Kur feja, gjuha dhe dora e shkruesit merren për kombësi, shqiptari nuk zhduket nga historia se nuk ka qenë. Zhduket se e kanë futur në rubrikën e gabuar.
Shkruan: Maringlen Cara
Më 1623, Pjetër Mazreku i shkruante Romës nga Prizreni. Qyteti, thoshte, ka dymbëdhjetë mijë turq. Dhe menjëherë pas, tri fjalë: quasi tutti Albanesi. Pothuajse të gjithë shqiptarë.
Tri fjalë që do të mjaftonin për të kursyer tre shekuj pështjellimi, po t’i kishte lexuar kush.
Fjalia nuk bie ndesh me vetveten. Bie ndesh vetëm nëse një fjale të vitit 1623 i vëmë pasaportën e vitit 1923. Turk, në raportin e Mazrekut, nuk do të thoshte turk etnik. Ai e dinte mirë, se para syve kishte njerëzit, jo rubrikën. Në rubrikë, dymbëdhjetë mijë turq. Në qytet, pothuajse dymbëdhjetë mijë shqiptarë.
Nacionalizmi këtë dallim nuk e duroi.
Më 3 shkurt 1919, në Paris, Eleftherios Venizelos u ul përballë Wilsonit, Lloyd George-it, Clemenceau-së dhe Orlandos dhe u kërkoi Shqipërinë e Jugut. Epiri i Veriut, u tha, ka 120 mijë grekë dhe 80 mijë shqiptarë. Pastaj i shpëtoi një hollësi që nuk i vinte për mbarë: shumë nga grekët e tij greqisht nuk dinin. Flisnin shqip.
Për këtë kishte gati përgjigjen. Gjuha, tha, nuk është vendimtare. Myslimanët e Shqipërisë e kishin pranuar sundimin osman dhe ishin bërë turq të vërtetë. Të krishterët e Jugut kishin mbetur me Greqinë.
Ja ku qëndron, në procesverbalet e Konferencës së Paqes, nga goja e kryeministrit të Greqisë: shqiptari mysliman del nga historia nga një derë, shqiptari ortodoks nga tjetra. I pari bëhet turk, i dyti grek. Dhe asnjërit nuk i kërkohet ta ndërrojë gjuhën që flet në shtëpi.
Katër vjet më vonë, parimi mori formularë e vula. Brenda vitit mori edhe anije.
Konventa e Lozanës për shkëmbimin e popullsive, e 30 janarit 1923, nuk pyeste në ç’gjuhë u fliste një baba fëmijëve. Neni i parë urdhëronte shkëmbimin e detyrueshëm të shtetasve grekë “të fesë myslimane” me shtetasit turq “të fesë ortodokse greke”. Feja ishte bërë mjet administrativ, me vlerë ndërkombëtare, për të zhvendosur popullsi.
Që kjo hapte një çështje shqiptare, e dinin të gjithë. Njëmbëdhjetë ditë para nënshkrimit, delegati grek Dimitrios Caclamanos u zotua para konferencës se Greqia nuk do t’i shkëmbente myslimanët me prejardhje shqiptare. Delegati turk shtoi se Ankaraja donte turqishtfolës, jo shqiptarë.
Zotimi nuk i shpëtoi të gjithë. Dokumentet e Komisionit të Përzier, të cituara në korrespondencën që pasoi, japin rreth 1.500 myslimanë shqipfolës nga rrethi i Paramithisë të hipur në anije. Në gusht 1924, Shqipëria trokiste në Lidhjen e Kombeve: një letër e 11 gushtit, e qarkulluar si dokument C.399.1924.VII, me gjashtë anekse, dhe një pyetje e vetme. A po e mban Greqia fjalën e Lozanës?
Burokracia kishte arritur atje ku historiani kishte kohë që rrinte. Vëre fenë në rubrikën e kombësisë dhe shqiptari zhduket.
Në Kosovë, një rrymë e fortë e historiografisë serbe gjeti jo një, por dy dyer për ta nxjerrë. Shqiptarët e atjeshëm i shpjegonte njëherësh në dy mënyra, dhe të dyja shkonin krah për krah. Ose kishin ardhur pasi serbët ikën, pas shpërnguljes së madhe të 1690-s, e prandaj tokën e mbanin si ardhacakë. Ose ishin arnautash, serbë që kishin harruar gjuhën e fenë dhe ishin kthyer në shqiptarë, e prandaj shqiptarë nuk ishin fare. Erdhi dje. Ose gjyshi i tij ishte i yni. Rrugët janë dy, kufiri ku dalin është një.
Islami e bën tepër osman për të qenë i kësaj toke. Ortodoksia e bën të dikujt tjetër. Dy përfundime që e përjashtojnë njëri-tjetrin, me një funksion të vetëm.
Shqiptarët janë kudo në Ballkanin e sotëm dhe askund në të kaluarën e tij.
Kjo fjali është fryti i një shekulli shkrimesh. Për ta çuar deri në fund, duhej zhdukur edhe shqiptari i krishterë i dokumenteve të mesjetës. Dhe u zhduk: emrat e vet u vunë të dëshmojnë kundër tij.
