi kryesor i fizioterapisë: të mos fokusohet vetëm te ajo që është humbur, por të ndërtojë sa më shumë mbi atë që personi ende mund të bëjë. /Telegrafi/