Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator–16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten dhe subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.
A.G. dhe B.Sh. akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësi në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Eko Regjioni’”, në vlerë prej 385,500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.
Prokuroria pretendon se nga këto veprime buxhetit të KRM “Eko Regjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233,685.37 eurosh.
Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.
Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve të kundërligjshme dhe ndikimit në dhënien e tenderit.
Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, duke përshtatur specifikat teknike të tenderit. /Telegrafi/