Mohamed Ouahbi nuk ka ndjekur kurrë rrugën tipike që të çon drejt drejtimit të një kombëtareje në Kupën e Botës. Ai nuk ishte futbollist dhe as nuk e ndërtoi karrierën e tij duke fituar trofe në nivelet më të larta të futbollit.
Për gjysmën e jetës së tij, Ouahbi ishte mësues i edukimit fizik. Ai u dha mësim fëmijëve nga mosha gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç në një shkollë në Bruksel. Kur përfundonte mësimi, ai ndërronte klasën me fushën e stërvitjes, duke vazhduar në një mënyrë tjetër të bënte pikërisht atë që e donte më së shumti.
Kështu nisi historia e “Trajnerit Momo”, njeriut që tani do ta udhëheqë Marokun kundër Francës, në një përballje ku në lojë është bileta për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
I lindur 49 vjet më parë në Bruksel, në një familje me origjinë marokene, Ouahbi e zbuloi futbollin që në fëmijëri.
Ai ndoqi Kupën e Botës të vitit 1986, kur “Luanët e Atlasit” arritën për herë të parë në raundin e 16 më të mirave.
Ajo kombëtare i zgjoi një ndjenjë përkatësie që nuk u shua kurrë, edhe pse i gjithë zhvillimi i tij personal dhe profesional ndodhi në Belgjikë.
Nga klasa në stolin e Kupës së Botës
Në moshën vetëm 21-vjeçare, Ouahbi nisi të trajnonte te Maccabi Brussels. Ishte fillimi i një rruge të qetë, por të qëndrueshme, që do të merrte një kthesë vendimtare në vitin 2003, kur Anderlecht e kontaktoi.
Ai iu bashkua klubit belg për të drejtuar ekipin U9 në Neerpede dhe përfundoi duke kaluar 17 vjet në akademinë e Anderlechtit.
Me kalimin e viteve, ai u ngjit hap pas hapi në strukturën e klubit, duke u shndërruar në një nga trajnerët më të respektuar të akademisë, ndërsa në disa raste shërbeu edhe si ndihmës-trajner i ekipit të parë, në krah të legjendës shqiptare, Bensik Hasi.
Disa nga talentet më të mëdha të futbollit belg gjatë dy dekadave të fundit kanë kaluar nëpër duart e tij.
Romelu Lukaku, Youri Tielemans, Jérémy Doku dhe Dodi Lukebakio janë vetëm disa prej emrave që u formuan nën metodologjinë e tij.
Stërviti edhe çiklistin e famshëm, ndërsa zbulon edhe rëndësinë e shkollimit për lojtarët
Madje, nën drejtimin e Ouahbit u stërvit edhe Remco Evenepoel, përpara se të largohej nga futbolli dhe të bëhej një nga çiklistët më të mirë në botë.
“E kishim Remcon te Anderlecht deri në nivelin U19”, kujtoi vetë Ouahbi disa muaj më parë.
Trajneri maroken ka theksuar gjithmonë rëndësinë e arsimit në zhvillimin e një futbollisti, duke e lidhur disiplinën shkollore me suksesin në sport.
“Kur isha në akademinë e të rinjve të Anderlechtit, e kuptuam se lojtarët që arrinin në ekipin e parë ishin ata që kishin diplomë të shkollës së mesme. Sot, futbolli është shumë i strukturuar. Lojtarët kanë nevojë për disiplinë dhe arsimi i ndihmon shumë në këtë drejtim”, ka shpjeguar Ouahbi.
Është një filozofi që ai e kishte zbatuar për vite me radhë në klasë dhe që më vonë e solli edhe në dhomën e zhveshjes.
Thirrja që ia ndryshoi jetën
Pas një periudhe të shkurtër në Arabinë Saudite, ku punoi përkrah Yannick Ferreira te Al-Fateh, erdhi telefonata që do t’ia ndryshonte rrjedhën e karrierës.
Në vitin 2022, presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, vendosi t’i besonte drejtimin e kombëtares U20 të Marokut. Ai e kishte ndjekur nga afër punën e Ouahbit në Belgjikë dhe ishte i bindur se ai ishte njeriu i duhur për të vazhduar projektin që federata e kishte ndërtuar prej vitesh.
Në vetëm tre vjet, Ouahbi ndërtoi një skuadër të re, konkurruese dhe me një identitet shumë të qartë. Maroku fitoi Kupën e Botës U20, pasi mposhti Argjentinën në finale.
Më pas, pas largimit të Walid Regraguit, federata i hapi derën Ouahbit për të marrë drejtimin e kombëtares së parë.
Befasi, por doli e këndshme për Marokun
Vendimi ishte surprizues për shumëkënd. Ai ishte një trajner pothuajse i panjohur për publikun e gjerë, pa përvojë në drejtimin e një kombëtareje të të rriturve dhe i emëruar vetëm disa muaj para Kupës së Botës.
Megjithatë, Federata Marokene nuk hezitoi dhe rezultatet deri më tani i kanë dhënë të drejtë.
Me një moshë mesatare prej vetëm 26.4 vjeç, Maroku është skuadra e tretë më e re në turne dhe një nga ekipet që ka impresionuar më së shumti.
“Lojtarët e rinj shpesh kritikohen se nuk i dëgjojnë më të vjetrit dhe se ndjekin rrugën e tyre. Por në këtë skuadër është e kundërta. Ata dëgjojnë me shumë kujdes stafin e trajnerëve dhe lojtarët veteranë. Ka një respekt të madh të ndërsjellë”, ka thënë Ouahbi.
Ky ndryshim në mentalitet e përmbledh karakterin e Mohamed Ouahbit më mirë se çdo gjë tjetër.
Tani, ndalesa e radhës për “Trajnerin Momo” dhe Marokun është Franca, në një përballje të madhe që mund t’i çojë “Luanët e Atlasit” në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. /Telegrafi/
