Futbollistet e kombëtares së Spanjës do të kenë mundësi më të mëdha për të përfituar nga teknikat e riprodhimit të asistuar, përfshirë ngrirjen e vezëve, pas një marrëveshjeje të re të Federatës Spanjolle të Futbollit.
Marrëveshja, e cila do të jetë në fuqi deri në vitin 2029, është nënshkruar me klinikën e specializuar “Tambre” dhe synon t’u ofrojë lojtareve informacion më të plotë dhe qasje në trajtime të ndryshme të riprodhimit të asistuar.
Në kuadër të marrëveshjes, futbollistet do të mund të informohen dhe të kenë akses në procedura si ngrirja e vezëve dhe fekondimi in vitro, duke u mundësuar atyre që të marrin vendime më të informuara për të ardhmen e tyre familjare.
Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm dhe “novator”, ndërsa drejtuesja e futbollit të femrave, Reyes Bellver, theksoi rëndësinë e mbështetjes së sportisteve gjatë viteve të tyre më pjellore.
Sipas saj, qëllimi është që futbollistet të kenë informacionin dhe mbështetjen e nevojshme për çështjet që lidhen me fertilitetin, pa qenë të detyruara të sakrifikojnë karrierën e tyre sportive.
“Sportistet nuk duhet të zgjedhin mes jetës private dhe karrierës”, deklaroi Patri Guijarro, duke e përshëndetur marrëveshjen e re si një mundësi që mund t’u japë futbollisteve më shumë liri në planifikimin e së ardhmes.
Edhe Olga Carmona, e cila shënoi golin vendimtar në finalen e Kupës së Botës 2023, duke i siguruar Spanjës titullin e parë botëror në futbollin e femrave, e vlerësoi marrëveshjen si një hap shumë të rëndësishëm për futbollistet.
Nisma vjen në një kohë kur çështjet e fertilitetit dhe balancimit mes karrierës profesionale dhe jetës private po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në sportin e femrave. /Telegrafi/