Vargjet eksplicite të Allan Ginsbergut patën ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë amerikane. Kur dy persona dolën në gjyq për publikimin e tyre, vendimi gjyqësor shënoi një moment historik në zbutjen e censurës.
Nga: Shaun Curran / BBC (titulli: ‘Revolutionary in form and content’: How the obscenity trial against 1950s poem Howl reshaped US free speech)
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 7 tetor 1955, Allen Ginsbergu e interpretoi për herë të parë poemën e tij Ulërima [Howl], e destinuar të bëhej një vepër përcaktuese e Brezit Bit [Beat Generation] – një nënkulturë letrare, boheme dhe jokonformiste, që hidhte poshtë rendin shoqëror të ShBA-së pas Luftës së Dytë Botërore.
Vetëm një grup i vogël njerëzish të përzgjedhur u mblodh në Galerinë “Siks” [Six Gallery] në San Francisko. Megjithatë, më pak se dy vjet më vonë, Ginsbergu dhe Ulërima do të bëheshin famëkeq. Në vitin 1957, të dy u gjendën në qendër të një gjyqi të bujshëm për paturpësi [obscenity], i cili do ta ndryshonte për dekada drejtimin e censurës letrare dhe do të ndihmonte në liberalizimin e Amerikës së viteve ’50 të shekullit XX – në kohën e Luftës së Ftohtë.
Libri i Ginsbergut, Ulërima dhe poezi të tjera [Howl and Other Poems] – albumi klasik i interpretimit të tij të drejtpërdrejtë të vitit 1959 po ribotohet këtë muaj në pllakë gramafoni – u shit në pak kopje kur u vendos për herë të parë në raftet e [librarisë] “City Lights Books” në San Francisko në vitin 1956. Por, me gjyqin, përmbajtja e poemës me 112 strofa shkaktoi më pas zemërim në mbarë vendin. Grupet fetare dhe autoritetet konservatore u tronditën nga fjalori i saj profan dhe nga përshkrimet eksplicite të përdorimit të drogës, homoseksualitetit dhe sëmundjeve mendore.
– Lexo po ashtu: Të gjitha lajmet nga Allen Ginsberg
Ginsbergu duke lexuar veprën e tij në Sheshin e Uashingtonit në Nju-Jork, në vitet ‘60 të shekullit XX(Foto: Getty Images)
“[Botimi i saj] ndodhi pothuajse në kulmin e kulturës së Luftës së Ftohtë”, thotë Jonah Raskin, autor i Klithmës amerikane: “Ulërima” e Allen Ginsbergut dhe krijimi i Brezit Bit [American Scream: Allen Ginsberg’s Howl and the Making of the Beat Generation]. “Në një kohë të censurës së lajmeve dhe informacionit, konformizmit të skajshëm, shtypjes së njerëzve për bindjet e tyre politike dhe për faktin se ishin homoseksualë”.
E shtypur në Angli për të ulur shpenzimet, Ulërima u importua në ShBA për t’u shitur. Dërgesa e parë mbërriti pa probleme, por në mars të vitit 1957, dogana amerikane konfiskoi 520 kopje të ardhura nga Mbretëria e Bashkuar me arsyetimin se ishin të paturpshme: një inspektor u tha gazetarëve se “nuk do të donit që fëmijët tuaj ta hasnin”. Më pas, kur në qershor dy policë të infiltruar blenë një kopje të librit në “City Lights”, si pronari [poeti] Lawrence Ferlinghetti, ashtu edhe menaxheri i librarisë, Shig Murao, u arrestuan dhe u akuzuan për shitjen e materialit të paturpshëm.
Gjyqi u bë lajm kombëtar dhe vendimi përfundimtar në favor të Ferlinghettit dhe Muraos i hapi rrugën autonomisë artistike për breza të tërë. Gjykatësi Clayton Horn deklaroi se poema nuk ishte e pahijshme, duke pohuar në përfundimin e tij kryesor se Ulërima kishte “vlerë shoqërore përligjëse”. “Ishte pa dyshim një çështje historike për lirinë e fjalës, kundër censurës dhe për lirinë e shprehjes”, thotë Raskin.