Gjon Kastrioti zotëronte trevën mes Lezhës e Dibrës në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë. Kishte katër djem: Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin. Më 1426, ai dhe të bijtë i dhanë Hilandarit, manastirit serb në Malin Athos, të drejta mbi dy fshatra, Radostushën dhe Trebishtën. Nga ai vit deri më 1431, ai dhe tre nga djemtë blenë atje katër adelfate, pra të drejtën për të banuar në pronën e manastirit dhe për t’u ushqyer prej saj, në rast se turqit u merrnin gjithçka. Kulla e Shën Gjergjit që shkonte bashkë me këto të drejta quhet edhe sot Kulla Shqiptare, Arbanaški pirg. Reposhi shkoi atje dhe atje vdiq, më 1431. Një dorëshkrim i Hilandarit shënon edhe vdekjen e një murgu, Joakim Kastriot, që studiuesit e kanë identifikuar me Gjonin.
Karta e quan Ivan. Kjo na thotë vetëm në ç’gjuhë u shkrua karta.
Në narteksin e brendshëm, murgjit lanë një mbishkrim: Prestavi se rab božii Repoš, douks ilirskii, 6939. Ndërroi jetë shërbëtori i Zotit Reposh, dukë ilir, në vitin 6939 nga krijimi i botës. Shkruanin sllavisht. Emrat sllavë të familjes i kishin para syve. Dhe prapëseprapë, nën Reposhin shkruan dukë ilir. Çfarëdo që të përfshinte ajo fjalë më 1431, murgjit që e varrosën nuk mendonin se emri sllav e kishte mbyllur pyetjen se kush ishte ky njeri.
Vëllai më i vogël mblodhi emra siç i shpërndan kufiri. Në kartën e Hilandarit është Đurađ. Në letrat e Venedikut, Giorgio Castriota, i biri i Giovannit. Në shërbim të osmanëve u bë İskender Bey, dhe ai emër iu ngjit aq sa populli i vet e thërret ashtu edhe sot. Kronistët latinë e shkruanin Georgius. Burime sllave, venedikase, osmane e latine; tri alfabete; dhe askush nuk e pyeti atë. Shqipja në dokumentet e kohës së tij pothuajse nuk ekziston. Më 1462, gjashtë vjet para se ai të vdiste, aleati i tij, kryepeshkopi Pal Engjëlli, futi një fjali shqip, formulën e pagëzimit, brenda një dokumenti kishtar latin. Libri i parë i shtypur në këtë gjuhë doli më 1555.
Emri i një njeriu të shekullit të pesëmbëdhjetë, ashtu siç na ka mbërritur, dëshmon pra edhe se kush e mbante penën. Marifeti bëhet më pas. Është i njëjti marifet që e zbulon fjalia e Mazrekut, që Venizelos e tha me zë dhe Lozana e ktheu në procedurë: nga shtresat brenda të cilave ka jetuar një njeri, merr atë që të hyn në punë dhe shpalle njeriun e tërë.
Nëse Stanishi i bën Kastriotët serbë, atëherë rregulli le të ndiqet deri në fund.
Stefan është emër me prejardhje greke. E mbante çdo mbret nemanjid. Dushani u kurorëzua në Shkup sipas ritit bizantin, me tituj bizantinë, dhe e quante veten perandor i serbëve dhe i grekëve; kancelaria e tij, kur i drejtohej jugut, shkruante greqisht. Me metodën që e bëri Reposhin serb, Nemanjidët dalin grekë dhe Serbia mesjetare shtet grek.
Asnjë historian serb nuk do ta firmoste këtë fjali. Dhe bën mirë. Një kurorë që emrat dhe liturgjinë i merr nga Konstandinopoja mbetet kurora e popullit që iu bind. Shqiptari nuk kërkon asgjë më shumë nga ç’kërkon Serbia për vete.
Llogaria që më 5 shtator postoi varrin e Reposhit krahas helmetës së Vjenës dhe u tha shtatë mijë ndjekësve t’i ruajnë të dyja si trashëgimi serbe, e bëri këtë pikërisht ditën kur Dom Vojske në Beograd mbushej për Ratko Mladiçin. Poshtë postimit, njëqind komente grindeshin për një varr. Grindja është shumë më e vjetër se çdo llogari. E bënte Gopçeviçi më 1890. E bënin pamfletet e 1913-s, kur Serbia donte dalje në det dhe populli që i dilte përpara duhej të ishte një popull pa hero. Vladan Gjorgjeviçi, mjek dhe ish-kryeministër, shkruante atë vit se ishte, ç’është e vërteta, e pakëndshme t’ua marrësh arnautëve të vetmin hero që kanë nxjerrë ndonjëherë, kur serbët kanë me shumicë, por historia nuk mund të shtrembërohet për hatër të tyre. Dimitrije Tucoviçi iu përgjigj asaj letërsie një vit më vonë. Qëllimi i saj, shkruante, ishte të provohej se shqiptarët nuk janë të zotë për jetë kulturore e kombëtare, dhe si një nga absurditetet e saj veçoi pikërisht përpjekjen për ta shpjeguar Skënderbeun me gjak serb, shkruan Kosovodispatch.
Sauli, thonë Veprat e Apostujve, quhej edhe Pal. Asnjëri nga të dy emrat nuk e fshiu njeriun.
Regjistrat kanë mbetur. Kuzhinat ku emrat u thanë për herë të parë, jo.
Maringlen Cara shkruan për fenë, ligjin dhe jetën publike në Shqipëri e në rajon. Katolik dhe konservator kushtetues, ai beson se një kishë që i shërben shtetit pushon së qeni kishë.