Paris Brunner po përjeton momentin më të mirë të karrierës së tij dhe paraqitjet e sulmuesit të ri të Monacos kanë bërë që emri i tij të lidhet me disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Sulmuesi gjerman, vetëm 20-vjeçar, ka nisur sezonin në mënyrë fantastike në Francë, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Monacos dhe duke tërhequr vëmendjen edhe të përzgjedhësit të Gjermanisë, Jurgen Kloppit.
Shpërtheu te Dortmundi
Brunner e nisi rrugëtimin drejt futbollit të madh në moshën 14-vjeçare, kur iu bashkua akademisë së Borussia Dortmundit në vitin 2020.
Gjatë katër viteve në nivelet e të rinjve të klubit gjerman, ai shënoi plot 56 gola në 74 paraqitje, duke treguar shumë shpejt se bëhej fjalë për një talent të veçantë.
Kulmi me ekipet e moshave të Gjermanisë erdhi në vitin 2023. Brunner fitoi Kampionatin Evropian U17, ku shënoi katër gola dhe ndau Këpucën e Artë, ndërsa u shpall edhe lojtari i turneut.
Po atë vit, ai ishte protagonist edhe në triumfin e Gjermanisë në Kupën e Botës U17 në Indonezi. Shënoi pesë gola, përfshirë një në finalen ndaj Francës, dhe në fund fitoi Topin e Artë të turneut.
Monaco e mori për vetëm 4 milionë euro
Borussia Dortmundi kishte tentuar ta mbante në klub me një kontratë profesionale, por palët nuk arritën marrëveshje.
Për të mos e humbur lojtarin pa kompensim, klubi gjerman e shiti Brunnerin te Monaco në gusht të vitit 2024 për rreth katër milionë euro.
Francezët e dërguan menjëherë në huazim te Cercle Brugge në Belgjikë, ku ai pati mundësinë të përballej për herë të parë me futbollin profesionist dhe garat evropiane.
Edhe pse pati vështirësi në fillim dhe u përball me një lëndim që e la jashtë fushës për më shumë se dy muaj, Brunner arriti të shënonte gjashtë gola në vetëm tetë ndeshje si titullar.
Një sezon i vështirë, por ai nuk u dorëzua
Sezoni i parë i plotë te Monaco nuk shkoi sipas pritshmërive.
Brunner kishte vështirësi të gjente hapësirë në ekipin e parë, ndërsa në një moment iu desh të luante edhe me ekipin U21.
Megjithatë, ai vazhdoi të shkëlqente me Gjermaninë. Në vetëm katër ndeshje me U20-shat, shënoi tetë gola, përfshirë dy gola ndaj Italisë dhe një hat-trick ndaj Rumanisë.
“Efikasiteti i tij para portës mbetet i klasit botëror për moshën e tij”, kishte deklaruar trajneri i Gjermanisë U20, Hannes Wolf.
Filipe Luis i dha besimin dhe Brunner shpërtheu
Gjithçka ndryshoi me ardhjen e Filipe Luisit në stolin e Monacos. Me sulmuesit Folarin Balogun dhe Matthias Abline të dëmtuar në fillim të sezonit, Brunner mori mundësinë të luante si sulmues qendre.
Ai nuk priti gjatë për të treguar vlerat. Në ndeshjen ndaj Gornik Zabrzes në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ai shënoi golin vendimtar në fitoren 3-2 të Monacos.
Më pas vazhdoi me pesë gola në gjashtë paraqitje, përfshirë një dopietë spektakolare ndaj Marseille.
Në njërin prej golave, Brunner mori topin pas një rivënie nga porta, përshkoi një pjesë të madhe të fushës, depërtoi në zonë dhe e dërgoi topin qetësisht në rrjetë.
Filipe Luis e përshkroi atë gol si një “kryevepër”.
Klopp po e ndjek nga afër
Forma e Brunnerit nuk ka kaluar pa u vërejtur as nga Jürgen Klopp. Përzgjedhësi i Gjermanisë e ka cilësuar atë si një talent të madh dhe ka bërë të qartë se sulmuesi është në radarët e kombëtares.
Brunner tashmë është ftuar te Gjermania U21 dhe në debutimin e tij shënoi dy gola në fitoren 4-0 ndaj Letonisë në kualifikimet për Evropianin U21.
Për më tepër, ekziston edhe një dilemë për të ardhmen e tij ndërkombëtare, pasi Brunner ka prejardhje nga Kongo dhe mund të përfaqësojë edhe Republikën Demokratike të Kongos. Megjithatë, ai ka shkëlqyer me Gjermaninë në grupmoshat e reja.
Manchester Unitedi po e sheh si një mundësi
Forma e tij ka bërë që të rritet edhe interesimi nga klubet e mëdha. Liverpooli thuhet se po e monitoron situatën e tij, ndërsa Manchester Unitedi shihet si një prej klubeve që mund të tentojë transferimin e tij.
Brunner aktualisht vlerësohet rreth 15 milionë euro, një shifër relativisht e ulët për një sulmues 20-vjeçar me potencialin që po tregon në Ligue 1.
Shpejtësia, fuqia fizike, aftësia në duelet një kundër një dhe instinkti para portës janë disa prej karakteristikave që e bëjnë atë një profil interesant për Premier Leaguen.
Manchester Unitedi po kërkon zgjidhje në sulm, ndërsa dëmtimi i Benjamin Sesko dhe forma jo bindëse e Joshua Zirkzees e bëjnë situatën edhe më të rëndësishme për klubin anglez.
Brunner tashmë ka kaluar fazën e “talentit premtues”. Me paraqitjet e fundit te Monaco, ai po kërkon të bëhet një prej emrave të rinj më të kërkuar në Evropë. /Telegrafi/