Gjyqi i parë në ShBA për paturpësi letrare daton nga viti 1821, kur u ndalua romani i John Clelandit i vitit 1779, Fani Hilli: Kujtimet e një gruaje të kënaqësive [Fanny Hill: Memoirs of a Woman of Pleasure], për jetën e një punonjëseje seksi. Që nga shekulli XIX, ligji amerikan për paturpësinë ishte modeluar sipas atij britanik, i cili vetë bazohej në çështjen Rexhina kundër Hiklinit [Regina v. Hicklin] të vitit 1868, që kishte në qendër një pamflet antikatolik. Testi Hiklin përcaktonte se “testi i paturpësisë është nëse prirja … është t’i prishë moralisht dhe t’i korruptojë ata, mendjet e të cilëve janë të hapura ndaj ndikimeve të tilla imorale”. Si pasojë, librat e Oscar Wildeit, Ernest Hemingwayit, Henry Millerit dhe DH Lawrenceit u ndaluan pjesërisht ose plotësisht në ShBA.
“Censura letrare ishte gjallë dhe vepronte fuqishëm në vitet ’50 të shekullit XX”, thotë Ira Wells, autor i Mbi ndalimin e librave [On Book Banning]. “Në fakt, bordet shtetërore dhe bashkiake të censurës kryesisht po i zgjeronin kapacitetet e tyre për censurë. Ndonëse censorët ishin veçanërisht të preokupuar me romanet sensacionale prej dhjetë centësh, ata godisnin edhe materialet me përmbajtje seksuale, dhe veçanërisht ato me përmbajtje homoseksuale”.
Zanafilla e Ulërimës
Ginsbergu, bir i një babai socialist dhe i një nëne që iu bashkua Partisë Komuniste, nisi të shkruante më 8 qershor 1955 – pasi u zgjua nga një ëndërr në të cilën kishte biseduar me mikeshën e tij Joan Vollmer – atë që do të bëhej Ulërima. Ajo ishte shkrimtare e hershme e Brezit Bit, e cila vdiq në vitin 1951 pasi u qëllua me armë nga partneri i saj William S Burroughs – gjatë një incidenti të diskutueshëm, nën ndikimin e alkoolit, në Meksikë. Në ëndërr, shkroi Ginsbergu në ditarin e tij, Vollmeri e pyeti për miqtë e tyre të Brezit Bit. “Këta njerëz kishin vështirësitë e tyre me shëndetin mendor”, thotë David S Wills, autor dhe redaktor i revistës Beatdom. “Dhe, ai ishte shumë i vendosur t’i çmonte ata, t’ua dokumentonte jetën”.
Avokati mbrojtës Jake Ehrlich duke qëndruar me të pandehurit Lawrence Ferlinghetti dhe Shigeyoshi Murao gjatë gjyqit të “Ulërimës”(Foto: Getty Images)
Teksa poema të cilën Ginsbergu fillimisht e titulloi Regjistrim i ëndrrës: 8 qershor 1955 [Dream Record: June 8, 1955], u zhvillua në Ulërimën epike prej tri pjesësh, ai e paraqiti sëmundjen mendore si tragjedi personale dhe njëkohësisht si çështje shoqërore.
Ginsbergu kishte kaluar tetë muaj në Institutin Psikiatrik të Shtetit të Nju-Jorkut, gjatë viteve 1949 dhe 1950 – si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë pasi ishte dënuar për marrje të mallrave të vjedhura, ndërsa nëna e tij dhe partneri i tij afatgjatë, Peter Orlovsky, gjithashtu përballeshin me probleme të rënda të shëndetit mendor. Përvojat e tij me sëmundjen mendore, si të vetën ashtu edhe të të tjerëve, pasqyrohen në vargun hapës goditës të Ulërimës: “Pashë më të ndriturit e brezit tim të shkatërruar nga çmenduria, të uritur, histerikë, lakuriq”. Ginsbergu e shkroi pjesën e dytë në një përjetim të tmerrshëm psikodelik, gjatë të cilit pati halucinacionin se ndërtesa “Francis-Drejk” në San Francisko u bë monstruoze.
Përndryshe, Ulërima ishte kritikë e rreptë, me humor të errët, ndaj ortodoksive konservatore shtypëse të ShBA-së së viteve ’50 të shekullit XX. Hidhte poshtë konformizmin shoqëror dhe sulmonte “Molokun” – një referencë ndaj hyjnisë së korruptuar në Biblën Hebraike, i cili në halucinacionet e Ginsbergut ishte shndërruar në një simbol gjithëpërfshirës të të këqijave çnjerëzore që ai shihte në ShBA, konkretisht kapitalizmit, tiranisë së qeverisë dhe kompleksit ushtarako-industrial.
Ulërima promovonte mendimin e lirë, eksperimentimin me substanca dhe lirinë e hapur seksuale të homoseksualëve, përmes një gjuhe evokuese dhe imazheve surrealiste. Gjatë interpretimit bëheshin të dukshme edhe ritmet e saj të çrregullta, të ngjashme me xhazin. “Ajo mbart në vetvete një sfidë ngjitëse”, thotë Raskini. “Është revolucionare në formë dhe shumë, shumë revolucionare në përmbajtje”.
Si u zhvillua gjyqi
Në kohën kur gjyqi ndaj Ferlinghettit dhe Muraos nisi më 16 gusht 1957, ligji për paturpësinë [obscenity law] ishte zbutur, gjë që ishte në favor të tyre dhe të Ginsbergut. “Kishte shenja të para ndryshimi”, thotë Wellsi. Disa javë më parë, çështja Roth kundër Shteteve të Bashkuara kishte vendosur një standard të ri, sipas të cilit letërsia mbrohej nga e drejta e lirisë së fjalës, siç parashikohet në Amendamentin e Parë.
Megjithatë, prokuroria, e drejtuar nga Ralph McIntosh, argumentoi se Ulërima nuk kishte asnjë vlerë shoqërore, se nxiste delikuencën e të miturve dhe se Ferlinghetti dhe Murao kishin vepruar me qëllime të pahijshme. Mbrojtjen e udhëhoqi Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU), ndërsa avokati kryesor – avokati i njohur penalist, Jake Ehrlich – thirri nëntë studiues, kritikë dhe profesorë të shquar për të argumentuar vlerën artistike të veprës. Ginsbergu ndodhej në Evropë dhe në Afrikën e Jugut gjatë gjyqit, por i shkroi Ferlinghettit letra mbështetëse.
Një skicë e Ginsbergut duke dalë si dëshmitar i mbrojtjes gjatë gjyqit të “Shtatëshes së Çikagos”, në vitin 1969, kur lexoi pjesë nga “Ulërima”(Foto: Getty Images)
Vendimi i Hornit, më 3 tetor, kërkonte që fjalët e përdorura në letërsi të vlerësoheshin në kontekst dhe që, për të gjykuar nëse një vepër ishte e pahijshme, botimi të merrej parasysh në tërësinë e tij. Ai shtronte më tej pyetjen: “A do të kishte ndonjë liri të shtypit apo të fjalës nëse dikush do të duhej ta kufizonte fjalorin e vet në eufemizma pa përmbajtje”?
Ndikimi i vendimit
Pasojat kulturore të vendimit ishin sizmike. Për Ginsbergun, vendimi nënkuptonte jo vetëm afirmim, por edhe famë të bujshme dhe sukses: Ulërima dhe poezi të tjera arriti të shitej në një milion kopje. Vepra ia përforcoi bindjet dhe i dha më shumë guxim në krijimtarinë e tij. Rënia e Amerikës: Poezi të këtyre shteteve [The Fall of America: Poems of These States] i vitit 1973 përmbante materiale eksplicite në aspektin seksual, kundër luftës dhe kundër autoritetit. Edhe shkrimtarë të tjerë të Brezit Bit, si Burroughs dhe Jack Kerouac, u bënë të famshëm dhe përçuan një mesazh të lirisë radikale personale, lirisë seksuale dhe zgjimit shpirtëror. “Sikur Ulërima të mos kishte pasur një gjyq kaq të bujshëm, nuk do të kishte krijuar atë lloj force kulturore që e bëri Brezin Bit një dukuri ndërkombëtare”, thotë Wills.
Me rëndësi edhe më të madhe ishte fakti se precedenti i vendosur nga gjykatësi Horn çoi në një interpretim të gjerë dhe liberal të lirisë së fjalës. “Është pika e kthesës kur gjithçka ndryshon”, thotë Willsi. Gjatë disa viteve që pasuan, librat e ndaluar më parë në ShBA – nga Dashnori i Lejdi Çeterlisë [Lady Chatterley’s Lover] deri te Tropiku i gaforres [Tropic of Cancer] – i fituan gjyqet për heqjen e ndalimit të tyre. Botuesit u bënë më të guximshëm: “Gove Press” botoi në vitin 1962 romanin polemizues të Burroughsit, Dreka cullak [Naked Lunch]. “Fillojmë të shohim një hapje shumë më të madhe ndaj çdo gjëje që ka vlerë letrare”, thotë Willsi. “A do të kishte qenë e mundur kjo pa Ulërimën? Nuk besoj”.
Edhe Holivudi mori guxim nga vendimi për Ulërimën. Regjisorët tashmë mund ta përdornin standardin ligjor të “vlerës shoqërore përligjëse” për të anashkaluar Kodin e rreptë të Hejsit [Hays Code] të Shoqatës së Filmit dhe për të trajtuar tema që më parë ishin të ndaluara.
Qëndrimi i ri kundërkulturor, në kultivimin e të cilit ndihmuan Ulërima dhe rezultati i gjyqit për paturpësi, u përhap në të gjithë ShBA-në dhe më gjerë. “Gjithçka ndodhi me shpejtësi në vitin 1957”, thotë Willsi. “Dhe, më pas, në vitin 1958, u bë një obsesion kombëtar. Gjatë tri vjetëve të ardhshme, anembanë vendit pati një obsesion me bitin, bitnikët, hipsterët dhe bohemët. Më pas, kjo u shndërrua në lëvizjen e hipikëve. Ishte një efekt orteku”.
Pa dyshim, mund të hiqet një vijë lidhëse nga Ulërima deri te revolucionet shoqërore të viteve ’60 të shekullit XX. “Brezi i viteve ’60 të shekullit XX, që protestonte kundër Luftës së Vietnamit dhe segregacionit, ishin bijtë dhe bijat e Ulërimës”, thotë Raskini. Vetë Ginsbergu shihej si figura udhëheqëse e kundërkulturës së asaj dekade, duke frymëzuar Bob Dylanin dhe duke qenë një zë i fuqishëm kundër luftës.
Kur e ashtuquajtura “Shtatëshja e Çikagos” dolën në gjyq në vitin 1969 për protestat kundër Luftës së Vietnamit, Ginsbergu u thirr si dëshmitar i mbrojtjes për shkak të rolit të tij të rëndësishëm në organizimin e protestave, për të shpjeguar synimet paqësore dhe shpirtërore të lëvizjes së tyre. Gjatë dëshmisë së tij, në marrjen në pyetje nga pala kundërshtare, ai lexoi me pasion pjesë nga Ulërima. “Më shumë se një dekadë pas botimit të saj të parë, ajo kishte ende jetë dhe gjallëri të përtërirë”, thotë Raskini.
Megjithatë, historia tregon se debatet rreth censurës letrare nuk zgjidhen kurrë përfundimisht. Vitet e fundit është shënuar një rritje e numrit të librave të ndaluar në shkollat dhe bibliotekat e ShBA-së, ndërsa Shoqata Amerikane e Bibliotekave regjistroi shifrën rekord prej 5 668 rastesh të ndalimit të librave nga bibliotekat në vitin 2025.
“Disa [njerëz] janë ende të bindur se fjalët mund të veprojnë si një lloj infeksioni”, thotë Wellsi. “Gjykatësi Horn arriti në përfundimin se artistëve u nevojitej liria për t’i përdorur fjalët për të eksploruar dhe për të shprehur botën e tyre të brendshme. Nëse do të vazhdojmë ta kemi të drejtën për t’i lexuar këto shprehje, kjo mbetet një çështje e hapur”. /Telegrafi/